11.4 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Kurti: Të përgatitemi për një “pranverë shqiptare”

Më të lexuarat

Takimin e një dite më parë në Prishtinë mes liderëve të shtetit të Kosovës dhe kryeministrit Edi Rama e ka komentuar kreu Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Tiranë. Ai tha se “edhe në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të fillojmë të mendojmë dhe të përgatitemi për një ‘pranverë shqiptare’”.

Kurti në një prononcim për mediat në Shqipëri, tha se takimet konjekturale nuk i shërbejnë kombit dhe se është koha për një bashkim kombëtar.

“Unë nuk mendoj që kryeministri i Shqipërisë është pro ndarjes së Kosovës. Por unë mendoj se ai ka zgjedhur për miq dhe bashkëpunëtorë në Kosovë njerëz të papërshtatshëm të cilët përfitojnë për vete dhe nuk e kanë në fokus as interesin kombëtar dhe as shtetin e Kosovës. Kam ardhur dje në Tiranë dhe nuk i kam ndjekur këto takime. Takimet konjekturale nuk do të mundin të na rritin shumë shpresat për të mirat e përgjithshme”, tha Kurti raporton Ora Neës .

Më tej Kurti tha se “mendoj se edhe në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të fillojmë të mendojmë dhe të përgatitemi për një ‘pranverë shqiptare’”.

“Në kushtet kur ekonomikisht jemi dobët dhe ushtritë i kemi pothuajse inekzistente, ndodhemi në një udhëkryq edhe kohor dhe hapësinor edhe si Ballkan edhe në vitin 2019 është e domosdoshme që populli shqiptar të shfaqet dhe të demokratizojë veten në mbrojtje të detyrës së tij kombëtare për bashkim dhe interesit të tij shtetëror për integrim evropian”, tha ai.

Kurti thotë se Kosova duhet t’i thotë po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë.

Ai tha se eksponentë të caktuar duan të ndotin fjalën “bashkim” duke skajuar skema se për një bashkim të tillë duhet ti japim territor Serbisë.

“Ne themi po bashkimit me Shqipërinë dhe jo pazareve me Serbinë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet të na rrisë dhe jo të na fragmentarizojë, ndajë, copëtojë dhe të na zvogëlojë. Duan ta ndotin fjalën bashkim duke e sajuar skemën sipas së cilës për tu bashkuar me Shqipërinë duhet ti japim tokë Serbisë. Ne i themi jo. Nuk i kemi asnjë borxh Serbisë, Serbia na ka shumë borxh ne”.

“Na e ka borxh edhe Kosovën lindore, Preshevën, Bujanocin, por edhe shumë borxh për shkak se para 20 viteve vrau 10 mijë shqiptarë civilë, dhunoi 20 mijë gra dhe vajza shqiptare, depërtoi jashtë Kosovës 860 mijë shqiptarë në pranverën 1999, i dëboi nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë, na plaçkiti depozitat bankare, fondin pensional, artifaktet kulturore, nuk ka njeh pavarësinë dhe tani t’i bëjmë koncesione të reja shtetit që udhëhiqet nga çetnikët e Millosheviqit”, tha ai.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit