7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Më 12 korrik, Simmons raporton në Kuvendin e Kosovës për skandalet e EULEX-it

Më të lexuarat

Më 12 korrik, Simmons raporton në Kuvendin e Kosovës për skandalet e EULEX-it


Ligjvënësit kosovarë, të hënën e 12 korrikut do të kenë një seancë të rëndësishme. Në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet video-lidhjes do të paraqitet ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.

Pas aprovimit nga Komisioni për Legjislacion, data 12 korrik është caktuar për të dëgjuar pretendimet e Simmonsit. Ky i fundit pritet të raportojë për një mori skandalesh të EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave e ndikimet në dëshmitarë.


Se do të raportojë para deputetëve më 12 korrik, e ka konfirmuar për RTK-në vetë Simmons.

“Unë pres që ta jap dëshminë time në Parlamentin e Kosovës më 12 korrik. Kam besim se pasi të dëshmojë, Parlamenti të vendosë që të nis një hetim të plotë publik”, ka thënë Simmons.

Në anën tjetër, avokati i Simmonsit, Artan Qerkini tregon për formatin e raportimit dhe pretendimet e ish gjyqtarit britanik.

“Pas kërkesës së ardhur nga Kuvendi që Simmons të raportoj më 12 korrik, kam kontaktuar me të, dhe ai e konfirmuar që do të raportojë nëpërmjet video-lidhjes. Arsyeja pse Z.Simmons nuk ka mundur të vijë fizikisht në Kosovë, është përhapja e variantit Delta të coronavirusit, dhe në rast se vjen do t’i duhej të qëndronte 2 javë në karantinë”, u shpreh Qerkini.

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, kishte treguar se në raportimin që pritet ta bëjë në Kuvendin e Kosovës, do të tregojë se pse nuk janë hetuar krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

Simmons ka thënë se shumë prova të krimeve të kryera nga serbët nuk janë më në dorën e autoriteteve kosovare.


“Kur të jap dëshmi para Parlamentit të Kosovës do të shpjegoj pse këto raste nuk janë hetuar. Dëshmitë në lidhje me shumë krime të luftës të kryera nga persona me etni serbe nuk janë më të disponueshme për autoritetet e Kosovës”, ka thënë Simmons, kohë më parë përmes një postimi në Twitter, transmeton Telegrafi.

Simmons kishte dërguar në drejtim të kryeministrit Albin Kurti një pjesë të dëshmisë së tij për skandalet e kryera nga misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX). Mbi këtë bazë, Simmons ka kërkuar të raportojë në Kuvendin e Kosovës për të gjitha këto pretendime.

Në dëshminë e Simmons drejtuar kryeministrit, përveç ndikimeve politike, bashkëpunimit të EULEX-it me prokurorinë në Beograd, Simmons jep detaje dhe shpreh dilema për punën e Gjykatës Speciale. Deri më tani, nga qeveria nuk janë përgjigjur në këtë letër të Malcom Simmons. Ishte prokurori i parë i specializuar i Gjykatës Speciale në Hagë.

Por, në këtë pozitë, David Schwendiman nuk qëndroi më shumë se dy vjet. Asokohe kishte thënë se po jepte dorëheqje për shkak të zbatimit të ligjeve amerikane, që sipas tij nuk ia lejonin mbajtjen e kësaj pozite më gjatë. Por, është ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, që po pretendon se pas largimit të Schwendiman fshihet edhe diçka tjetër.


Në dëshminë e tij 25-faqëshe drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Simmons ka shkruar se Schwendiman ishte përjashtuar për shkak nuk kishte gjetur prova për krerët e UÇK-së.

Simmons gjithashtu ka thënë se EULEX-i ka dorëzuar Serbisë dosje të luftës.

Në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë kohë më parë se autoritetet e Kosovës nuk janë në dijeni për këtë gjë.

“Për të qenë të qartë: EULEX i dorëzoi dosjet e krimeve të luftës Serbisë. Këto përfshinin skedarë që EULEX-i i kishte marrë nga UNMIK-u. Unë nuk mendoj se autoritetet e Kosovës e dinin se EULEX-i i kishte dhënë këto dosje Serbisë”, shkroi ai.

Përveç kësaj, Simmons tha se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me letrën që ia ka dërguar atij para disa javësh, e në të cilën ka listuar një sërë skandalesh që sipas tij e kanë karakterizuar misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Kurti e ka pranuar letrën dhe deklaratën time para disa javësh. Ka pasur shumë komente nga mediat në Kosovë, por asnjë fjalë nga Kurti. Koha do ta tregojë”, ka shkruar Simmons.

Por, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të sh-kryetarit të gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili ka thënë se EULEX-i i ka dorëzuar dosjet për krimet e luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë.

Në një kumtesë për media EULEX thotë pretendimet e ish gjykatësit Simmons nuk janë të vërteta. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit