19.2 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Kush dhe pse po e nxjerr sot Skënderbeun në mejdan?

Më të lexuarat

Dr. Husamedin Feraj
Debati i sotëm për Skënderbeun nuk ka asnjë lidhje me Skënderbeun real, por me përdorimin dhe përdoruesit e tij. Skënderbeu real mund të përdoret dhe është përdorur për politika shumë të ndryshme dhe të kundërta. Skënderbeu ka bërë luftë kundër fuqisë më të madhe të kohës, kundër superfuqisë botërore. Prandaj ai mund të përdoret si shembull i luftës kundër superfuqive dhe të bëhet thirrje “hajde t’i shpallim luftë fuqisë më të madhe të kohës tonë, SHBA-ve, si Skënderbeu fuqisë më të madhe të kohës së tij. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut”.

Kështu u përdor, për shembull, nga Enver Hoxha për t’iu shpallur luftë dy superfuqive. Skënderbeu u bashku me papatin kundër rilindjes europiane dhe Europës moderne. Prandaj ai mund të përdoret si shembull për luftën kundër modernitetit europian dhe të bëhet thirrje “hajde t’i bashkohemi reaksionit europian kundër rrymave moderne e modernizuese europiane si Skënderbeu që u bashkua me Papën në luftën kundër përpjekjeve europiane për ndarjen e kishës nga shteti, sekularizimin, rilindjen, humanizimin, iluminimin dhe sot pasmodernizimin!” Kështu mund të përdoret sot në luftën ndaj filozofive europiane pasmoderne, për shtrirjen e të drejtave dhe lirive njerëzore në grupet sociale, kulturore etj., të shtypura nga modernja. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut. Skënderbeu ka vrarë masivisht shqiptarët që ishin kthyer në fenë islame. Prandaj Skënderbeu mund të përdoret për të bërë thirrje që të masakrohen masivisht pakicat fetare siç masakroi Skënderbeut fshatarët muslimanë të rrethit të Krujës. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Skënderbeu e ka ndërruar fenë disa herë dhe mund të bëhet thirrje ta ndërrojmë fenë përditë “si Skënderbeu!” Kush është kundër kësaj sjelljeje ndaj fesë është kundër Skënderbeut! Skënderbeu ka luftuar për lirinë e atdheut kundër islamikëve dhe të krishterëve. Prandaj sot mund të bëhet thirrje të luftohet për lirinë e atdheut pavarësisht nga feja. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut! Skënderbeu u përpoqë të krijojë e forcojë shtetin shqiptar. Prandaj sot duhet të përpiqemi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Kush është kundër kësaj politike është kundër Skënderbeut!

Skënderbeu…

Siç shihet mundësitë e instrumentalizimit dhe përdorimit të Skënderbeut për politikën e ditës janë të shumta, gati të pafundme. Prandaj debati i sotëm për Skënderbeun nuk ka asnjë lidhje me vlerësimin ose përshkrimin e Skënderbeut real, por me vlerësimin e përdoruesve të sotëm të Skënderbut. Debati për Skënderbeun nuk ka lidhje me Skënderbeun por me dy politika që u propozohen sot shqiptarëve: njëra, shqiptarocentrike, që vë në qendër shqiptarët dhe gjithçka tjetër e sheh në shërbim të kombit shqiptar; tjetra, katolikocentrike, që vë në qendër fenë katolike ndërsa kombin shqiptar e sheh në shërbim të katolicizmit botëror. Rryma katolikocentrike u propozon shqiptarëve të kthehen në katolikë. Kaq është programi i tyre politik. Ky është qëllim normal i kishës katolike kudo në botë dhe Vatikanit: të kthejë sa më shumë njerëz në këtë botë në fenë katolike. Të tjerat pastaj janë mjete për arritjen e këtij qëllimi. Skënderbeu për ta është mjet, vegël: Skënderbeu përdoret për t’ua mbushë mendjen shqiptarëve të kthehen në katolikë. Ndjenjat kombëtare të shqiptarëve preken si mjet për t’i shtyrë të kthehen në katolikë. Dijet manipulohen që t’i shtyjnë të kthehen në katolikë. Situata politike e shqiptarëve manipulohet për t’i shtyrë të kthehen në katolikë. P.sh. bëhen përpjekje ta kuptojnë situatën e vet sikur janë para alternativës të zgjedhin: ose katolik dhe bashkim kombëtar, ose jokatolik dhe as bashkim kombëtar. Kështu ndjenja kombëtare përdoret në shërbim të kthimit në katolikë pavarësisht vullnetit, dëshirës dhe zgjedhjes së tyre të lirë. Pavarësisht edhe se nuk ndodhen në këtë situatë. Gjithë këto aspekte, mjete kur shkruhen, kur shkruhet për secilën duket sikur ka një debat të madh, interesant, të larmishëm etj. Në fakt është fare e thjeshtë, vetëm një kërkesë: kthehuni në katolikë. Kombi, pavarësia, bashkimi, Skënderbeu, Nënë Tereza për ta s’kanë asnjë rëndësi veçse si vegla. Rryma katolikocentrike nuk interesohet as për ndjenjat dhe mendimet e katolikëve shqiptarë. Qendra e saj është kthimi i shqiptarëve jokatolik në katolikë, ndërsa vetë katolikët nuk vlerësohen ndryshe vetëm se si vegla për kthimin në katolikë të të tjerëve. Kjo rrymë bën qartë dallimin ndërmjet dy grupeve katolikësh shqiptarë: katolikët që kanë vënë fenë mbi kombin ose kundër kombit – të cilët i vlerëson lartë; dhe katolikët që kanë vënë kombin mbi fenë – të cilët i urren. Në këtë të fundit përfshihen katolikë të tillë si Vaso Pasha (Pashko Vasa), Fishta, Mjeda etj. Deri tani vlerësohej Bajraktari i Mirditës, por nuk është çudi të fillojë të urrehet sapo të bëhet gjerësisht e ditur se edhe ai ka luftuar krah Sulltanit dhe ka pasur titullin pasha me tre tuje. Ndjenjat e popullsisë shqiptare katolike po ashtu nuk kanë rëndësi. Kështu p.sh. katoliku Skënderbe vlerësohet lartë nga rryma masonike, por nuk është vlerësuar kështu nga shqiptarët katolikë si popullsi. Katoliku Dukagjin nuk vlerësohet nga masonikët edhe pse është vlerësuar nga popullsia shqiptare katolike (dhe jokatolike). Ku shihet kjo? Në faktin se të dy kanë lënë nga një Kanun. Në popullsinë katolike shqiptare Kanuni i Skënderbeut nuk ka pasur asnjë respekt a ndikim. Ndërsa Kanuni i Lekës ka qenë gjithë jeta e tyre (juridike, morale, kulturore, civile etj.). Por ndjenjat e popullsisë katolike shqiptare, autoriteti i padiskutueshëm i shprehjes “Kështu e ka lënë Leka” etj., nuk kanë rëndësi për katolikocentrikët sepse qëllimi nuk janë katolikët shqiptarë, por kthimi i sa më shumë njerëzve në katolikë (si statistikë, si shifra. jo si njerëz me ndjenja, me shpirt, me histori etj., – sepse këto janë kombëtare). Mirëpo dihet se Skënderbeu dhe Dukagjinët nuk kanë shkuar aq mirë – se p.sh. Skënderbeu iu nënshtrua Vatikanit pa marrë parasysh rrjedhojat për vendin dhe popullin e vet, ndërsa Dukagjinasit menduan për vendin e popullin shqiptar pavarësisht ambicieve të Vatikanit, Skënderbeu kishte miqësi familjare e politike me serbët, ndërsa Dukagjinasit jo etj., – aq sa Vatikani gati i shkishëroi pse kundërshtonin politikën shkatërrimtare të Skënderbeut. Pra, Dukagjinasit nuk i ka dashtë shumë Vatikani dhe i ka dashtë populli; Skënderbeun nuk e ka dashtë aq shumë populli por e ka dashtë Vatikani. Rryma e sotme katolike do të harrojë Dukagjinasit dhe të glorifikojë Skënderbeun krejt pavarësisht ndjenjave të popullsisë katolike shqiptare. Rryma katolikocentrike është bërë vegël e nacionalshovinizmave serbe e greke. Pavarësisht se qëllimi kryesor i katolikocentrikëve mund të jetë kthimi i sa më shumë njerëzve në katolikë, në kontekstin e sotëm rajonal e shqiptar, më shumë se këtij qëllimi i shërben nacionalizmit serb. Sot nacionalizmi serb e quan të humbur Kosovën pavarësinë e së cilës nuk mund ta ndalojë. Nacionalizmi i sotëm serb është nacionalizmi i pavarësisë së Kosovës. Mbas pavarësisë së Kosovës nacionalizmi serb dëshiron dhe punon për konfliktimin brenda shqiptarëve. Me këtë pengon bashkimin kombëtar dhe krijimin e një shteti e kombi seriozisht rival e konkurrues, ruan mundësinë e futjes në konflikt të dy shteteve të vogla shqiptare dhe sundimin mbi të dyja, argumenton aftësinë e vet parashikuese se pavarësia e Kosovës shton pasigurinë e grindjet në rajon, se shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë nuk shkojnë mirë as me njëri-tjetrin, se ndoshta Serbia duhet rikthyer në Kosovë. Tani, rryma katolikocentrike e di se gjasat për rikthimin masiv të shqiptarëve në katolikë janë zero, duke e ditur se shqiptarët katolikë janë një pakicë fetare e parëndësishme dhe mbi të gjitha kur edhe brenda katolikëve shqiptarë masonët katolikocentrikë janë një pakicë e vogël. Çka synohet prej tyre është krijimi i një klime acarimi, stresi në radhët e shqiptarëve dhe, aq sa të munden, të nxisin vija konflikti ndërmjet shqiptarëve siç kërkohet nga nacionalizmi serb. P.sh. një prej veglave të masonerisë katolikocentrike, Kastriot Myftaraj, i referohet drejtpërdrejt udhëzimit të Koshtunicës për kthimin e konfliktit nga serbo-shqiptar në brenda-shqiptar dhe menjëherë mbas kësaj vetë Myftaraj kërkon fillimin e luftës Gegni-Toskni. Propaganda që filloi në këtë drejtim është shpifje dhe logjikisht kontradiktore gati deri në humoristike. Kështu p.sh. vetë e vë fenë mbi kombin, pastaj kërkon që në emër të kombit shqiptarët të kthehen në katolikë! Myftaraj lavdëron Skënderbeun katolik dhe kërkon që shqiptarët të kthehen në protestantë sipas shembullit… të Skënderbeut e Nënë Terezës! Me kthimin në katolikë shqiptarëve u premtohen shumë të mira, ndërsa shqiptarët shohin se kjo rrymë nuk ka asnjë ndjenjë respekti për ndjenjat e katolikëve. Por propaganda e nacional-shovinizmit serb për periudhën post-pavarësi të Kosovës nuk shqetësohet për saktësinë faktike apo logjike, sa për arritjen e qëllimit: tensionin, acarimin, stresin dhe konfliktin brenda-shqiptar. Të tjerat i dinë vetë serbët. Kjo veprimtari u shtua në prag të vitit 2005 sepse mendohet se Kosova mund të marrë pavarësinë. Fakti se u shtua është mobilizimi i dy gazetave më të mëdha të afërta me PD-në: “Tema” e Mero Bazes dhe “55” e Fahri Balliut. Deri tani rryma katolikocentrike ka qenë propagandues kryesisht në gazeta lokale, ndërsa tani janë mobilizuar gazetat kryesore dhe propagandistët kryesorë të PD-së, Mero Baze dhe Fahri Balliu. Kësaj rryme serbofile katolikocentrike iu kundërvu, si gjithnjë, që në fillim Abdi Baleta. Mero i nxori në mejdan… Skënderbeun! Kështu, rikthimi tek Skënderbeu s’kishte ndonjë lidhje konfliktin e sotëm që është ndërmjet nacionalizmit shqiptar, përfaqësuar nga Baleta, dhe nacionalshovinizmit serb përfaqësuar nga PD dhe Mero Baze e Fahri Balliu. Por Skënderbeu mund të përdoret për gjithçka dhe Mero vendosi ta përdorë në shërbim të nacionalshovinizmit serb. Edhe diskutimi i Baletës nuk ka asnjë lidhje me Skënderbeun real por me përdorimin e tij nga Baze dhe të tjerët në shërbim të nacionalshovinizmit serb kundër të cilit del Baleta. Se si mund të përdorë dhe është përdorë Skënderbeu është një çështje e gjatë, e cila është trajtuar para pesë vitesh në artikullin “Mbi debatin për Skënderbeun” botuar në “Rimëkëmbja” janar-shkurt 2000.

 

Botuar në gazetën “Rimëkëmbja”, Tiranë, 2005.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit