8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Metodologjia e Kuranit në edukimin e të rinjve ( Rëndësia e të rinjve në shoqëri)

Më të lexuarat

Ajo që është e ditur te secili prej nesh është se shoqëria njerëzore përbëhet nga individët të cilët jetojnë në korniza të caktuara mes tyre në fusha të ndryshme të jetës. Kjo shoqëri e cila përbëhet nga individët e llogaritë individin përgjegjës nga aspekti moral, nga aspekti i të menduarit dhe nga aspekti i përparimit. Njeriu nuk mund të jetë krenar, i fuqishëm dhe i sigurt, përveç nëse jeton në një familje që ka një mburojë të fuqishme kundër mendimeve të devijuara dhe kundër veprimeve jo të drejta. Kjo mburojë i mundëson njeriut që të arrij lumturinë dhe suksesin në këtë botë.

Lidhja mes individit dhe shoqërisë është lidhje në dobitë reciproke dhe në shërbim të nevoja të njëri tjetrit. Kështu duhet të qëndroj kjo lidhje, e jo lidhje luftash dhe divergjencash. Çdo njëri prej neve besimtarëve e kupton se ajo që bëri i Dërguari i Allahut me ardhjen e tij në Medine duke vëllazëruar mes ensarve ( banorëve të Medinës) dhe mes muhaxhirëve ( banorëve të Mekës), qëllimi ishte forcimi i ndërtimit të shoqërisë dhe lidhjes së individëve mes njëri tjetrit, si dhe bashkimi mendimeve dhe drejtimeve, duke u kujdesur për ruajtjen e bazave të fesë, baza në të cilat nuk mund të ketë divergjenca e as mospajtime.

Përgjegjësia shoqërore është nevojë njerëzore. Islami i ka paraprij të gjithave në vendosjen dhe kufizimin e përgjegjësisë së myslimanit në shoqëri dhe për këtë vendosi metodologji të fuqishme e cila rregullon përgjegjësin e secilit individ ndaj shoqërisë në të cilën jeton. Këtë i Dërguari i Allahut e vendosi kur tha në fjalën e tij: “ Secili prej jush është kujdestarë, dhe secili do të jap llogari për atë që iu është dhënë në përkujdesje”. Nga kjo vërtetojmë se secili prej nesh është pjesë e shoqërisë dhe për këtë e ka obligim që të dua, të vrapoj dhe të angazhohet në ndërtimin dhe ngritjen e shoqërisë në të cilën jeton. Po ashtu e ka obligim që të kujdeset në largimin dhe mënjanimin e gjërave të cilat ndikojnë keq në shoqëri dhe ndikojnë keq në prishjen e shoqërisë. Islami kërkon prej të gjithëve, individëve, shtresave dhe fushave të ndryshme, të vegjël dhe të mëdhenj, gra dhe burra në meditim të thellë për përgjegjësinë shoqërore.

Realizimi i objektivave të përgjegjësisë në shoqëri fillon nga familje, pasi që familja llogaritet tulla e parë në edukimin. Pastaj kalon përgjegjësia në shkolla dhe në institucionet arsimore, në metodologjinë e tyre në personelin e tyre. Pastaj kalon përgjegjësia mbi dijetarët, këshilluesit, sociologët, pedagogët. I Dërguari i Allahu ka kërkuar nga çdo besimtarë që të luaj rol pozitiv në shoqëri, ku ky besimtarë do të urdhëroj në të mirë dhe do të ndaloj nga e keqja, si dhe do ti shoqëroj besimtarët në të gjitha të mirat e jetës së tyre.

Roli i rinisë në shoqëri është shumë i rëndësishëm. Në realitet ajo është mosha e ambicieve, mosha e gjakut që vlon, mosha dhënies, mosha e flijimeve, mosha marrjes dhe mosha e ndikimeve. Rinia është simboli i fuqisë, dhe qëndrueshmërisë. Është simboli i gjallërisë dhe aktivitetit. Në realitet te të gjithë njerëzit rinia llogaritet periudha e cila ka në vete të gjitha fuqitë që duhet ti ketë njeriu, fuqia fizike, mendore, kuptimore, shpirtërore. Është periudhë e cila ushqen një mendje e cila ka fuqinë e zbulimit, përparimit dhe zhvillimit në formën më të mirë që kërkohet.

Rinia është shtylla të cilën e synon çdo ideologji e cila ka strategji për ndryshim. Protestat, demonstratat, revolucionet të cilat janë zhvilluar dhe zhvillohen në nivelin global, të gjitha janë zhvilluar duke u mbështetur në fuqinë e të riut. Nisur nga kjo, e shohim edhe Kuranin se si e cilëson këtë periudhë të moshës së njeriut, periudhë e cila arrin kulmin e fuqisë së njeriut për të marrë mbi supe përgjegjësitë më të mëdha, dhe për ti kryer obligimet më të mëdha, ku edhe shumica e të dërguarve të Allahut filluan misionin e tyre në moshën e rinisë.

Në logjikën islame nuk do të thotë se dhënia pas rinisë dhe kujdesi i madh ndaj tyre lë anash dhe neglizhon rolin e burrave dhe të moshuarve dhe nëpërkëmbjen e të drejtave të tyre, sikur që ndodhë në shumë ideologji revolucionare. Sikur që ndodhi në kohën e komunizmit, ku njëri prej prijësve të kësaj ideologjie pas revolucionit kërkoi mbytjen e të gjithë të moshuarve, që të mos jenë barrë për shtetin. Por , Islami llogaritë se çdo njeri e ka rolin e tij dhe çdo njeriut duhet ti jepet e drejta e tij. Rëndësinë që ia ka dhënë rinisë është për shkak te mundësisë së tyre për realizimin e gjërave madhore dhe ballafaqimin me sfidat e mëdha.

Islami kur shton kujdesin për të rinjtë në realizimin e qëllimeve të ndryshimit, nuk e bënë këtë vetëm për shkak të veçorive që ka kjo periudhë, por synon edhe diçka më të madhe, synon që kjo gjeneratë ta ndiej përkatësinë e saj islame dhe kapjen për bazat e Islamit, që të jetë një rini e shëndoshë islame. Sepse, rinia me Islam është çdo gjë, ndërsa pa Islam është asgjë.

Rinia janë damari më i rëndësishëm në çdo shoqëri. Ata janë shtylla e së ardhmes dhe rruga e zhvillimit. Përmirësimi i tyre do të thotë përmirësim i shoqërisë dhe prishja e tyre do të thotë prishje e shoqërisë. Një shoqëri nuk mund të jetë e fuqishme, përveçse me një rini të mirëfilltë. Për këtë arsye çdo popull dhe çdo shoqëri jep tërë kapacitetin e saj dhe tërë potencialin e saj e investon në rini për të siguruar një të ardhme të ndritshme të shoqërisë së saj. Dhe kur rinia është e shëndosh, e pajisur me dije dhe njohuri, atëherë do të bëhet mjeti më i fuqishëm në ballafaqimin me sfidat e kohës dhe do të jetë më e përgatitur për betejat e së ardhmes. I dërguari i Allahut e vlerësoi këtë periudhë të moshës së njeriut, ngriti lart çështjen e tyre, sikur që tha në porosinë e tij, që ta shfrytëzoj njeriu rinin e tij para se të arrij pleqërinë e tij. Po ashtu i Dërguari i Allahut e përmendi se në mesin e shtat grupeve të njerëzve që do ta meritojnë futjen nën hijen e Arshit të Allahut në ditën e gjykimit, kur nuk do të ketë hije tjetër pos hijes së tij do të jetë edhe një i ri i cili rininë e tij e ka kaluar në adhurimin e Allahut. Po ashtu është transmetuar nga i Dërguari i Allahut se Allahu shpreh çudi dhe pëlqim ndaj një të riu i cili është i fuqishëm dhe nuk thyhet nga sfidat e jetës.

Në lidhje me këtë shohim se edhe Kurani, po ashtu edhe syneti i të Dërguarit të Allahut tregojnë se historiku i shpalljeve hyjnore duke filluar prej Ademit e deri te i Dërguari i fundit Muhamedi sillet rreth moshës së rinisë. Pra , rinia janë ata që ngritën fjalën e Zotit dhe e përçuan mesazhin e Tij te njerëzimi. Allahu tregoi në Kuran edhe për shumë tregime të të rinjve, për shkak të rëndësisë së tyre. Thotë Abdullah b. Abasi: “ Allahu nuk ka dërguar ndonjë pejgamber përveç se të ri, dhe nuk ka ndonjë të dijetarë të njohur, përveçse që ka fituar dijen e tij në rinin e tij”. Kështu edhe historia e Pejgamberit tregon interesimin e Pejgamberit për këtë moshë të njeriut. I Dërguari i Allahut në përhapjen e misionit të tij në fillimi mbështetej në rini në shtëpinë e Erkam b. Erkamit, dhe po ashtu i ngarkonte me përgjegjësi të mëdha. Misioni i Pejgamberit mbështetej në dije dhe në bartjen e shpalljes dhe të rinjtë ishin më të denjit për ti bartë këto. Kjo tregon se rinia ka rol kyç dhe bazik në zhvillimin dhe ruajtjen e misionit të Pejgamberit. D. m. th. Rinia ka një peshë të madhe në Islam, ka një shkallë të lartë. Sepse, ajo është fuqia e shoqërisë. Për këtë duhet kujdes i veçantë ndaj tyre nga ana e prindërve, nga ana e përgjegjësve dhe nga ana e shoqërisë në përgjithësi. Shoqëria duhet të ndihmohen mes veti për drejtimin e rinisë kah e mira dhe kah përgjegjësitë që i presin.

Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit