19.8 C
Pristina
Thursday, May 30, 2024

Ky është fjalimi i parë i Bilall Kasamit nga Foltorja e Kuvendit të Maqedonisë (VIDEO)

Më të lexuarat

Më poshtë ua sjellim të transkriptuar fjalimin e kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, nga Foltorja e Kuvendit të Maqedonisë:
“Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të respektuar përfaqësues të shteteve mike,

Sot po ju drejtohem i vetëdijshëm se unë dhe bashkëpartiakët e mi jemi më shumë njerëz të veprimit sesa të foltoreve dhe fjalimeve. Po ju drejtohem në emër të gjithë atyre që ende besojnë se të bësh politikë sot në Maqedoni nuk nënkupton një veprimtari ku ndërthuren intrigat dhe josinqeriteti. Mund ta interpretoni si të doni, por unë jam në politikë sepse i takoj brezit të politikanëve që vazhdojnë të besojnë se në politikë megjithatë duhet të ketë moral dhe ndershmëri.

E ndjej për detyrim që sot t’ju drejtohem në emër të asaj gjenerate politikanësh që janë pjesë e Lëvizjes BESA e të cilët duan të rikthejnë disa vlera në politikëbërjen në Maqedoni, ngaqë është trishtuese kur dëgjon se të kërkosh nga politikanët e sotshëm ndershmëri është njëjtë si të kërkosh ndërgjegje nga ata që nuk turpërohen nga asgjë. Pra, unë drejtoj një subjekt politik që ka për qëllim ta kthejë përgjegjësinë dhe maturinë në politikë.

Andaj, nga ky këndvështrim, shtroj pyetjen se pse neve na ndodhë që Maqedoninë çdo 10 vite ta ndërtojmë nga e para? Si është e mundur që edhe 27 vite pas pavarësisë së shtetin tonë ne të vazhdojmë të merrmi me të njëjtat çështje me të cilat merreshim në vitet e para të shtetndërtimit, që kryesisht kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike?
Më duhet të konstatoj me keqardhje se përballja me kriza periodike na ndodh ngaqë gjatë së kaluarën udhëheqësit shtetërorë më shumë u preokupuan me atë se si duhet ta ndajnë pushtetin, por jo edhe aq sa duhet për atë që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët – si do të duhej ndërtuar shteti.

Thënë më saktë: më shumë se dy dekada Maqedonia ndërtohet sipas logjikës se pronarë të saj janë vetëm populli shtetformues – maqedonasit, ndërsa etnitë e tjera duhet vetëm të jenë asistentë të zellshëm. Kjo situatë, fatkeqësisht, prodhoi koalicione qeverisëse ku sunduesit maqedonas e drejtonin shtetin, ndërsa vasalët shqiptarë duhej t’i mbanin nën kontroll shqiptarët. Kjo ndikoi që Maqedonia të shndërrohet në shtet të maqedonasve dhe të qytetarëve të tjerë. Dhe, si e tillë, Maqedonia interes parësor e kishte dhe vazhdon ta ketë interesit e etnitetit maqedonas, ndërsa interesat e të tjerëve klasifikohen në grupimin e interesave qytetare, standarde këto të dyfishta që reflektojnë dhe shtrihen në të gjithë lëmenjtë. Dhe, si rezultat i kësaj mendësie, ne sot kemi shtet që kur është në pyetje përkatësia etnike, e pranon dhe hap dyert vetëm për përkatësinë maqedonase, ndërsa të tjerët i njeh dhe i pranon vetëm si “qytetarë”. Prandaj, jorastësisht na ndodhë që thuajse çdo 10 vite t’u rikthehemi temave të njëjta: kujt dhe sa i takon ky shtet?

Të gjitha këto i them ngaqë ne të Lëvizjes BESA shpresonim se pas rrënimit të regjimit VMRO– DPMNE-BDI politikanët e ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e situatës do të duan të ulemi njëherë dhe përgjithmonë të japim bashkërisht përgjigje se çfarë shteti duam, e jo se si do ta ndajmë pushtetin!

Në këtë frymë ishte edhe thirrja e Lëvizjes BESA “Ejani ta Ridefinojmë shtetin, e jo pushtetin!”. Pra, jo të kemi një qeveri që ishte edhe në të kaluarën, e për fat të keq duket se do të mbetet edhe më tutje, e përbërë nga drejtues maqedonas të shtetit dhe nga disa partiakë shqiptarë ambiciozë dhe të punësuar në të.

Sipas nesh, gabimi themelor i Maqedonisë është se ajo në vazhdimësi mbetet një shtet asimetrik – një shoqërie multietnike i është mbindërtuar një shtet monoetnik. Për këtë arsye, synimi jonë është që në kushte të paqes, pa trysni dhe presion, por me një dialog mes komuniteteve në vend, të diskutojmë dhe të argumentojmë se, që Maqedonia të bëhet një shtet funksional e koheziv, i duhet ta bëjë një RIDEFINIM të asaj se a është shtet monoetnik apo është një shtet qytetar. Dhe, nëse e zgjidhim këtë çështje, pra nëse e bëjmë këtë definicion ose këtë RIDEFINIM të saktë, kjo na imponon edhe RIDEFINIMIN e institucioneve të shtetit, përfaqësimin etj.

Siç e dini tashmë, Lëvizja BESA nuk u bë pjesë e kësaj qeverie, sepse kërkoi marrëveshje bashkëqeverisjeje, ku do ta përcaktonim vendimmarrjen, programin qeveritar, por e cila do të ishte edhe transparente dhe e afatizuar, ngaqë kanë kaluar kohërat kur partitë shqiptarë qeverisjen e konsideronin vetëm si mundësi ku do të mund të punësoheshin burrështetas të privilegjuar nga partia.
Gjithë këtë e them ngaqë kam bindjen se edhe sot kur votohet qeveria e radhës në Republikën e Maqedonisë, ne të gjithë këtu në sallë nuk duam gjithaq të përballemi me atë se çfarë Maqedonie duam, por më të rëndësishme i kemi postet që na takojnë. E ngaqë unë drejtoj një parti që nuk i interesojnë postet e partiakëve, por gjendja dhe e ardhmja e popullit, atëherë ua them hapur se nëse ne nuk kemi guxim dhe vullnet ta Ridefinojmë Maqedoninë, atëherë do të vazhdojë të na ndodhë që çdo 10 vite të vihet në pikëpyetje ekzistenca e këtij shteti. Në të vërtetë, duke mos e njohur këtë, ne arritëm në pikën në të cilën ndodhemi sot: të kemi parti të pasura, siç janë VRMO-DPMNE dhe BDI, por shtet të dobët dhe qytetarë të varfër.

Të nderuara zonja dhe zotërinj
Të nderuar të pranishëm,

Të gjitha këto që i shpreha deri më tani ishin ngaqë shpresoj se mandatari i tanishëm do t’i ketë parasysh dhe do të formojë një qeveri e cila do të jetë në shërbim të Maqedonisë, pavarësisht se shumëçka e vë në pikëpyetje një mundësi të tillë.

Ashtu siç e dini të gjithë, Lëvizja BESA, për shkak të parimit se duhet ta rrënojmë regjimin, e ndihmoi procesin, duke i organizuar dy protesta shqiptare, një më 13 qershor 2015 dhe një më 9 maj 2016, ku dhjetëra mijëra shqiptarë iu bashkuan thirrjes për rrëzimin e regjimit. Që të mos mbetemi vetëm në kampin tonë etnik, Lëvizja BESA ishte partia e vetme shqiptare që me vendim të Kryesisë Qendrore i mbështeti dhe mori pjesë në protestat e Revolucionit të Larmë. Dhe, e dini mirë se atëherë na etiketonin se jemi filialë e LSDM-së. Por, ne iu përmbajtëm parimit për luftë kundër krimit e korrupsionit.

Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016, kur e mori mandatin kryetari i VMRO-së, ne ishim të parët që, përsëri në emër të parimit, dolëm dhe thamë se nuk ulemi të bisedojmë fare me të. Ndërkaq ju e dini se cila parti bisedoi 20 ditë me të. E në kohën që ai nuk arriti të bëjë qeveri, ne ishim të parët që, pa asnjë kërkesë politike, ia dhamë nënshkrimet z. Zaev që ta marrë mandatin për formimin e qeverisë. Përveç kësaj, pastaj bashkërisht u nënshkruam që të thirret seanca e mbledhjes konstituive. Dhe, kështu erdhëm deri në momentin kur mandatari erdhi dhe na ftoi për qeveri, por kjo ftesë – për fat të keq – nuk u shoqërua edhe me gatishmërinë e respektimit të parimeve tona.

Të nderuar, këtu dua të rikujtoj se kur Lëvizja BESA i kritikonte të gjitha ata që ia zgjasnin jetën regjimit më antishqiptar që është parë deri më tani, pra të gjithë ne që thoshim të mos u shërbeni “naçallnikëve” që inskenonin raste të montuara për shqiptarët, ju na shpallnit bashkëpunëtorë të LSDM-së. E, sot, të njëjtit që shpifnin dikur, kur ne kërkuam parime dhe një standard të ri në qeverisje duke e vendosur interesin e popullit shqiptar para interesave partiake, ju me të njëjtën lehtësi jeni në gjendje që të na shpallni aleatë të atyre me të cilët bashkëqeverisët dhe e shkatërruan shtetin për më se një dekadë. Kësaj në gjuhën e Besës i thuhet hipokrizi.
Por, mos mendoni se nuk e dimë pse ju mendoni se nuk ka shqiptarë që mund të veprojë politikisht në mënyrë autonome dhe i pandikuar, duke e përfaqësuar vetëm interesin e votuesve. Ju, si duket, mendoni se të gjithë shqiptarët funksionojnë me mendësinë e vasalit. Sepse, sipas asaj mendësie, nëse nuk i shërben Naçallnikut, medoemos duhesh t’i shërbesh ndonjë Naçallniku tjetër të palës tjetër.

Andaj, zotërinj të BDI-së, që sot deklaroni se jeni bërë pjesë e qeverisë gjoja pse keni guxim të merrni përgjegjësi, ja unë po jua them se cila është e vërteta: ju jeni pjesë e kësaj qeverie vetëm pse keni frikë nga e kaluara e juaj. Dhe, si të tillë, kam drojë se ju jeni të përdorshëm për cilindo sundues maqedonas. E, derisa jeni të tillë, ju popullin tuaj nuk do ta vlerësoni përmes vlerave, për vetëm përmes asaj se sa të nënshtruar janë ndaj sunduesit maqedonas.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Edhe sot kur Lëvizja BESA ka vendosur që mos ta votojë këtë qeveri, mos pyesni pse, sepse përgjigjja është e njëjtë me arsyet pse nuk e votuam edhe kryeparlamentarin. Për shkak të parimit se neve nuk na shkon dora të votojmë njerëz që dje mburreshin se i shërbejnë kryetarit të VMRO-së e që sot mburren se do t’i shërbejnë atij të LSDM-së. Mjafton që ky i fundit t’ua falë mëkatet dhe, mbase, t’ua shlyejë paditë.

Në fund fare, nëse më lejoni dua tua përcjell edhe një porosi në emër të Lëvizjes BESA: mos na trajtoni si njerëz që me profesion jemi “shqiptarë”, por na trajtoni si politikanë profesionistë të barabartë që do të angazhohemi për të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Sepse, edhe ju po aq sa ne e dini se raca e këtyre politikanëve vasalë është racë në zhdukje e sipër dhe vetëm pasi që të zhduket ky lloj politikanësh do të jetë më e lehtë të formojë qeveri cilido mandatar i ardhshëm me profesionistë të vërtetë, e jo me politikanë të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm”.

https://www.facebook.com/Almakos1/videos/1700461326661379/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit