9.7 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Letër mikeshës sime

Më të lexuarat

KIM MEHMETI

E dashur,

Doja të të shkruaja për atë që mësova nga leximi i mijëra librave, si dhe të ta shpalos shkurtimisht atë që doja ta thosha nëpërmjet mijëra faqeve që kam shkruar e botuar. U habita kur pashë se tërë atë që di dhe që kam dashur ta them, mund ta përfshij në këto pak faqe dhe në disa prej thënieve të mëposhtme.

– Të bësh çmos që të mos plakesh qysh në rini!

– Njeriu duhet të mësojë të jetë i kënaqur me atë që ka dhe atë që është, sepse vetëm kështu mund të arrijë edhe atë që ëndërron!

– Të mençur janë vetëm ata, që e kanë kuptuar se sa i përket diturisë, njeriu ndahet nga kjo botë duke marrë me vete aq urtësi, sa merr ujë notuesi në oqeanin e paskajshëm: vetëm ato pak pika që i janë ngjitur në trup gjatë notimit!

– Kurrë mos bë veprime i prirë vetëm nga dëshira që të jesh i pëlqyer nga të tjerët, por bë atë që ua ke borxh të dashurve të tu dhe vetvetes, atë që nëse jo të mira, të tjerëve nuk do t’u sjellë asnjë të keqe, bë pra vepra nga të cilat, nëse nuk do kesh pse të mburresh, mjafton të mos kesh asnjë arsye pse të turpërohesh nga ato! Më në fund, njeriu vlen vetëm aq sa do mundet gjatë jetës të mbetet i tillë siç i pëlqen vetvetja, e jo i atillë siç do e pëlqenin të tjerët!

– Në thellësinë e tyre, ditët festive përmbajnë Lumturi-Dhembje: lumturinë që na dhurojnë të dashurit tanë, që i kemi shëndoshë e mirë pranë vetes si dhe dhembjen, që e ndiejmë për gjithë ata që na mungojnë dhe për njerëzit me kalendar jetësorë pa ditë festive!

– Njeriun nuk e lë pa gjumë ajo që e dinë të tjerët për të, por gjërat që i fsheh nga bota dhe jeton me frikën se ato një ditë do të mund të zbulohen!

– Urtësi, mbi të gjitha të tjerat, është të kuptosh se që nga dita e lindjes e tutje, ti nuk i takon vetëm vetvetes! Se është mjeshtri që jashtë njerëzve të gjakut tënd familjar, të gjesh ata, të cilët me vetëdëshirë do t’i shpallësh pronarë të një pjese tënden dhe të vdesësh me bindjen se nuk ke bërë zgjedhje të gabuar! Kjo është ajo përmbajtje që dëshmon se ke jetuar mrekullinë tënde, se i je përmbajtur mitologjisë vetjake, ku më e rëndësishme është kaptina me mbititull: ‘Mos e merr nga të tjerët me dhunë atë që ata nuk duan të ta japin dhe mos ua jep atë që ata nuk dinë ta vlerësojnë!’

– Thonë se jeta është rrugicë që të çon te vdekja, ndërkaq vdekja është vendshkarkim i vuajtjeve jetësore. Ndërkohë duhet shtuar se këtë rrugë, dikush e ec me përulësinë e të pikëlluarit pse s’do vdesë me pastërtinë e të palindurit fare, e dikush me kryelartësinë e atij që nuk e ka kuptuar se rrugëtimi drejt vdekjes ka vetëm një kuptim – ta arsyetojë lindjen! Më në fund, nga mënyra si kemi ecur drejt fundit të jetës, ne e përcaktojmë se cili e ka arsyetuar lindjen dhe ka vdekur, e cili ka ‘ngordhur’.

– Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit!

– Nuk ka rrugë të patejkalueshme dhe të gabuara, por ka udhëtarë, të cilët, në vend se udhës që do t’i çojë drejt arritjes së paqes me vetveten, nisen shtigjeve që do t’u ofrojnë zilinë dhe lëvdatat e të tjerëve!

– Komunistët e dikurshëm ishin të dehur nga ideologjia, andaj donin ta ‘vrisnin’ Zotin! Ndërkaq, ‘hajdutokratët dhe tenderokratët’ e sotëm, të verbëruar nga ngjyra e parasë, i ‘vrasin’ vlerat më fisnike njerëzore!

– Të padjallëzuarit dhe ëndërrimtarët janë gjahu më i lehtë dhe më i dëshiruar i intrigantëve dhe i varrtarëve të ëndrrave. Kur je injorant dhe i pavlerë, si dhe kur ‘lavdinë’ e djeshme e përdor si ‘kartë kredie’ për ta mbuluar hajninë dhe për ta blerë të sotmen politike, herdo-kurdo ‘kartela’ të zbrazet dhe përballesh me të vërtetën se nuk ka pasuri apo pushtet, që ta mbulon ‘varfërinë’ morale dhe njerëzore!

– Më e keqe se varfëria është mallkimi që u takon atyre, të cilët, duke i ikur skamës, shkelin mbi burrërinë e vet dhe pranojnë që fëmijët t’i ushqejnë me fatkeqësinë e të tjerëve!

– Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri! Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!

– Kjo botë nuk do ishte e njerëzishme as kaq sa është, sikur të mos kishte ëndërrimtarë që nuk i tradhtojnë ëndrrat e tyre e që i mbajnë gjallë iluzionet! Andaj, ia vlen t’i mbetesh besnik ëndrrës edhe kur e di se ajo është gënjeshtare, por shumë, shumë njerëzore!

– Njeriu i paarsimuar sheh qartë vetëm vetveten dhe gjërat rreth tij, gjysmë i arsimuari nuk e sheh vetëm atë që shikon, por edhe hijet që i duken se ecin pranë tij, ndërsa i arsimuari i mirëfilltë nuk e lodhshikimin me gjërat që ka pranë vetes, por do t’i shohë largësitë, jeton me bindjen se gjithmonë do mbetet vetëm një nxënës që duhet të mësojë.

– Përmendorja e lavdisë nuk ndërtohet me para nga kuleta e hajnisë!

– Burri nuk vdes kur jep shpirt, por atë ditë kur fillon të mos turpërohet nga asgjë!

– Nëse votuesit shqiptarë do e kishin më të zhvilluar guximin sesa nënshtrimin, atëherë edhe politikanët tanë do i kushtonin më shumë rëndësi ndershmërisë sesa hajnisë!

– Si dje, edhe sot e nesër duhet të vazhdojmë t’i ëndërrojmë të gjitha ato që duam të na ndodhin, por duke e ditur se jetën e meritojnë dhe denjësisht e jetojnë vetëm ata që e kanë kuptuar se, sikur jeta të mbushej vetëm nga ato që dëshirojmë, atëherë do shembeshin dy shtyllat më të rëndësishme, që atë e mbajnë në këmbë – ëndrrat e shpresat!

– Botuesit dhe shkrimtarët tanë vazhdojnë të japin shpjegime nga më të ndryshmet pse bie lexueshmëria dhe shitja e librit. E në të vërtetë, çdo gjë është shumë më e thjeshtë e më e dukshme seç e thonë ata: në “Shqipëritë” tona, më lirë të kushton ta blesh një diplomë, sesa një libër!

– Është e njohur thënia se, vetëm gjatë rinisë njeriu jeton me fytyrën që ia ka dhënë Zoti! Dhe se gjatë jetës së mëtejme, njeriu vetë e zgjedh fytyrën që do ta ketë. Pra, njeriu lind e rritet me fytyrën që ia ka dhënë Zoti, por plaket e vdes me fytyrën që e ka zgjedhur për vetveten: me atë të turpit apo atë të njerëzores!

– Je më i mbrojtur, më i sigurt e më i pëlqyer kur mban anën e të pushtetshmit dhe kur ke mik të fortin, të pasurin e të famshmin! Por, miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit, është pasqyrë ku shihet dobësia e individit! Kështu që, kanë qenë e do mbeten të fortë e të njerëzishëm vetëm ata që e mbrojnë, e ndihmojnë dhe janë në anën e të dobëtit, të dëmtuarit dhe skamnorit!

– Të kërkosh nga politikanët shqiptarë besnikëri dhe mbajtje të fjalës së dhënë, është njësoj si të kërkosh ndërgjegje nga ai që nuk ka turp!

– Mitet janë si stoli vezulluese dhe të shtrenjta, jo gjithmonë të bëra prej metali të çmuar, por çdoherë të lara në ujë prej ari. Pra, brendia e të vërtetave për ta është e mbështjellë edhe me gënjeshtra joshëse, që e kanë mirëmbajtur boshtin kurrizor, si dhe dinjitetin dhe krenarinë e pjesëtarëve të një etnie apo të një feje. Të këtilla janë edhe mitet tona shqiptare, përfshi edhe atë për Skënderbeun, që ka jetuar e luftuar në kohë kur janë bërë luftëra fetare e jo etnike, e për nënën e të cilit debatohet këto ditë. Dhe ndaj miteve duhet të sillemi si pronari i stolisë së shtrenjtë të praruar: duke e pastruar kujdesshëm atë, që të mos e gërvishtim, ngaqë do mund edhe të ndryshket! Edhe atë, jo gjithaq pse do e dëmtojmë stolinë (lexo: mitin), por pse kështu do mund ta dëshpërojmë pronarin, që e ka ruajtur atë si diçka më të shtrenjtë që ka pasur dhe me të cilën është stolisur në ditë kremteje!

– Më mirë është një ditë ta jetosh si luan, sesa tërë jetën ta kalosh i fshehur në birën e miut!

– Nuk është e thënë më kot: sa më i vogël është një popull, aq më të gjatë e ka himnin dhe aq më të larta i ka përmendoret! Kësaj thënieje i duhet shtuar: sa më i vogël është një popull, aq më të shumtë i ka heronjtë dhe më të begatë e ka historinë, ku i përshkruan të këqijat që ia kanë bërë armiqtë!

– Shpesh dëgjoj pyetjen: pse politikanët shqiptarë, edhe pse vëllezër të një gjaku etnik, janë aq grindavecë e mosbashkëpunues mes veti, e në ndërkohë, të kujdesshëm dhe të mirësjellshëm ndaj kolegëve të tyre të huaj?! Shpjegimi është shumë i thjeshtë: ata janë vëllezër për nga përkatësia etnike, por kuletat e tyre që i mbushin me hajni, nuk janë motra!

– Më lehtë e ke gjithë qentë t’i mësosh të urinojnë tek e njëjta pemë, sesa politikanët shqiptarë t’i ulësh bashkërisht rreth së njëjtës tavolinë të bisedimeve!

– E di se demokraci është edhe kur dy kokëzbrazur, kriminelë dhe të pafytyrë e mbivotojnë një të ditur e të ndershëm, por kjo ende nuk do të thotë se injoranca, krimi dhe pafytyrësia janë vlera civilizuese e njerëzore!

– Dikur shqiptaria mbështetej mbi parimin e fisëm dhe bujar, se turpin e burrit nuk e mban toka e atë të gruas nuk e mbulon as dheu! Sot, thuajse shumëçka ka marrë kahe të kundërta dhe herë- herë, kam përshtypjen se kemi filluar t’i nënshtrohemi rregullit se, paturpësia e burrit mund ta sundojë tokën e ajo e gruas mundta zbukurojë dheun!

– Është e vështirë ta përcaktosh saktë se sa të peshojnë të tjerët!

*Letra i drejtohet gazetares dhe kritikes së librit, Alda Bardhylit

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit