3.6 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

Mbi 100 mijë persona në Kosovë jetojnë me asistencë sociale

Më të lexuarat

180 euro në muaj janë të parapara me ligj asistencë sociale për një familje 15 anëtarëshe, ndërkohë në institucionet e Kosovës janë pagat më të mëdha në rajon. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e ndonjëherë edhe detyrimit familjarë, një numër i madh i fëmijëve në vend, bëjnë punë të rënda. Janë rreth 100 fëmijë që kërkojnë lëmoshë rrugëve, edhe pse në Kosovë ndalohet me ligj angazhimi i fëmijëve në aktivitete që dëmtojnë zhvillimin e tyre.

Për këtë organizatat që merren me të drejtat e njeriut thonë se një numër i madh angazhohen në aktivitete të ndryshme në rrugë që dëmtojnë shëndetin psiko-fizik të tyre.

Ata bëjnë thirrje për shtimin e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, siç është hapja e më shumë qendrave për strehimin e përkohshëm.

Aktualisht Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ka regjistruar rreth 100 fëmijë që bëjnë punë të rënda. Selvete Sadiku, udhëheqëse e Divizionit për Asistencë Sociale thotë për KosovaPress, se Prishtina është qyteti me numrin më të madh të lëmoshë-kërkuesve.

“Për 2019 në nivel vendi Qendrat për Punë Sociale kanë identifikuar 258 raste. Jo të gjithë lëmoshë-kërkuesit, në kuadër të punëve të rënda, nuk është vetëm aktiviteti i lëmoshë-kërkuesve, janë sektore të ndryshme siç është ndërtimtaria, bujqësia, sektori në rrugë e të tjerë. Sa i përket lëmoshë-kërkuesve Policia e Kosovës në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, i kanë identifikuar 100 raste. Kjo nuk do të thotë se është shifër reale, por këto janë raste që janë identifikuar dhe njëfarë forme kanë marrë shërbime nga Qendra për Punë Sociale, ato shërbime që ekzistojnë”, thotë ajo për KosovaPress.

Veprimtaritë e tilla bien ndesh me ligjin, sipas të cilit ndalohet punësimi i fëmijës në aktivitete që dëmtojnë sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psiko-fizik të tyre.

Në një përgjigje me shkrim, Policia e Kosovës ka treguar për numrin e personave të evidentuar si lëmoshë-kërkues gjatë vitit 2019.

“Në vitit 2019 janë evidentuar gjithsej 232 persona kërkues lëmosh. Fletëparaqitje për kundërvajtje (gjobitje) janë 17, dhe janë 33 dëbime”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Në mesin e tyre ka edhe shumë persona që nuk kanë strehë. Selvete Sadiku thotë se është në mandatin e komunës që të merren me strehimin e tyre.

Për këtë Dren Kukaj që udhëheq Departamentin për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës zotohet se janë në finalizim të një plani për strehimin e personave që nuk kanë se ku të flenë e zgjohen.

“Strehimi është problem madhor i vendit, nuk është që ne do të bëjmë një zgjidhje finale. Çka mund të them është se ne jemi në finalizim të një plani për një skemë të madhe të banimit social që do të bëhet përmes një formë të re që nuk është bërë deri më tash. Ideja është që ne kemi identifikuar një numër të madh të tokave publike, dhe të njëjtat do t’i japim në këmbim për njësi banesore. Varësisht se si tash do të ecë ky plan, ne shpresojmë që të gjitha rastet sociale që kanë paraqitur kërkesë në Komunën e Prishtinës, për akomodim t’i akomodojmë përmes kësaj skeme të banimit social”, thotë Kukaj për KosovaPress.

Shkalla e varfërisë në vend është rreth 30 përqind. Selvete Sadiku nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar se sa familje marrin asistencë sociale.

“Si shfrytëzues të ndihmave sociale aktualisht në nivel Kosove janë 24 mijë e 352 familje. Që i bie 98 mijë e 756 anëtarë. Shuma minimale për një anëtar është 60 euro, ndërsa maksimalja është 180 euro, që parashihet për një familje 15 anëtarëshe. Varësisht pra prej sa anëtarë është familja”, thotë Sadiku.

Përfaqësuesja nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Valentina Demolli thotë se shteti do të duhej më seriozisht të bëjë në plan-veprimi me të cilën do të mund të sanonte rastet kur fëmijët po merren me punë, të cilat nuk janë për ata.

“Përveç se shohim gjatë ditës, këta fëmijë ose këta lëmoshë-kërkues i takojmë edhe në orët e vona të natës, mirëpo edhe në situata që mund të themi se janë të rrezikshme edhe për jetën e tyre. Shteti i Kosovës do të duhej që më seriozisht të bëjë në plan-veprimi me të cilën do të mund të sanonte këto situata duke përfshirë kështu të gjitha institucionet të cilat janë përgjegjëse dhe mund të kenë ndikim sa i përket kësaj. Përveç një rehabilitimi të këtyre personave që do të mund t’iu ofronte fillimisht me ofrimin e një vend-strehimi të duhur, mandej kushteve të tjera. Patjetër këta fëmijë për shkak se të gjithë këta që janë lëmoshë-kërkues dhe që i shohim në rrugët e qyteteve, këta fatkeqësisht kanë braktisur edhe procesin mësimor, ose procesin shkollor”, shton ajo.

Demolli konsideron se përveç një vendstrehimi do të duhej edhe të ofrohen kushtet tjera, që ata të kthehen në procesin mësimor.

Në përpjekje për t’u dalur në ndihmë këtyre fëmijëve organizata “Terdezom”, bashkë me Komunën e Prishtinës hapën gjatë vitit 2019, qendrën e parë në Kosovë për strehim ditor të fëmijëve. Prishtina, Prizreni e Fushë Kosova janë tri qytetet ku ka më së shumti lëmoshë-kërkues.

Vitin e kaluar vlera mesatare e asistencës sociale ishte 75 euro në muaj, përderisa paga mesatare mujore në sektorin publik është 573 euro./kp/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit