10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

KUNDËRSHTOJNË NDËRTIMIN E XHAMISË

Më të lexuarat

Banorët e kësaj zone ishin ftuar në një debat të parakohshëm, për të debatuar për planet rregulluese të kësaj zone, ndërsa një kërkesë për ta përshpejtuar këtë çështje e kishte bërë edhe Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) të Ferizajt, njofton Kosovapress.

Drejtoresha e Drejtorisë së Urbanizmit, Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Qazime Vata ka thënë se për këtë zonë është duke u hartuar plani rregullues urban. “E pamë të arsyeshme që të diskutojmë rreth kësaj çështje, në mënyrë që edhe qytetarë të thonë fjalën e tyre, para se të vendoset për një projekt të tillë, ashtu siç na obligon edhe Ligji për Planifikim hapësinor”, ka thënë drejtoresha Vata.

Qytetarët e rrugës “Luigj Gurakuqi” në vendin ku ishte planifikuar ndërtimi i xhamisë, kanë qenë më të zëshmit në refuzimin e këtij projekti, duke arsyetuar se ndërtimi i këtij objekti nuk është duke u bërë në vendin e duhur.

Mufail Azemi, ka thënë se vetë i takon besimit islam, por ka kundërshtuar idenë e ndërtimit të kësaj xhamie, duke thënë se besimtarët kryejnë ritet fetare në xhaminë e lagjes “Hasan Prishtina”, që është afër me këtë lokalitet.

“Shtëpia ime është ngjitas me këtë hapësirë. Neve na nevojitet ndërtimi i ndonjë çerdheje të fëmijëve, ambulance, apo ndonjë shkolle. Xhamia duhet ndërtuar në vendin ku nuk pengon ambientin përreth”, tha ai.

Bashkim Azemi nga rruga e Tetovës, gjithashtu ka kundërshtuar këtë projekt, ashtu sikundër edhe Halim Caka, një banor tjetër i kësaj lagje, duke kërkuar që të respektohen kriteret urbane të ndërtimit.

I vetmi që ka përkrahur këtë projekt ka qenë Adem Azemi, i cili ka thënë se qytetarët duhet të ndjehen rehat, pasi nuk u kërkohet atyre financimi, vetëm një lloj pëlqimi për ndërtimin e xhamisë dhe kryerjen e shërbesave fetare, në mënyrë që të shkurtohet rrugëtimi për tek ndonjë xhami tjetër në qytet.

Nga ana tjetër, kryetari i KBI-së, Fehmi Mehmeti duke arsyetuar projektin ka thënë se qyteti i Ferizajt ka nevojë për të pasur edhe së paku dhjetë xhami.

“Këtë lokacion nuk e kemi zgjedhur ne, por na është ofruar si donacion, si parcela ashtu edhe mjetet. Në rast se deri më 14 gusht, nuk marrim pëlqimin, atëherë humbet donacioni”, ka thënë efendi Mehmeti, duke lutur qytetarët që të mos kundërshtojnë projektin, sepse nuk kanë ndonjë arsye për ta bërë këtë.

Drejtoresha Vata ka thënë se zona 7 e qytetit ka gjithsej 200 hektarë sipërfaqe, ndërsa plani rregullues do të diskutohet dhe do të dihet saktë se çka do të ndërtohet. Ajo ka pohuar se nga ky debat nuk mund të merret ndonjë vendim i prerë, ndërsa procesi i diskutimeve të planeve për këtë zonë të rrjedhë në të ardhmen.

“Kërkesa pezullohet deri në draftimin final të këtij plani”, ka thënë drejtoresha Vata, duke përkujtuar drejtuesit e KBI-së se nuk mund të merret vendimi, në rast se banorët kundërshtojnë ndërtimin e objektit.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit