15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Malli për vëllezërit

Më të lexuarat

وَسِيقَ الَّذِينَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ إِلَى الْجَنَّةِ زُمَراً

“E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, …”. (Ez-Zumer: 73).

Imam Ibën Kajimi, rahimehullah, thotë: Allahu refuzon të hyjnë njerëzit një nga një në Xhennet, porse shokët do të hyjnë në Xhennet bashkë”.

Për nga natyra jam njeri nostalgjik, me mall i kujtoj ditët e shoqërimit me miq dhe shok të ndryshëm. Akoma i kujtoj me mall ditët e shkollës së mesme, peripecitë dhe vështirësitë e atyre ditëve. Ata që më kanë përkrahë dhe ata që më kanë lërë të vetëm. Përsëri me të gjithë jam sjellë njësoj. Ndaj asnjërit nuk kultivoj mllef e as hidhërim, i arsyetoj se ishte qëndrim i vështirë, ishte rebelim përmbi mundësitë dhe atë që ta ofronte koha dhe mjedisi. Dhe përsëri në çdo takim dhe bisedë ndjej ngrohtësi dhe kënaqësi.

Po aq me mall edhe më shumë i kujtoj vizitat e para të Sirisë, Damaskut, shejh Abdul-Kadrit, studentëve tanë, Institutit el-Furkan, medreses Ejmenije, etj. Takimet problematike me studentë, debatet adloshente, disa herë edhe fëminore, madje edhe përbuzëse dhe injoruese, porse përsëri mbeten të këndshme në kujtimet e mia. Takimin e studentëve me shejh Abdulkadrin, ligjëratat dhe këshillat e tija, orvatjet e mia, që në atë kohë, të mbjellim një shpirt hulumtues e akademik ndaj fesë dhe fenomeneve të thirrjes islame në botë dhe te ne. Allahun e falënderoj për të gjitha këto të mira të cilat i kam përjetuar.

Malli edhe më i madh më bëhet kur kujtoj udhëtimin e parë për Jordani. Takimi me kolosin e madh të hadithit, shejh Albanin, Imamin pa konkurrencë, sipas fjalëve dhe lavdeve të një numri të madh të kolosëve islam, atyre që janë pajtuar me këtë Imam dhe atyre që nuk janë pajtuar me te. Nuk mund të harrohet shërbimin që ja bënte Mustaf Lutolli-it secilit studentë të ri shqiptar, pa marrë para sysh pajtohej me ta në mendime ose jo, ishte një aktivist i shquar dhe me një zell të madh e bënte punën e përhapjes së informacionit për shqiptarët dhe Kosovën.

Nuk mund të harroj kurën e kurës takimin e parë na ballkonin e tij, nën të cilin kishte pëllumba, të cilët i mbante që thërrimet e ushqimeve të mos hidheshin por të fitohej shpërblim nga Allahu edhe për ushqimin e këtyre shpezëve të bukura dhe këndshme. Telefoni nuk ndalej. Ne të ri, në moshën gjashtëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë vjeçare, entuziast, me një dozë aventure, e shikonim shejhun me një admirim të madh, na dukej vetja sikur gjendeshim para një kolosit, eruditit, shejhut, dijetarit, imamit, të cilin kurrë më herët nuk na e kishte parë syri.

Preokupimi i tij për hadithin na e shtonte dashurinë ndaj tij, sepse na dukej vetja se kështu më shumë i afrohemi Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Salavatet e shumta që i dërgoheshin Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, na bënte sikur koha shkurtohej, hapej një vrimë në kohë dhe depërtonim në kohën e imamëve të hadithit, e merrnim hadithin e freskët, të sigurtë dhe pa kurnjëfar doze dyshimi, se është autentik dhe i dobishëm për të jetuar me te.

Ky takim dhe shumë takime të mëpastajshme, tani e them, mund të kishte qenë një dërrasë e madhe kërcyese për ne, që atëherë ishim fëmijë, akoma kohë komunizmi, akoma jeta fetare kishte shumë vështirësi, peripecitë ishin të shumta, askush nuk e dinte se çfarë erërash do të frynin në vendet tona, të kalojmë shumë kohë para, shumë më para se koha në të cilin ishte jeta fetare në vendet tona, qëndrimi me këtë kolos dhe bereqeti i preokupimit me hadithin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Pasi u vendosëm për studime në Universitetin e Jordanisë, Fakultetin e Sheriatit, sollëm me vete edhe shumë shokë dhe djem të rinj. Qëllimi ishte që popullit shqiptar ti krijojmë kuadro të përgatitura dhe të afta për të avancuar jetën fetare në vendet e tij.

Shumë të rinj që sot janë bërë hoxhallarë me ndikim dhe nam në popullin tonë, njerëz që kontribuojnë seriozisht për një jetë shumë më stabile fetare, jetë shumë më kualitative fetare, jetë shumë më largpamëse fetare, të cilët ishin me ne duke bërë hapat e parë të mësimit të gjuhës arabe dhe mësimeve bazike të fesë, sot me disa prej tyre na ndajnë mendimet, me disa na ndajnë vendet e jetës dhe veprimit, e me disa na ndajnë zilia dhe mëritë, qëndrimet e sakta/pasakta fetare ndaj fenomeneve, qëndrimet dhe veprimet strategjike, por kur nuk mund të ma ndajnë mallin për ato ditë shumë të këndshme, të lezetshme, ditë dhe net me lidhje dhe angazhim, por që shumë vështirë mund të fshihen nga kujtesa ime.

Mallëngjimi për ato ditë i mban gjallë dhe nuk lejon të fshihen ato. Ani pse disa nuk i shoh me vite, edhe kur i shoh nuk e gjen ngrohtësinë e vjetër, ajo mungon, edhe më shqetëson pse mungon, porse përsëri malli është ajo që të gjitha i mbulon dhe më jep një freski në shpirt, një ngazëllim, të cilin dëshiroj ta kem edhe në Xhennet, me këta dashamirë.

Kam mall, i cili nuk më lejon të harroj disa njerëz, të pakët në numër, sa gishtat e dy duarve, por të parët bashkë në këtë rrugë. Disa prej tyre hoxhallarë dhe disa prej tyre jo hoxhallarë, por shumë të afërt, sikur vetja ime. Ditë dhe net të kaluara bashkë. Momente shumë të rëndësishme në historinë e davetit, në historinë e veprimit kombëtarë, në historinë e themelimit të këtij xhemati, i cili sot, lavdi i Takon Allahut, i mbushë edhe rrugët e sheshet, jo vetëm xhamiat. Për këta kam mall edhe më të veçantë. Mall i cili nuk shuhet. Mall i cili nuk më lejon kurë të harroj ato ditë dhe ato momente. Mall, të cilin ky qëndrim i Imam Ibën Kajimit, ma rilindi, por edhe më freskoi.

Më dha shpresë, se me të gjithë ata që jam ndarë për shkak të qëndrimeve, ndodhive, vet jetës, kufijve, angazhimeve, e pengesave tjera, do të futemi së bashku në Xhennet. Ah! Mjerë ai shpirtë që nuk ka këtë mallëngjim për shoqërinë me të cilët ka kaluar ditët dhe vitet më mira të jetës, kohëra të vështira por shumë produktive, kohëra kur guximin e kishim udhëheqës të veprimeve tona, kurse pasionin pas diturisë nevojë të cilën e ndjenim më shumë se i urituri për bukë e për ujë.

Këtë mall që ma ngjalli ky citat i këtij Imamit të madh, dhe ma rehatoi, lus Allahun të mbetet i gjallë përherë me ne dhe të bëhemi në Xhennet:

إِخْوَاناً عَلَى سُرُرٍ مُتَقَابِلِينَ (47)

“…. e ata në kolltukë qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar”. (el-HIxhër: 47).

Allahumme Amin!

Hoxhë Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit