9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Lufta për ndryshim është proces pa fund – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Kush mendon se betejat për ndryshim marrin fund me largimin e disave dhe ardhjen e disave të tjerë, nuk ka kuptuar asgjë nga feja dhe përvoja e profetëve në këtë drejtim.

Ndryshimi i së keqes nuk është një betejë kundra disa njerëzve të ligj për të fituar disa të tjerë më të mirë, jo, por është një luftë e vazhduar që nuk ndalet asnjëherë derisa të ketë jetë kjo botë.

Në botëvështrimin fetar procesi dhe lufta e vazhdueshme për ndryshim është më e rëndësishme sesa rezultati apo përfundimi. Dhe kjo sepse në këtë botë nuk mund të ketë kurrë një fitore përfundimtare ndaj vetë së keqes. Kështu që lufta në thelb nuk bëhet ndaj të këqijve, sepse ata do të ekzistojnë për aq kohë sa ekziston edhe vetë e keqja dhe askush nuk është imun prej saj. Edhe nga vetë radhët e atyre që dikur luftonin të keqen, do të dalin njerëz të këqij, kështu që lufta vazhdon pafundësisht.

Shumica e atyre që nuk e kanë kuptuar dhe brendësuar këtë koncept fetar do të thonë:

Çfarë vlere ka atëherë ndryshimi, kur ata që do të vijnë në krye janë po njëlloj apo më të këqij?!

Pse duhet të lodhemi për të hequr disa dhe për të sjellë disa të tjerë, kur edhe ata që do të vijnë supozohet se do të sillen po njëlloj?!

Ja do t’i shohim edhe ata që do të vijnë, sepse po njëlloj do të sillen edhe ata, si këta që janë tani!

Këto fjalë dhe kjo logjikë e ngushtë njerëzore nga dalin këto fjalë, tregon se këta njerëz nuk kuptojnë se e keqja nuk zhduket duke hequr ca të këqij e duke vënë ca më të mirë, por e keqja mbahet nën kontroll dhe e shtypur, por jo e vdekur, vetëm përmes luftës dhe përpjekjeve të vazhdueshme kundër saj, sa të ketë jetë kjo botë.

Urdhëresat e Zotit dhe shpërblimi i Tij nuk jepen për të zhvilluar një betejë përfundimtare ndaj të këqijve, ku me largimin e tyre do të merrte fund edhe vetë e keqja, jo, por obligimi i Allahut dhe shpërblimi i Tij lidhen me vetë luftën e pandërprerë ndaj së ligës, e cila nuk njeh përfundim në kohë dhe as kufizim në racë, gjini, sekt, apo individ që të jenë imun prej saj.

Musai (alejhi selam) ngadhënjeu ndaj Faraonit, por faraonë të tjerë erdhën pas tij. Muhamedi (alejhi salatu ue selam) ngadhënjeu ndaj Ebu Xhehlit dhe sojit të tij, por të tjerë të ligj u shfaqën pas tij. Kjo është jeta, e tillë është lufta ndaj së keqes, ajo nuk nis dhe përfundon me një përpjekje, një njeri apo një brez, ajo është një proces që duhet përballuar domosdoshmërish nga të gjithë njerëzit që do të jetojnë në këtë botë.

Ai që nuk e pranon këtë koncept dhe kërkon rehati përfundimtare në këtë botë dhe i duken lodhje pa dobi betejat e pafundme ndaj së keqes, ai është i vdekur i pa kallur, që ecën mbi tokë pa asnjë qëllim sublim në jetë. Me njerëz të tillë nuk vjen kurrë ndryshimi, sepse në fakt janë pikërisht këta ushtarët pasivë të së keqes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit