7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kur Maroku mposhte Portugalinë – Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

Beteja e tre mbretërve
Lugina Mehazin ( 986 h. / 1578 e.s.)

Njihet si beteja e tre mbretërve, pasi në të vdiqën tre mbretër, njëri hero, njëri tradhtar dhe tjetri aventurier. Ajo ishte beteja e Vadilmehazin apo Luginës së Mehazinit, një faqe e ndritur e heroizmit dhe epopesë islame. Ajo ishte një betejë vendimtare që i dha fund ëndrrave portugeze për pushtimin e Afrikës Perendimore.

1- Prelud.

Shekulli i dhjetë i hixhretit (XVI sipas kalendarit gregorian) ishte i mbushur me shumë ngjarje të rëndësishme. Ai ishte shekulli i ngritjes së dy perandorive të mëdha të kohës, Spanjës dhe Portugalisë. Ishte shekulli i fillimit të kolonizimit të botës. Spanja dhe Portugalia kishin ndarë mes tyre tokat e Botës së Re (Amerikës), kontinetit të sapozbuluar prej tyre.

Në anën tjetër, muslimanët andaluzianë ishin thyer përfundimisht. Emirati i fundit u ishte dorëzuar në “tabaka ari” Izabelës dhe Fernandos në vitin 1492 e.s (897 h.). Ebu Abdullahi i Vogël u kishte hapur portat e qytetit të Grenadës i mashtruar nga premtimet dhe betimet e kastelianëve, derisa mësoi edhe ai si shumë të tjerë, ç’do të thotë pabesi. Megjithatë andaluzianët muslimanë nuk u dorëzuan dhe kryengritjet vazhduan për gati një shekull pas rënies së Grenadës, por në fund u thyen dhe u dëbuan në një nga tragjeditë më të mëdha të kohës.

Spanjollët dhe portugalezët i hodhën menjëherë sytë nga tokat e Marokut. Marok është shqiptimi latin i fjalës arabe Magrib, që do të thotë perëndim, pra viset perëndimore të civilizimit islam. Historikisht ndahet në tre zona; Magribi i Afërt (Tunizia dhe pjesë të Libisë), Magribi i Mesëm (kryesisht Algjeria e sotme) dhe Magribi i Largët (Maroku i sotëm dhe Andaluzia).

Me rënien e Andaluzisë, spanjollët dhe portugezët i dendësuan sulmet ndaj Marokut dhe Afrikës Veriore në përgjithësi. Portugalezët kishin arritur fitore të rëndësishme ndaj sunduesve memalikë të Egjipit dhe kishin pushtuar qytete edhe në Tunizi. Një nga disfatat kryesore të muslimanëve ishte pushtimi i Oranit (1509 e.s.) në Algjeri. Shumë qytete bregdetare ranë në dorë të tyre. Një nga faktorët kryesorë të këtyre humbjeve ishin mosmarrëveshjet e shumta dhe lufta për pushtet mes sundimtarëve muslimanë. Sidoqoftë rezistenca popullore nuk mungonte dhe herë pas herë muslimanët merrnin revanshin.

2- Hyrja e Shtetit Osman.

Shteti Osman ishte në kulmin e dominimit. Që në fillimet e shekullit XVI osmanët kishin drejtuar sytë nga perëndimi. Ata zotëronin flotën detare më moderne dhe një nga ushtritë më të fuqishme të kohës. Osmanët kishin projekte të qarta për çlirimin dhe rikthimin e Andaluzisë dhe hynë fuqishëm në skenën e përballjeve me spanjollët dhe portugezët duke arritur të marrin Algjerinë (Marokun e Mesëm) që në vitin 1515 e.s, duke konsoliduar fort pozitat e muslimanëve në viset perëndimore.

Shkaku kryesor i betejës ishte projekti portugez për pushtimin e Marokut dhe Afrikës Perëndimore. Ata kishin arritur të zotëronin disa qytete bregdetare marokene, nga ku niseshin edhe sulmet zgjeruese. Sidoqoftë përpjekjet për depërtim kishin dështuar disa herë përballë qëndresës së muslimanëve dhe forcat e tyre ishin përqëndruar në krahinat bregdetare.

3- Shkaqet e betejës.

Shkak ishin edhe përplasjet e brendshme në shtetin Sadi. Dinastia sadie sundonte asokohe Marokun dhe sundimtarët sadinj paraqiteshin si fisnikë (eshrafë që rrjedhin nga familja pejgamberike), paçka se për këtë prejardhje kishte diskutime. Emiri Muhamed Mutevekili, i njohur më vonë si “El Mesluh”, apo i rjepuri, kishte hipur në fron në vitin 1574 e.s., pas vdekjes së të jatit.

Periudha e shkurtër në të cilën qeverisi (vetëm dy vite) u karakterizua me dobësi, lëshime dhe aleanca me portugezët e spanjollët. Mutevekili, i friksuar nga shtrirja u osmanëve, u shpalli armiqësi që në fillim, duke u hedhur në prehërin e spanjollëve për të ruajtur fronin. Shumë shpejt ai u përball me revolta popullore, të cilat u udhëhoqën nga dy xhaxhallarët e tij, Abdulmelik Mutesimi edhe Ahmed Mensuri. Abdulmeliku gëzonte reputacion të madh në popull, për shkak të fetarizmit të tij dhe për shpirtin luftarak që e karakterizonte.

I vënë para zemërimit popullor Mutevekili përsoi disfate të njëpanjëshme. Mutevekili arriti të marrë qytetin kyç të Fesit, i ndihmuar edhe nga ushtria osmane, e cila dërgoi një numër të madh luftëtarësh nga ata më të zgjedhurit. Mutevekili u braktis edhe nga garnizioni andaluzian i qytetit, të cilët, në ditën e betejës, kaluan në kahun e Abdulmelikut dhe të osmanëve, duke formuar një trinom ushtarak të pathyeshëm. Pas Fesit, Abdulmeliku shtiu në dorë edhe kryeqytetin Murakish, dhe Mutevekili, i braktisur tërësisht nga populli i tij u arratis në Tanxha, një qytet i rëndësishëm në veri të Marokut, i cili asokohe ishte nën pushtimin spanjoll.

Kështu, në 1576, në fron hipi xhaxhai i tij, Abdulmelik Mutesimi. Ai ishte i njohur si për kulturën e gjerë ashtu edhe për trimërinë. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe reputacion në popull. Para marrjes së pushtetit udhëtoi për në Stamboll ku u prit nga vetë sulltan Selimi, i cili, kur pa burrërinë dhe trimërinë e tij i premtoi ndihmë dhe mbështetje. (1) Edhe Sulltani i ardhshëm sulltan Murati III e ndihmoi dhe e mbështeti në luftën e tij për t’u rikthyer në pushtet.

Mutevekili kreu një sërë përpjekjesh për rikthimin e fronit të humbur. Fillimisht, përpjekjet për ndihmë dhe mbështetje nga mbreti spanjoll Filipi II dështuan. Në sytë e Filipit ai ishte vetëm një dështak i refuzuar dhe pa përkrahje. Por këto përpjekje dhanë fryte te mbreti portugez Sebastiani. Ai ishte një djalosh 24 vjeçar, i zhytur në ëndrrat për një perandori të madhe dhe pushtet pa kufi. Pushtimet në Amerikë i kishin shtuar edhe më shumë etjen. Mbi të gjitha ai ishte një djalosh aventurier, kokëkrisur, që i kujtonte muslimanët e Marokut si indogjenët e Amerikës.

4- Përgatitja për betejë.

Sebastiani jo vetëm që iu përgjigj pozitivisht Mutevekilit, po ai ndërmorri edhe një fushatë diplomatike për formimin e një aleance sa më të gjerë.(2) Përpjekjet e tij dhanë fryte. Mbreti Filip II, njëkohësisht edhe daja i Sebastianit, përfundimisht e ndihmoi me rreth 20.000 ushtarë (sipas burimeve islame) dhe me armatime, kryesisht anije.

Ndihmat erdhën edhe nga vende të ndryshme të Evropës. Nga Italia 3.000 luftëtarë, nga Gjermania rreth 3.000 vullnetarë dhe nga shumë vende të tjera. Vatikani gjithashtu “e bekoi” këtë luftë dhe papa Grigori XIII i dërgoi 4.000 prej ushtarëve më të zgjedhur, 1.500 kalorës dhe 12 topa. Përfundimisht, Sebastiani arriti të siguronte rreth 1000 anije që do të bënin kalimin e ushtarëve në brigjet e Marokut. (3) Ndërsa Mutevekili kishte arritur të mblidhte rreth 5.000-6.000 luftëtarë, kryesisht kaçakë dhe banditë të cilëve u kishte premtuar shpërblime dhe favore pas rikthimit në pushtet. Me përgatitje kaq të mëdha, ajo ishte padyshim një kryqëzatë e re, por këtë herë e drejtuar nga perëndimi.

Kuptohet që “shërbimet” e Sebastianit për Mutevekilin nuk ishin falas. Për të qënë i besueshëm Mutevekili i dorëzoi Sebastianit qytetin e Asilës, një qytet bregdetar i rëndësishëm, të cilin gjyshi i Mutevekilit kishte arritur ta rimerte nga duart e portugezëve para shumë vitesh. Në anën tjetër, marrëveshja e lidhur mes Sebastianit dhe Mutevekilit, i jepte portugezëve të drejtën për të zotëruar të gjithë bregdetin e Marokut, ndërsa Mutevekilit, zonat në brendësi. Një marrëveshje e tillë ndezi një zemëratë të paparë te popullata dhe fukahatë e Marokut.

Burimet islame flasin për një ushtri portugeze 80.000 – 125.000 ushtarë. Burimet perëndimore mundohen ta ulin shumë këtë shifër, megjithëse të gjitha ato e pranojnë aleancën e gjerë ushtarake që bëri Sebastiani. Disa burime japin shifra qesharake 20.000 – 30.000 ushtarë. Sado i krisur të ketë qenë Sebastiani, është e pamundur të ndërrmerte një fushatë ushtarake ndaj Marokut me një numër të tillë luftëtarësh.

Ebu Kadi në librin “El muntekal maksur” përmend se numri i ushtrisë portugeze ishte diku te 125.000 luftëtarë. Një shifër të përafërt, rreth 120.000, jep edhe kronikani Muhamed Arabiu i Fesit në librin e tij “Mir’atul mehasin”. Sidoqoftë një shifër 80.000 – 100.000 luftëtarë është më afër realitetit të kohës.

Në krahun tjetër, në krahun e marokienëve, përgatitjet kishin nisur menjëherë, megjithëse lajmet kishin arritur disi me vonesë. Abdulmeliku filloi përgatitjet me nxitim. Në të gjithë vendin u dëgjua kushtrimi dhe fukahatë më të njohur lëshuan një fetva ku sqaronin dyshimet dhe tradhtinë e Mutevekilit dhe obligimin e xhihadit në mbrojtje të vendit. Pas një përgatitje të shpejtë, Mutevekili u nis në krye të një ushtrie prej 40.000 ushtarësh, të përbërë kryesisht nga luftëtarë dhe muxhahidë nga masat e gjera. Ushtria marokiene ishte e pajisur me 36 topa dhe një armatim më të lehtë se ajo portugeze. Drejt fushëbetejës u nis edhe guvernarori i Fesit, vëllai i Abdulmelikut. Nga ana e tyre, osmanët e Algjerisë dërguan 5.000 luftëtarë në ndihmë të aleatit të tyre Abdulmelikut.

Anijet portugeze u nisën nga Lisbona në qershor të vitit 1578, për të arritur më 9 korrik në qytetin marokien të Tanxhës ku i priste Mutevekili, për t’u nisur sëbashku drejt qytetit marokien të Asilës, ku dhe do të zbarkonin, për të rrethuar më pas qytetin e Kasrulkebirit (Kalaja e Madhe), i cili ndodhet afër Luginës së Mehazinit (Vadil Mehazin nga ku e ka marrë emrin edhe beteja). Mbrojtësit e qytetit, të prirë nga shehu dhe fakihu Ebu Mehasin Jusuf Fasiu, kryen një qëndresë heroike, në pritje të ushtrisë së Abdulmelik Mutesimit nga Murakishi dhe luftëtarëve të tjerë të nisur nga qyteti i Fesit me në krye Ahmed Mensurin, vëllain e Abdulmelikut.

Abdulmeliku i pati shkruar edhe një letër Sebastianit me të hyrë në tokat e Marokut, në të cilën i thoshte: “Nëse më pret aty ku je ti je një i krishter i vërtetë e trim, përndryshe je një qen bir qeni”. Edhe mbreti Filip II i Spanjës e kishte këshilluar nipin e tij të mos depërtonte në brendësi të Marokut. Mirëpo Sebastiani bëri në kokë të vetë dhe rrethoi Kalanë e Madhe afër Luginës së Mehazinit.

5- Beteja.

Emiri Abdulmelik Mutesimi, me gjithë gjendjen e rënduar shëndetësore, këmbënguli të ishte vetë në krye të ushtrisë. Betejën e komandoi nga Kalaja e Madhe dhe pas një studimi të mirë të terrenit, vendosi që ajo të zhvillohej në Luginën e Mehazinit, e cila nuk ishte shumë larg kalasë. Për të përmbushur këtë qëllim, ai i shkroi Sebastianit: “Unë kam marshuar 16 merhale (1 merhale = 44 km) për të të takuar. Bëje dhe ti një merhale të vetme për të më takuar”.

Mutevekili e këshilloi të qëndronte në qytetin bregdetar dhe të fortifikuar të Asilës, nga ku mund t’i vinin ndihma dhe mund të tërhiqej, mirëpo Sebastiani i etur për luftë vendosi të marshojë drejt Luginës së Mehazinit.

Ushtritë e mëdha portugeze arritën në 3 gusht dhe kaluan urën që të çon në luginë. Me të kaluar urën, muslimanët e shkatërruan atë, për të mos u dhënë mundësi portugezëve të tërhiqeshin.

Dy ushtritë u vunë përballë njëra-tjetrës për betejën e madhe të hënën e 4 gushtit, 1578 (30 xhumada e dytë, 986 h.), për të qënë një nga ditët më të lavdishme në historinë islame, ditë në të cilën u thye aleanca e kryqit dhe u rivendos krenaria e islamit. Atë ditë muslimanët luftuan me trimëri të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Nuk e teprojmë po të themi se ajo ishte një kasaphanë e vërtetë për ushtritë kryqtare. Burime perendimore flasim për 12.000 ushtarë portugezë të vrarë dhe 16.000 të zënë rob. Në fakt vetëm një pakicë e vogël prej rreth 100 ushtarësh mundi t’i shpëtojë kthetrave të vdekjes dhe turpit të zënies rob, duke u arratisur. Sigurisht që dëmet e tyre kanë qenë më të mëdha, duke ditur tendencën e historianëve evropianë për minimizimin e humbjeve.

Beteja ishte e shkurtër krahasur me përgatitjet e mëdha të portugezëve. Përleshjet zgjatën vetëm katër orë. Muslimanët i vunë përpara portugezët shumë shpejt. Mbreti i portugezëve, Sebastiani u vra pa shumë lavdi. Mutevekili gjithashtu vdiq ashtu siç i takon një tradhtari të vdesë, i mbytur në lumin e Luginës së Mehazinit në përpjekje e sipër për t’u arratisur. Trupi iu gjet pas disa ditësh i fryrë kacek dhe marokienët e ropën dhe ashtu të rjepur e të mbushur me kashtë, e dërguan në kryeytetin Murakish, për t’u njohur më pas në histori me epitetin El Mesluh (i rjepuri).

Rezultatet dhe pasojat e betejës.

Emiri Abdulmelik vdiq po në të njëjtën ditë, gjatë betejës, i dergjur në shtratin e tij nga dhimbjet e sëmundjes, e cila i ishte rënduar më shumë pas qindra kilometra që kishte kaluar për t’u përballur vetë me ushtritë e kryqtarëve. Po në të njëjtën ditë, menjëherë pas triumfit dhe në fushën e betejës, muslimanët marokenë i dhanë besën vëllait të Abdulmelikut, komandantit tjetër të ushtrisë muslimane për të hapur një kapitull të ri të lavdishëm në luftrat kundër iberikëve.

Beteja e Vadilmehazinit ishte një betejë vendimtare, që përcaktoi përfundimisht rrjedhën e historisë në Afrikën Veriore.

Disfata ishte fatale për Portugalinë. Goditja që ajo mori ishte shumë e rëndë dhe u deshën shumë dekada që Portugalia të rimerte veten. Froni i Portugalisë i kaloi nën përkujdesje mbretërisë spanjolle dhe Filipi II mori në zotërim dhe kujdestari edhe ato pak qytete që u kishin mbetur portugezëve në bregdetet veriore të Marokut. Vetëm pas 60 vjetësh Portugalia arriti të rifitonte pavarësinë nga Spanja.

Vetë populli portugez nuk e besoi vdekjen e Sebastianit. Ndër ta u përhapën histori mistike, se ai nuk kishte vdekur dhe se po përgatitej të kthehej. Edhe pasi kardinali i Portugalisë, Riki, i cili qeverisi vendin përkohësisht, përpara se t’i dorëzohej mbretit Filip, edhe pasi ky kardinal solli nga Maroku trupin e Sebastianit, pas negociatave të shumta me muslimanët, populli portugez nuk e besoi vdekjen e tij. Rreth tij u thurën legjenda dhe balada të shumta, një pjesë e të cilave vazhdojnë akoma të ruhen në folklorin portugez.

Pas kësaj beteje, potugezët humbën edhe pozitat kolonizuese, kundrejt Spanjës, Francës dhe Anglisë. Të përfituar nga kjo betejë dolën edhe osmanllitë të cilët i konsoliduan përfundimisht pozitat në Tunizi dhe në Algjerinë Veriore.

Beteja e Vadilmehazinit akoma vazhdon të mbetet e gjallë dhe të përkujtohet në botën arabe dhe islame, sepse ajo padyshim është një nga betejat më të lavdishme dhe më vendimtare. Allahut i takon falenderimi dhe prej tij është triumfi e ngadhënjimi. I jep pushtet kujt të dojë dhe ja rrëmben pushtetin kujt të dojë dhe ai është i larti e i fuqishmi.

Përgatiti: Florian Leli


(1) Libri “Beteja e Vadilmehazin”, fq: 35. Doc. Sheuki Ebu Halil.
(2) Shiko librin “El istksa”, 5/82 me autor historianin e njohur maroken Ahmed Nasiri.
(3) Libri “Beteja e Vadilmehazin”, fq: 47.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit