15 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

Marrëdhënia e ndëllikuar mes modës dhe politikës – Elda Shabani

Më të lexuarat

Marrëdhënia e ndëllikuar mes modës dhe politikës

Elda Shabani

Veshja është njëri nga simbolet më të rëndësishme të identifikimit kulturor dhe politik, dhe një mjet i komunikimit joverbal po aq i rëndësishëm sa parimet dhe politikat e tyre. Moda, në thelb, është politike pasi, njësoj si politika, ajo propagandon. Sot politika dhe moda janë në bashkëveprim kompleks. Edhe pse lidhja e tyre nuk është natyrore, ajo është e kapur fort nga politikanët si një mënyrë për të çuar përpara synimet e tyre. Në një botë moderne, ku çdo gjë konsumohet shumë shpejt, si ushqimi, moda, premtimet elektorale, ashtu edhe debatet politike, të cilat janë afatshkurtra, nga Brexit tek Trump, nga emigracioni te terrorizmi, në mënyrë të pashmangshme, duket se jemi mbërthyer nga trazira të vazhdueshme. Të përfshirë në këtë klimë, nuk mund të mohohet se moda është mjeti më i sofistikuar për të pastruar figurën e politikanit. Ata sot shfaqen të kuruar, ndërsa fjalimet bëjnë efekt më shumë nga veshjet e tyre luksoze. Fushatat e tyre politike përcjellin një shkëlqim të rremë, një spektakël të vërtetë mode. Jo rrallëherë, në daljet publike veshja e tyre është nje maskim për makinacionet e tyre të dyshimta. Nën petkun e qengjit të butë shumë prej tyre përdorin veshjen për të çorientuar dhe shpërqendruar mendjet tona.

Natyrisht, lidhja e politikës me modën është shumë e hershme dhe nuk i përket vetëm botës postmoderne, por në ndryshim nga e kaluara, kjo mënyrë propaganduese e veshjes tek elitat e kohës mbarte një lloj përmbajtjeje dhe kuptimi prapa shkëlqimit të veshjes së tyre tradicionale. Luigji XIV i Francës përdori veshjen si mjetin e tij kryesor për të përforcuar pozitat e tij në pushtet. Për kohën ai u quajt si mbreti i sharmit dhe i luksit. Ai e bëri Francën të njihej si lideri botëror më me shije dhe stil.

Elizabeta I e Anglisë, një nga sovranet më të shquara të historisë së Anglisë, e përdori veshjen për të përforcuar statusin e saj si mbretëresha e virgjër, duke shprehur fuqinë dhe pasurinë që vendi i saj nuk e kishte. Gjatë mbretërimit të saj, Anglia, si mbretëresha e detit, zotëronte flotën më të madhe në botë, gjë që do të sillte për vendin zhvillimin e tregtisë. Kështu mëndafshi nga Kina do të transformonte jo vetëm veshjet e saj të stolisura me gurë të çmuar, por edhe një modë të re në stilin elizabetian në të gjitha sallonet dhe ballot që zhvilloheshin në atë kohë.

Marie Antoinette, me një personalitet dhe stil jetese ekstravagant, si dhe prirje ndaj artit e pasioneve, u kthye në figurën më të përfolur të Francës. Nga ana tjetër, ajo ishte edhe mishërimi i shijes, i stilit dhe i modës. Kur princesha e re udhëtoi nga Austria në Francë për t’u martuar, me Luigjin XVI në 1770, u ndal në kufirin mes dy vendeve, për të hequr të gjitha veshjet e saj austriake dhe u vesh me fustanin e kurorëzimit të stiluar dhe qepur në Francë.

Katerina e Madhe e Rusisë, mbretërimi i saj në periudhën 1762-1796 u quajt si “epoka e artë” e historisë ruse. Koha kur Katerina II jetoi ndryshe njihet si “epoka katerianiane” njësoj si epoka elizabetiane në Angli. Veshja e kurorëzimit ishte balsam dhe simbol i identitetit kombëtar.

Një tjetër figurë e veçantë është ajo e Sulejmanit të Madhërishëm. Në kohën e lulëzimit të perandorisë otomane, ai ndërtoi për herë të parë kodin e etikës së veshjes. Ai përdori artin, arkitekturën dhe veshjen për të lartësuar dhe për të komunikuar statusin e tij në mënyrë hyjnore. Madje dizajni dhe veshjet e tij frymëzuan dhe mbretin Henri III të Anglisë, i cili huazoi materialin velvet të zbukuruar me perla dhe fije prej floriri.
Nëse do t’i hidhnim një vështrim të drejtpërdrejtë imazhit politik të kohës moderne dhe rëndësisë së veshjes, dhe si ka ndryshuar kjo lidhje kaq komplekse, dallojmë disa figura pikante, shumë prej të cilave i kanë qëndruar kohës duke mbetur ikona frymëzues të modës.

E gjithë gardëroba e mbretëreshës Elisabeta II ka qenë një armë për të projektuar e për të rritur fuqinë dhe dinjitetin mbretëror si një figurë kombëtare. Në të gjitha daljet e saj publike bien në sy dorezat të cilat nuk i ka hequr asnjëherë dhe kryesisht kostume me ngjyra të forta e të ndezura.

Fidel Kastro dhe Ernesto Che Gevara, figurat kryesore të revolucionit kubanez dhe marksist. Të dy mbahen mend për modelin e udhëheqësit rebel me uniformë jeshile ushtarake dhe sigurisht pa lënë mënjanë beretën me një yll të Che Gevares, çizmet e tij të zeza dhe një puro në dorë duke krijuar jo vetëm një stil provokues dhe kontrovers, por dhe imazhin e një lideri i cili përfaqëson ideologjinë e tij politike.

Frida Kahlo ndërtoi identitetin e saj përmes artit, pikturës, politikës dhe veshjes. Pamja dalluese e Kahlos është e përbërë nga tri detaje: lulet në flokët e lidhur gërshet, bluzë në formë katrore, si dhe një fund i gjatë për të fshehur këmbët e saj të dobëta shprehen rrënjët e saj etnike meksikane. Veshja i shërbeu asaj si çelës për mënyrën si e ndau identitetin e saj në një mënyrë kuptimplotë duke ndërthurur aftësinë e kufizuar fizike me bindjet e saj politike. Lulet në kokë ishin për të simboli i jetës dhe dashuria që ajo kishte për natyrën. Ndërsa trupin e saj të gjymtuar e transformoi në një vepër arti duke shprehur bindjen e saj politike si një pjesëtare e partisë komuniste.

Kennedy-t në vitin 1962. Stili i tyre u bë një frymëzim për vendin dhe më gjerë. Jackie Kennedy u bë një ikonë e modës globale gjatë viteve që ishte Zonja e Parë, gruaja e presidentit amerikan John F. Kennedy. Si Zonja e Parë, ajo krijoi një imazh tejet personal dhe elegant. Veshja më kulminante e saj është padyshim kostumi ngjyrë rozë i Chanel-it e kombinuar me kapelen cilindrike pa strehë, e që më pas u bë një fenomen i modës. Ndërsa ngjyra rozë përcillte imazhin e pavarur dhe delikat të figurës femërore.

Hillary Clinton, gruaja e parë kandidate për presidente në Amerikë, por edhe si Zonjë e Parë, nuk i ka shpëtuar syrit mediatik sa i përket stilit të veshjes, të cilin ajo e shfrytëzoi dukshëm edhe pse më minimalist dhe më pak guximtar krahasuar me Kennedy-n. Clinton, duke zgjedhur pantallona të thjeshta dhe xhaketa të gjata, ndërtoi një imazh të qartë, duke demonstruar kështu fuqinë dhe ndikimin e madh të modës edhe në një fushë të tillë si ajo e politikës.

Michelle Obama, gjatë tetë viteve në të cilat burri i saj shërbeu si President i Shteteve të Bashkuara, ka tërhequr jo pak vëmendjen e kritikave të cilat kanë qenë pozitive. Është i dallueshëm fakti se Mischelle ka treguar interes të lartë ndaj stilit të veshjes dhe imazhit femëror në botën e politikës.

Yanis Varoufakis, ish-ministri grek i Financave, ka qenë i njohur për stilin e tij të guximshëm duke u bërë shpesh subjekt i polemikave, në një botë ku shumica dërrmuese e politikanëve duken relativisht identikë e konservatorë. Kryesisht e kemi parë në takimet e tij zyrtare, të veshur me një këmishë pa jakë, xhinse të zeza, xhaketë dhe çizme lëkure.
Jo më pak interesant e që s’mund t’i shpëtojë syrit magjik të aparatit fotografik duke u bërë i njohur edhe jashtë Shqipërisë, është imazhi i kryeministrit Edi Rama. Si politikan, por edhe si artist, ai shfaqet gjithmonë me një stil krejt të veçantë e me shije. Veshjet janë plot ngjyra njësoj si pikturat e tij, duke e bërë atë të paimitueshëm në stil. Kravatat të zgjedhura plot fantazi janë unike dhe simbolike. Pa frikë, mund të konsiderohet si arma e tij më e fortë për të gdhendur imazhin e një politikani me shpirt artisti. Kryeministri ynë bën ndryshim nga kornizat e klasës politike duke u kthyer në një figurë politike shumë debatuese; mjafton të kujtojmë kostumin shik të kombinuar me atletet me tri viza në takimin dypalësh me presidentin francez Emmanuel Macron dhe takimet e tjera me anëtarë të tjerë të lartë të institucioneve të BE-së.

Si përfundim, sot ndikimi i imazhit në politikë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Veçanërisht me përdorimin e gjerë të masmedias politikanët më shumë janë të vetëdijshëm për paraqitjen e tyre vizuale. Sigurisht duhet pranuar se veshja është një ndër shqetësimet më të vogla për një politikan, por nga ana tjeter ai duhet të njohë rregullin bazë për veshjen, atë “minimalist”, si edhe duhet të shfaq jo vetëm identitetin personal, por edhe atë kombëtar e kulturor.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit