Universitetet flamane nuk do të nisin më bashkëpunime të reja me partnerë izraelitë të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, njoftoi të premten Këshilli Ndëruniversitar Flamand (VLIR). Ky vendim vjen pas publikimit të një letre të hapur në mes të janarit, të nënshkruar nga afro 6700 studentë dhe anëtarë të stafit, duke i nxitur universitetet të ndërpresin lidhjet akademike me Izraelin për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Gaza dhe pushtimit të territoreve palestineze.
Ndër nënshkruesit ishin 32 dekanë fakultetesh, 1279 profesorë, 1574 studiues, 657 anëtarë të stafit administrativ dhe teknik dhe 3343 studentë. Disa personalitete me doktorata nderi nga universitete të ndryshme gjithashtu e mbështetën thirrjen për bojkot. Ndër ta ishin producenti televiziv dhe gazetari i luftës Rudi Vranckx, aktivistja për klimën Greta Thunberg, muzikanti Brian Eno dhe regjisori Ish Ait Hamou.
Shqyrtim rast pas rasti
Universitetet flamane tani kanë vendosur të mos nisin bashkëpunime të reja akademike me partnerë izraelitë të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Shqyrtimi i të drejtave të njeriut nga VLIR, i zhvilluar nga ekspertë në vitin 2019, po zbatohet në mënyrë rigoroze, përfshirë bashkëpunimet me partnerë kërkimorë izraelitë. “Projektet aktuale i janë nënshtruar një shqyrtimi shtesë të thelluar, rast pas rasti, në të gjitha universitetet, veçanërisht në dritën e ashpërsisë së konfliktit”, deklaroi Këshilli Ndëruniversitar Flamand.
Këshilli homolog frankofon i VLIR, Këshilli i Rektores dhe Rektorëve (Cref), kishte marrë gjithashtu një qëndrim ndaj letrës së hapur më 21 janar përmes një komunikate, duke theksuar se “nuk e kishte pritur këtë ndërhyrje për të reaguar”. Cref theksoi dënimin e tij për “të gjitha sulmet ose shkatërrimet sistematike të institucioneve arsimore palestineze” dhe u zotua të “pezullojë bashkëpunimet institucionale me organizatat, pavarësisht origjinës së tyre, që mbështesin në mënyrë të përsëritur ose janë të përfshira drejtpërdrejt në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut”, pa specifikuar ende se cilat organizata janë në shënjestër.
Këshilli gjithashtu raportoi se vitin e kaluar kishte bërë dy ndërhyrje pranë Komisionit Evropian për “t’ia kujtuar përgjegjësitë e tij” dhe për “ta nxitur të ofrojë udhëzime të qarta mbi shqyrtimin e projekteve evropiane me partnerë izraelitë”. Po ashtu, po shqyrtohet një veprim gjyqësor në bashkëpunim me VLIR për të marrë një përgjigje të qartë nga Komisioni Evropian.
Guerre au Proche-Orient : les universités flamandes décident de limiter leur coopération avec des partenaires israéliens
Source : RTBF
https://search.app/iS4F
Përktheu: Fehim Fejzullahu