4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Leonardo Fibonacci, nxënësi i arabëve që më vonë i mësoj Oksidentit numrimin arab dhe shkencat e matematikës

Më të lexuarat

Një tregtar mëson Oksidentin

Leonardi lindi në Pizë, në vitin 1180. Në këtë qytet të themeluar nga etruskët në grykëderdhjen e lumit Arno banonte një popullsi shumë e larmishme.

Romakët, gotët, lombardët dhe frankët nuk janë të vetmit që kanë lënë aty gjurmën e dominimit të tyre. Një murg i shekullit XII do të mallkonte “përbindëshat paganë” të ardhur nga deti, turqit, libianët, partët dhe kaldeasit e ndyrë – siç parapëlqehej të paraqiteshin arabët – që endeshin nëpër rrugët e Pizës duke i dhënë qytetit një pamje të egër e të dhunshme si të Gorgonës.

Gjatë betejave të tij kundër arabëve të Sardenjës dhe Siçilisë, ky port i vogël i lashtë peshkimi kishte fituar fuqi dhe pasuri. Dhe tani Piza nxirrte përfitime nga forca tërheqëse e Tokës së Shenjtë, drejt së cilës vërsulej një turmë me motive pak a shumë të shenjta. Piza do të angazhohej vendosmërisht në tregtinë më fitimprurëse të transportit të të gjitha kohërave, ajo do të organizonte tregtinë mes Lindjes dhe Perëndimit, do të kolonizonte qyetet bregdetare me pozicion gjeografik të favorshëm dhe do të vendoste fondukët e saj përgjatë gjithë bregut të Mesdheut që nga Konstandinopoja e deri në Bougie e Ceuta, duke kaluar nga Tiri dhe Aleksandria.

I ati i Leonardit drejtonte komptuarin që Piza kishte ngulur në Bougie në bregun algjerian. Mbiemri i tij i familjes nuk do t’u përcillej brezave pasardhës dhe ne njohim vetëm nofkën e tij: Bonaccio, “i miri” dhe kjo për arsye se në veprën e tij më të famshme, Liber abaci, i biri, Leonardi paraqitet kështu: “Leonardus filius Bonacci”. Dhe së këtejmi e ka zanafillën një shtrembërim i mëtejshëm: Leonardo Fibonacci, mbiemri me të cilin pizani i madh ka hyrë në Histori.

Si sekretar i doganës dhe në sajë të marrëdhënieve të tij të qëndrueshme me tregtarët e lëkurave dhe peliçeve sahariane e magrebiane, i ati i Leonardit do të gjente sa keq aq edhe mirë nga metoda e shkrimit dhe llogaritjes së kolegëve të tij arabë të zyrës së të drejtave detare. Një mëngjes herët, ai thirri të birin, Leonardin, atëherë në moshë shumë të njomë por me një talent çuditërisht të parakohshëm. Kuptohet që ky ishte destinuar të përfshihej në ndonjë sipërmarrje tregtare fitimprurëse. Kështu, Bonaccio e çoi të birin të shkollohej tek një profesör arab i aritmetikës. Llogaritja me anë të shifrave indiane do ta ngazëllente menjëherë djaloshin Leonard, të cilit ajo i hapte mundësi, për ekzistencën e të cilave ai as që kishte ëndërruar.

E çfarë mund të bëhet me shifrat romake? E shumta ca mbledhje e zbritje! Por veprimet me to ishin sa të ndërlikuara aq edhe të kufizuara, ndërkohë që metodat e arabëve ishin sa praktike aq edhe të larmishme! Shumë shpejt, Leonardi do të mësonte të shumëzonte e pjestonte, tamam si indianët. Dhe jo vetëm numra të plotë, por madje edhe “fraksione”, thyesa (fraksion – nga arabishtja kasr, kasara që d.t.th. ndaj). Pikërisht me këtë emër do ta përcakonte raportin mes dy numrave mësuesi i tij sidi Omar. Ky do t’i mësonte nxënësit të tij të vëmendshëm se që prej pak kohësh eruditët e shkollave të mëdha të Bagdadit dhe Mosulit kishin filluar t’i ndanin dy numrat e vendosur njëri mbi tjetrin me anë të një vije horizontale, domethënë vijës së thyesës. Leonardi do të mësonte llogaritjen e fuqive, nxjerrjen e rrënjëve, si dhe mënyrën e zgjidhjes së ekuacioneve me një, dy, tri a më shumë të panjohura, ekuacionet diferenciale dhe integrate të shkallës së dytë e madje edhe të tretë, sipas mënyrës së paraqitur nga Ebu Kamili, Omar Khajami, Ibn Sina, el-Biruni dhe el-Karaxhi. Ndërkohë që bashkëmoshatarët e tij luanin luftash nëpër rrugë e rrugica dhe zbaviteshin mes arsenaleve e magazinave, Leonardi luante me numrat.

Pasioni i tij i parakohshëm për këtë lojë magjepsëse do ta pushtonte të tërin, ndërkohë që nga ana e tij, i ati përpiqej t’i mësonte zanatin e tregtarit. Ky pasion do ta shoqëronte në udhëtimet tregtare në Egjipt, Siri, Greqi, Siçili dhe Spanjë. Në Tir dhe Korint, në Ceuta dhe Tunizi ai do të vendosej në komptuar e do të mbikëqyrte së afërmi partnerët e tij. Ai do të gërmonte bibliotekat e Aleksandrisë dhe Damaskut. Në Kajro do të diskutonte me eruditët e Oborrit. Gjithnjë i përfshirë nga pasioni i tij për matematikën, ai përpinte gjithçka që dorëshkrimet e lashta dhe praktika e tregtisë mund t’i mësonin mbi llogaritjen greke, indiane, apo arabe.

“Në mënyrë që populli latin të mos jetë më i paditur në këtë fushë”, ky djalosh njëzet e tre vjeç do të shkruante në latinisht veprën që do t’i jepte famën: Liber abaci. “Çfarë vepre!” shprehet historiani i matematikës Moritz Cantor pasi kishte kuptuar vlerën e jashtëzakonshme shkencore të këtij traktati vëllimor. “Njohim një numër të konsiderueshëm veprash të mëparshme në gjuhë të ndryshme, por ç’kanë ato të përbashkët me këtë? Lind pyetja se çfarë duhet admiruar më shumë: fakti që kjo vepër ka mundur të shkruhet në fillim të shekullit XIII apo kuptimi, provë e të cilit ishte rëndësia që i jepte asaj Oborri perandorak.”

Dhe nuk ka asgjë për t’u çuditur në faktin se një vepër që do të bëhej e famshme do të tërhiqte vëmendjen e Frederikut II, perandor të Hohenstaufen, i cili që në rininë e hershme do të interesohej me pasion për matematikën dhe shkencat natyrore arabe. Kur në vitin 1228 doli botimi i dytë i këtij libri, që pati një sukses të jashtëzakonshëm – botim kushtuar Michael Scotus-it, filosof me ndikim arab i Oborrit të perandorit, do të shohim që Leonardi do të krijonte marrëdhënie të ngushta me Frederikun. Ky do ta ftonte herë pas here të qëndronte në Oborrin e tij dhe tezat e tij do të bëheshin objekt diskutimesh të zjarrta në tryezën e perandorit.

Që në vitin 1220, viti i kurorëzimit të perandorit të Hohenstaufen, Leonardi, me kërkesë të Dominicus Hispanus, astrolog i Oborrit, kishte shkruar një Praktikë të gjeometrisë, vepër që i kishte ndezur perandorit, të sapombërritur nga Gjermania, dëshirën për ta njohur këtë njeri kaq të shquar.

Pedanti Gjon i Palermos, fîlosof i Oborrit, do të përgatiste me shumë kujdes pritjen në pallatin mbretëror të Pizës. Ai kishte lexuar me një vëmendje të skajshme veprat e Leonardit, por njohuritë e tij mbi matematikën s’mjaftonin për t’i lejuar të kuptonte përmasat e vërteta të talentit të birit të lavdishëm të Pizës. Megjithatë, ai njihte një arab mes eruditëve të Oborrit: Teodorin e Antiokisë që kishte studiuar në Mosul, pranë të famshmit Kemal ed-Din ibn Junus, veprat e matematikanëve arabë. Mirëpo, i tërhequr nga fama e “mbretit të frankëve Imberour” (perandor), për të cilin arabët ushqenin respekt të madh, ai ishte larguar nga Orienti për të ndjekur në kthimin e tij në Oborrin e Pizës njërin prej të dërguarve të Frederikut II. Së bashku me sovranin e tyre perandorak, Gjoni i Palermos dhe Teodori i Antiokisë zgjidhnin problemet që do t’i parashtronin kandidatit gjenial, në mënyrë që të vërtetonin talentin e tij para Madhërisë së Tij. Kështu ata kishin hartuar një listë problemash shumë të ndërlikuara.

“Provimi” do të rezultonte një triumf i vërtetë, i paparë për Leonardin. Të pranishmit do të konstatonin me habi talentin e mrekullueshëm me të çilin i biri i tregtarit të Pizës zgjidhte problemat, gjë që për ata vetë ishte e pamundur. Vetëm perandori dhe Teodori (nxënës i Ibn Junusit, që njihte me themel veprat e Farabiut, Ibn Sinës, Euklidit, dhe Almagestin e Ptolemeut) do të kuptonin deri në ç’pikë i kishte tejkaluar Leonardi veprat e grekëve dhe arabëve.

Në dy veprat e tij mbi matematikën, vetë Leonardi do të shkruante për këtë takim të parë dhe të paharrueshëm me “perandorin dhe zotërinë” e tij. Aty ai citon të dhënat e problemave dhe tregon mënyrat në të cilat i ka zgjidhur. Mirëpo, pavarësisht nga kjo, edhe sot e kësaj dite, në disa raste nuk është arritur të ndiqet vija e mendimit të tij për të mbërritur në disa zgjidhje, saktësia e të cilave ende i mrekullon matematikanët e sotëm. “Pasi kemi hartuar një ushtrim të zgjidhur mbi abakën e Leonardit, besuam se kemi të drejtë të shprehim admirimin tonë – shkruan historiani Kantor, zakonisht shumë i kursyer në lëvdata. Por më pas arritëm deri aty sa të bëhemi pishman, sepse pasi mësuam për dy veprat e tij të reja, nuk arritëm të gjenim fjalët e duhura për ta përgëzuar autorin etyre.”

Në një letër dërguar perandorit, ku falenderonte për pritjen që i ishte bërë në pallatin perandorak të Pizës, Leonardi shkruante: “Në prani të Madhërisë Suaj, i lavdishmi princ Frederik, unë dhe filosofi juaj, Gjoni i Palermos, kemi diskutuar gjatë në lidhje me vetitë e shifrave.”

Kapitulli i parë i veprës së tij vëllimore Liber abaci bën fjalë për shifrat, që i kishte mësuar mësuesi i tij arab, përdorimin e të cilave ai e kishte përvetësuar gjatë udhëtimeve të tij të gjata tregtare.

“Nëntë shifrat numerike të indianëve janë si më poshtë: 987654321

“Me anë të këtyre nëntë shifrave dhe shenjës 0, që në arabisht quhet sifr, mund të shkruajmë çfarëdo numri.”

Rendi në të cilin janë vendosur shifrat na çudit: radha e numrave nis me numrin 9 dhe përfundon me numrin 1. Për ne, sigurisht! Por Leonardi i lexonte nga ana tjetër. Ashtu si arabët, ai e kishte zakon të vendoste madje edhe numrin e plotë të një thyese në të djathtë të thyesës, prandaj, thyesën një e gjysëm ai e shkruante 1/2. Ashtu siç ia kishte mësuar profesori në rininë e tij që shifrat t’i shkruante në mënyrën arabe, domethënë nga e djathta në të majtë, në këtë rend do t’ia mësonte edhe Leonardi Oksidentit të etur për të mësuar numërimin e ri “me këtë shenjë 0, që në arabisht quhet sifrf”.

Çfarë quhet sifr në arabisht?

Historia e kësaj fjale meriton ndalesë tek shpjegimi i saj, sepse përfundon me një term, të çilin ne e përdorim edhe sot, pa ia ditur kuptimin e vërtetë, fjalën shifër.

Indianët kishin 0, rrethin, që simbolizonte mungesën e vlerës, asgjënë dhe që quhej sunya (zbrazëtirë). Kur arabët e mësuan këtë shenjë dhe kuptimin e saj, ata e përkthyen fjalëpërfjalë: fjala arabe es-sifr ka kuptimin “zbrazëtira”. Por Leonardi, nxënës i arabëve, të cilëve ua detyronte dijen e tij të shtrenjtë nuk e përktheu, ashtu siç kishte bërë me numërimin nga e djathta në të majtë të arabëve në shkrimin nga e majta në të djathtë të oksidentalëve. Ai e përvetësoi fjalën arabe duke u mjaftuar me latinizimin e saj në formën cephirum. Dhe në fakt, në tekstin latinisht, ai do të shkruante: “Cum hoc signo 0, quod arabice cephirum appellatur.”

Në Itali, cephirum i veprës së Leonardit u bë zefero dhe më në fund zero, ashtu si livra u kthye në lira. Në Francë ajo u bë “chiffre”, fjalë që shumë shpejt mori kuptimin e shkronjës sekrete që do të mbijetonte në fjalën “chiffrer”; ky keqkuptim lindi nevojën e huazimit të zeros italiane. Kur u transportuan në Angli ato u bënë cipher dhe zero. Ndërsa në Gjermani: ziffer.

Fillimisht, vetëm shenja 0 ishte “shifra”. Për njeriun e pashkolluar që nuk bënte llogari me shkrim dhe i njihte shenjat e reja vetëm me të dëgjuar, “shifra” – anëtare krejtësisht enigmatike e kësaj shoqërie të huaj shenjash, që për më tepër nuk ishte as numër, por “asgjë” – u bë me një fjalë simboli i shenjave të huaja. Që në shekullin XIV, dhjetë shenjat numerike arabe quheshin me emrin “shifra”, përgjithësim që, siç do ta shohim, në Francë përkthehej me fjalën “chiffre”, në Angli me fjalën “cipher”, nga ku lindi edhe nevoja që në këto vende të importohej fjala italiane zero për të emërtuar 0-n.

Ky interpretim aspak i këndshëm, që krijoi më tepër turbullim se ç’kishin shkaktuar të sapoardhurit misteriozë, u bë gogoli i njerëzve të shkencës. “Ndonëse, logjikisht, vetëm shenja e dhjetë duhet të quhet ‘shifër’ – 0 e famshme – ndërsa të tjerat ‘numra’, shprehet i indinjuar autori i një vepre diturie të botuar më 1356, të dhjetë shenjat quhen ‘shifra’ nga njerëzit e pashkolluar. E megjithatë, nëntë shenjat janë numra!”

Dhe kështu, në Gjermani, 0 u quajt me emrin nulla fıgura (asnjë shenjë). E ndërsa, duke u bërë qëndresë eruditëve “populli i thjeshtë dembel vazhdon t’i quajë shifra nëntë shenjat që kanë një vlerë”, shenja e dhjetë së cilës me të drejtë i përket fjala shifër, sa vinte e shndërrohej dhe nga nulla figura do të bëhej nulla dhe më në fund null.

DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke

Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit