Letër nga Sufjan ibn Said (Thevri) drejtuar Abad ibn Abad

Më të lexuarat

Letër nga Sufjan ibn Said (Thevri) drejtuar Abad ibn Abad

E përmendi Ibn Ebi Hatim në biografinë e Sufjanit në parathënien e tij në “Xherh ve Tadil, vëllimi i parë, me zinxhirin e tij deri te Muhamed ibn Jusuf Ferjabi, i cili tha: Sufjan ibn Said i shkroi Abad ibn Abadit dhe tha:
“Prej Sufjan ibn Said për Abad ibn Abadin, paqja qoftë mbi ty. Me të vërtetë e lavdëroj tek ti Allahun, i Cili është Një dhe nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij.
E më pas: Unë të këshilloj që të kesh frikë Allahun, sepse nëse i frikësohesh Allahut të Lartësuar, Ai të mjafton nga njerëzit, por nëse u frikësohesh njerëzve, ata nuk do të të bëjnë dobi fare para Allahut.
Më kërkove të të shkruaj një letër ku të përshkruaj cilësi me të cilat të shoqërohesh me njerëzit e kohës sate, t’u japësh atyre të drejtat që kanë mbi ty dhe të kërkosh nga Allahu atë që është për ty. E ke kërkuar një çështje të madhe, vështirë që sot të gjesh dikë që e vështron këtë çështje apo që qëndron në të, madje nuk njoh askënd të tillë. E si mund të bëhet kjo kur koha është turbulluar? E vërteta dhe e kota janë bërë të ngatërruara, dhe nuk shpëton prej së keqes së saj veçse ai që lutet me lutjen e të mbyturit (në det). A e njeh ndokënd të tillë?
Dikur thuhej: “Afrohet një kohë kur syri i urtakut nuk do të gjejë çlodhje.”
Prandaj, kapu fort pas frikës ndaj Allahut të Lartësuar, përqafo vetminë, merre në përkujdesje vetveten dhe angazhohu me të, dhe gjej shoqëri e prehje në Librin e Allahut të Lartësuar.
Ruaju prej sundimtarëve.
Shko tek të varfrit dhe nevojtarët, dhe afroju atyre.
Nëse je në gjendje të urdhërosh në mirësi me butësi, atëherë nëse ta pranojnë, falëndero Allahun e Lartësuar, por nëse të refuzojnë, atëherë kthehu te vetja jote, sepse ti ke mjaft punë me të.
Ruaju pozitës dhe dashurisë për të, sepse heqja dorë prej saj është më e vështirë sesa heqja dorë nga dynjaja.
Më ka arritur lajmi se shokët e Muhamedit ﷺ kërkonin strehim prej frikës se mos e arrijnë këtë kohë, megjithëse ata kishin dije që ne nuk e kemi. E atëherë, çfarë të thuhet për ne që e kemi arritur këtë kohë me pak dije, pak kuptim, pak durim dhe pak ndihmës në të mirën, përveç turbullirës së kohës dhe prishjes së njerëzve?
Prandaj, përmbaju urdhrit të parë (që është frika ndaj Allahut) dhe kapu fort pas tij.
Qëndro i panjohur, sepse kjo është kohë në të cilën fshehtësia dhe të qenët i pavërejtur janë më të sigurt.
Qëndro në vetmi dhe pakëso shoqërimin me njerëzit, sepse Omer ibn Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:
“Ruhuni nga lakmia, sepse lakmia është varfëri, ndërsa heqja dorë është pasuri. Dhe në vetmi ka qetësi nga shoqëruesit e këqij.”
Dhe Said ibn Musejibi thoshte: “Vetmia është adhurim.”
Dikur njerëzit kur takoheshin përfitonin njëri prej tjetrit, ndërsa sot kjo ka humbur, sipas asaj që shohim, dhe shpëtimi është në lënien e tyre.
Ruhu nga sundimtarët dhe afrimi tek ata.
Mos i përziej me ta në asnjë çështje.
Ruhu të mos mashtrohesh dhe të thuhet: “Ndërmjetëso, që të hiqet padrejtësia nga i padrejtuari”, sepse kjo është një kurth i shejtanit, një hile e tij e hollë. Këtë rrugë e kanë shfrytëzuar mëkatarët nga radhët e lexuesve të Kuranit si një shkallë për të arritur qëllimet dhe interesat e tyre.
Dhe thuhej: “Sprova e adhuruesit injorant dhe sprova e dijetarit mëkatar, sprovimi i tyre është sprovë për çdo të sprovuar.”
Nëse je i përmbajtur nga pyetjet dhe fetvatë, atëherë përfito prej kësaj dhe mos u bëj konkurrues ndaj atyre që e kërkojnë këtë pozitë.
Ruhu të mos jesh prej atyre që duan që të veprohet sipas fjalës së tyre, që të përhapet fjala e tyre ose që të dëgjohet prej tyre.
Ruhu nga dashuria për udhëheqje, sepse ka njerëz të cilëve udhëheqja u është më e dashur sesa ari e argjendi, dhe kjo është derë e fshehur që nuk e sheh veçse dijetari i kthjellët.
Ruhu nga syefaqësia, sepse syefaqësia është më e fshehtë se ecja e milingonës. Dhe Hudhejfe tha: “Do të vijë mbi njerëzit një kohë kur t’i paraqitet njeriut e mira dhe e keqja, e ai nuk do të dijë cilën të ndjekë.”
Dhe është përmendur nga i Dërguari i Allahut ﷺ që ka thënë: “Dora e Allahut të Lartësuar do të vazhdojë të jetë mbi këtë umet, nën mbrojtjen dhe kujdesin e Tij, përderisa lexuesit (e Kuranit) të saj nuk anonin drejt sundimtarëve, të mirët e tyre të mos i nderonin të këqijtë, dhe të devotshmit e tyre të mos madhëronin mëkatarët e tyre. E kur ta bëjnë këtë, Ai do ta largojë atë (mbrojtjen) prej tyre, do të hedhë frikë në zemrat e tyre, do t’u zbresë varfëri dhe do t’u vërë mbi ta tiranët e tyre, të cilët do t’u bëjnë vuajtje të rënda.”
“Kur të ndodhë kjo, nuk do t’u vijë ndonjë sprovë prej së cilës të bërtasin nga dhembja, veçse do t’ua pasojë një tjetër që do t’i shpërqendrojë prej asaj së parës.”
Prandaj, le të jetë vdekja shqetësimi yt kryesor dhe mendimi yt i vazhdueshëm.
Pakësoje shpresën dhe shtoje përmendjen e vdekjes, sepse nëse e përmend shpesh vdekjen, dynjaja dhe çështjet e saj bëhen më të lehta për ty.
Dhe Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Përmendeni shpesh vdekjen, sepse nëse e përmendni në një gjendje të bollëkut, ajo e pakëson atë; e nëse e përmendni në një gjendje të varfërisë, ajo e shton atë. Dhe ta dini se do të vijë një kohë kur njeriu do ta dëshirojë vdekjen.”
Na mbrojtë Allahu neve dhe ty nga shkatërrimet dhe na udhzoftë neve dhe ty në rrugën e bindjes.

Përktheu: Fitim Gërguri
06.08.2025
Bardh i Madh

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit