6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Mbivlerësimi i mendjes, ose ateizmi kontradiktor

Më të lexuarat

Ateisti kujton se me mendjen e tij mund të arrijë të perceptojë gjithçka. Ai është i mendimit se shqisat e tij janë të afta të përfshijnë çdo gjë që ekziston (ndërsa çfarë shqisat e tij nuk e përfshijnë, sipas tij, ajo nuk ekziston). Natyrisht që kjo bindje e tyre është e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me logjikën e shëndoshë. Kjo pasi është e pamundur për mendjen njerëzore që të ketë njohuri për gjithçka.
Ibën Bettah (Allahu e mëshiroftë!), transmeton se një burrë, shkoi bashkë me djalin e tij te Abdullah bin Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), dhe i tha: “Këtij djalit tim ia kanë shastisur mendjen debatet e shumta, ia kanë çoroditur zemrën polemikat, dhe filozofitë e kanë larguar nga Zoti i tij.”
Abdullah bin Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i tha djaloshit: “O djali i vëllait tim! Pa hidhe shikimin tënd atje në horizont e më thuaj, kush është ai njeri? – Tha: “Ai është filani.” – Ibën Abbasi tha: “Të vërtetën the. Tani më thuaj, çfarë është ajo pamje e zymtë që gjendet pas tij? – Djaloshi tha: “Nuk e di.”
Atëherë, Ibën Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), tha: “O djali i vëllait tim, Allahu i Madhëruar, ashtu siç u vendosi syve tanë një cak të cilin nuk munden ta tejkalojnë, ashtu u ka vendosur edhe syve të zemrave tona (mendjeve) një cak të cilin s’munden ta tejkalojnë, dhe një kufi të cilin s’munden ta kapërcejnë.” – Djaloshi, pasi dëgjoi këto fjalë, u kthjellua dhe hoqi dorë nga të pyeturit për ato gjëra të cilat s’bëjnë dobi, si dhe prej të menduarit rreth atyre çështjeve të cilat e shastisin mendjen dhe zemrën.”
Edhe shqisat gjithashtu janë të kufizuara. Jo çdo gjë që ekziston, mund të perceptohet nga shqisat tona.
Të gjithë janë të një mendjeje rreth faktit se ato gjëra të cilat i perceptojnë shqisat, ekzistojnë, mirëpo mbi ç’bazë na u dashka të pohojmë se çfarë nuk perceptohet me anë të shqisave, nuk ekziston?!
Shqisat tona janë shumë të dobëta dhe të paafta për të perceptuar çdo gjë që ekziston. Argument për këtë, është fakti se shqisat, ndonjëherë mund të jenë të pasakta në përcjelljen e realitetit të gjërave tek ne. Pra, ato mund të na e paraqesin diçka, ndryshe nga çfarë ajo është në të vërtetë. I tillë është shembulli i mirazhit.
Nganjëherë verës, nën diellin përvëlues, a nuk të duket sikur mbi rrugë shikon një pellg me ujë, dhe kur afrohesh shikon se aty s’ka asnjë pikë ujë, por ai ka qenë thjeshtë një mirazh?
Kështu pra, edhe syri, i cili është shqisa më e mprehtë, mund ta tregojë diçka ndryshe nga çfarë është ajo në realitet. Të njëjtën gjë e vërejmë nëse vendosim një laps brenda një gote të mbushur me ujë. Lapsi do të na duket sikur është i thyer, edhe pse ne e dimë se ai nuk është i thyer.
Pra, është më se e qartë se për ta njohur realitetin e gjërave, nuk mjafton të bazohemi kryekëput vetëm te shqisat, ashtu siç pretendojnë ateistët. Kjo çështje është e qartë, edhe pse ata vazhdojnë të gënjejnë vetveten.
Njeriu i mençur e di mirë se nuk është e mundur që duke u bazuar vetëm në mendjen (logjikën) dhe shqisat të jemi në gjendje të njohim realitetin e gjithçkaje, apo të jemi të aftë të shpjegojmë çdo mister. Është e pamundur për mendjet dhe shqisat tona të japin një verdikt të saktë e të pakontestueshëm për çdo gjë.
Shembulli më i mirë për këtë është shpirti, i cili është gjëja më pranë njeriut, madje është vet njeriu. Realitetin e shpirtit, mendja dhe shqisat nuk munden ta shpjegojnë apo ta përshkruajnë. Madje më i çuditshëm se kaq është fakti se mendja, nuk është e aftë të shpjegojë se çfarë është vet ajo, pra mendja nuk di ta përshkruajë vet mendjen. Të njëjtën gjë themi edhe për realitetin e ëndrrave dhe vegimeve, e po ashtu themi edhe për realitetin e forcës së rëndesës etj. Asnjë ateist nuk i mohon ato edhe pse mendja dhe shqisat nuk arrijnë t’i perceptojnë.
Pas kësaj që thamë, na bëhet e qartë se fjala e ateistit; “Përderisa nuk e shohim Allahun, atëherë Ai nuk ekziston”, është fjalë e cila e nënçmon dhe e përçmon pozitën e mendjes dhe rolin e vërtetë të shqisave. Kjo sepse nëse do ta merrnim për të mirëqenë fjalën e tij, gjatë studimit të lëmenjve të ndryshëm në fushën e shkencës, fushë së cilës ai pretendon se i përket; atëherë do të na duhej të hidhnim poshtë të gjitha parimet dhe bazat që kemi vendosur deri më sot, pasi askush nga shkencëtarët nuk e ka parë ndonjëherë elektronin, e as lëndën e errët e cila presupozohet se mbush hapësirën e universit. Po ashtu, asnjëri prej tyre nuk i ka parë valët e dritës, e as valët elektromagnetike, e natyrisht që shembuj të tillë që kanë të bëjnë me shumë të vërteta shkencore, ka sa të duash.
Pamundësia për ta parë Allahun e Madhëruar (në jetën e kësaj bote) dhe pamundësia për ta përfshirë Atë me mendjet tona, kurrsesi nuk do të thotë se Ai nuk ekziston. Mendjes i mjafton të argumentohet për ekzistencën e Tij, duke u bazuar në krijimin e Tij, si dhe në përsosmërinë mahnitëse që Ai ka vendosur në atë krijim. Ndërsa njohja e hollësishme e Qenies së Tij, apo e cilësive të Tij, është diçka që nuk mund të arrihet nëpërmjet mendjes dhe meditimit.
Shkencëtarët dhe biologët nuk janë në gjendje të përfshinë me njohuritë e tyre, gjithçka që ka të bëjë me një mizë, e si tentojnë që po nëpërmjet asaj mendjeje të mangët e të kufizuar, të dinë gjithçka rreth Allahut të Madhëruar?!
Pra, fakti që ne Allahun nuk e shohim, nuk do të thotë se Ai nuk ekziston. Nëse ateisti shikon një njeri i cili që kur ka lindur asnjëherë nuk e ka njohur dhe nuk e ka parë babanë e tij, a do të thoshte ateisti për të se ai njeri s’ka baba, pasi ai nuk e ka parë atë?!
S’ka dyshim se doktrina ateiste është e brishtë dhe aspak e bazuar shkencërisht, edhe pse ateisti pretendon ndryshe.
Ndër gabimet metodologjike të tyre, që kanë të bëjnë me këtë çështje, është fakti se ata, pasi i kufizuan perceptueshmëritë vetëm duke u bazuar te shqisat, nuk pranojnë t’i marrin në konsideratë lajmet dhe informatat e sakta, të cilat vijnë nga burime të besueshme, e për vërtetësinë e të cilave gjenden argumente të pakontestueshme. Natyrisht që ky refuzim i tyre është i papranueshëm, pasi çdo njeri me mend e ka të qartë se njohuritë përftohen nëpërmjet shqisave, përftohen nëpërmjet të logjikuarit dhe të menduarit, por përftohen gjithashtu nëpërmjet lajmeve dhe informatave të sakta.
Është për tu çuditur në këtë pikë, pasi ata, edhe pse teorikisht i përgënjeshtrojnë ato lajme dhe informata, realisht ata në argumentimet që sjellin, vijnë po me thënie dhe lajme të cilat u kanë ardhur nga burime të ndryshme. Pra, ata i mohojnë dhe i pranojnë ato njëkohësisht.
Kur debaton me ta, do të shohësh se ata argumentohen me teori të ndryshme. Nëse i pyet; “A mos vallë ti e ke nxjerrë vet këtë rezultat dhe ke arritur në këtë përfundim?” – do të thotë: “Jo, por ky është mendimi i filan shkencëtari të cilin e ka cituar filan autor.” – Këtu i themi; “Ja pra, e kundërshtove parimin tënd të më hershëm, në të cilin e mohoje informacionin e ardhur nga burime të besueshme, pasi ti tashme je duke pranuar për të mirëqenë një informacion të cilin nuk e ke përftuar nëpërmjet shqisave të tua, por nëpërmjet informatave dhe njohurive që të kanë ardhur.”
Duke u nisur nga sa më sipër, na bëhet e qartë se ateisti s’ka asnjë të drejtë t’ia quajë mendjelehtësi besimtarit faktin se ai i beson dhe i pranon lajmet që kanë të bëjnë me të fshehtën (gajbin). Nëse ateisti do të justifikohet duke thënë se ai i pranon ato lajme, pasi ato tregojnë për çështje të prekshme e të perceptueshme për shqisat; ne i themi, edhe lajmet që kanë ardhur nëpërmjet profetëve tregojnë po ashtu për çështje të prekshme të cilat shqisat tona do t’i perceptojnë në Botën Tjetër. Pra, nëse ato që ata i pranojnë janë lajme, edhe këto që besimtarët i pranojnë janë po ashtu lajme, madje lajmet e ardhura nga profetët janë më parësore për të qenë të besueshme e për tu pranuar, pasi argumentet e pakontestueshme kanë vërtetuar saktësinë dhe besueshmërinë e tyre.
Si përfundim, për sa i përket kësaj çështjeje, themi: Doktrina ateiste është një doktrinë kontradiktore. Ajo e pohon diçka si të vërtetë, ndërkohë që e mohon diçka tjetër e cila është po e së njëjtës natyrë me të. Shembull shumë i qartë në lidhje me këtë është fakti se ata e mohojnë zanafillën e krijimit të Ademit (alejhis selam!) nga balta, dhe çdo etapë tjetër të krijimit të tij dhe të shtimit të pasardhësve të tij (njerëzve), ndërkohë që e konsiderojnë si të vërtetë shkencore faktin se origjina e krijimit të specieve e ka zanafillën para miliona vitesh, nga një qelizë e vetme (e cila nuk dihet se si mbiu!!), e që më vonë evoluoi sipas parimeve të përzgjedhjes natyrore. Nga ajo presupozohet se doli një qelizë tjetër, e kështu me radhë u shtuan gjallesat. A nuk e konsideron ateisti të besuarit në një teori të tillë “besim në të fshehtën”?! Cili është ai që e ka parë se me të vërtetë kjo është zanafilla e krijimit të specieve?! Ateisti e merr për të mirëqenë këtë teori, vetëm për faktin se ajo është një teori ateiste, ndërsa lajmin që na ka ardhur nëpërmjet shpalljes kuranore, ata e mohojnë, për arsyen e thjeshtë se ajo ka të bëjë me fenë dhe besimin.
Pra, metodologjia e ndjekur prek ateistëve, është një metodologji kontradiktore, e cila nuk është ngritur mbi baza shkencore, por vetëm mbi kapriçot dhe tekat e tyre.

(Shkëputur nga libri “Ateizmi” i Shejh Salih Sindi, së shpejti në duart tuaja, in sha Allah.)

Përktheu: Enes Ajdini/udhaebesimtareve.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit