Dikur një vend i gjallë në Damask, lagja Arbin tani qëndron si një grumbull rrënojash pas viteve të bombardimeve nga forcat e regjimit, raporton Anadolu.
Lagja Arbin, e cila është pjesë e Gutës Lindore, midis viteve 2012 dhe 2018 mbeti nën rrethim dhe jashtë kontrollit të regjimit, duke duruar sulme të pamëshirshme ajrore dhe artilerie.

Pas valës së sulmeve, rrënojat nga ndërtesat e shkatërruara u mblodhën dhe u zhvendosën në qendër të qytetit, duke formuar një kodër artificiale thuajse sa një ndërtesë 5-katëshe në vendin ku dikur ndodhej një fushë lojërash për fëmijë.
Banorët e përshkruajnë grumbullimin gjigant si një “varr masiv kujtimesh”, që përmban fragmente të shtëpive, sendeve dhe jetëve të humbura gjatë luftës.

“Rrënojat nuk janë tokë e zakonshme, por kujtime të familjeve tona, pemishteve tona dhe shtëpive tona”, tha banori Ahmad al-Sheikh Hassan.
Muhammad Darwish, një banor tjetër i lagjes, tha se vendi është bërë “një varr kolektiv për shtëpitë dhe jetët e njerëzve”, duke simbolizuar shkatërrimin që fshiu lagje dhe breza të tërë.
Siria po punon për të ringjallur ekonominë e vendit duke tërhequr investitorë dhe duke nënshkruar marrëveshje tregtare me shtete dhe kompani rajonale pasi Bashar al-Asadi u arratis në Rusi në fund të vitit 2024, duke i dhënë fund sundimit të Partisë Bath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.
