Kryediplomati francez kërkon dialog të nivelit të lartë për armëpushimin Izrael-Liban

Më të lexuarat

“Është thelbësore që liria e lundrimit dhe siguria detare në ujërat ndërkombëtare, të cilat janë të mira të përbashkëta të njerëzimit, të ruhen kudo dhe në çdo rrethanë”, tha Barrot

 

Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Nowl Barrot ka bërë thirrje për dialog të nivelit të lartë mes Izraelit dhe Libanit si mënyra e vetme e mundshme për të zbatuar një armëpushim, transmeton Anadolu.

Duke folur për televizionin BFM TV, Barrot theksoi rëndësinë e “dialogut të nivelit të lartë midis Izraelit dhe Libanit”.

“Kjo është e vetmja mënyrë e mundshme për të konsoliduar një armëpushim dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Libanit që kanë vazhduar për dekada”, tha ai.

Izraeli ka vazhduar sulmet në jug të Libanit pas një goditjeje ndërkufitare nga Hezbollahu më 2 mars, pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi të arritur në nëntor të vitit 2024.

Autoritetet shëndetësore libaneze thonë se më shumë se 2 mijë persona janë vrarë dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga marsi.

Duke theksuar nevojën për përfshirjen e Libanit në një armëpushim në bisedimet e ardhshme mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, Barrot paralajmëroi se vendi “nuk duhet të bëhet kurban i dinamikave rajonale apo i luftërave që nuk i ka zgjedhur”.

“Shkatërrimi i Libanit nuk e eliminon Hezbollahun. Përkundrazi, e forcon atë”, theksoi ai.

Barrot gjithashtu përsëriti thirrjen e Francës për “rihapjen e plotë” të Ngushticës së Hormuzit dhe respektimin e “të mirave të përbashkëta të njerëzimit”.

“Është thelbësore që liria e lundrimit dhe siguria detare në ujërat ndërkombëtare, të cilat janë të mira të përbashkëta të njerëzimit, të ruhen kudo dhe në çdo rrethanë”, tha ai.

Barrot përsëriti gjithashtu nevojën për rikthimin e lundrimit, “jo vetëm për të kufizuar ndikimin e luftës në ekonominë globale, por edhe për të shmangur krijimin e një precedenti të rrezikshëm”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një bllokadë detare në Ngushticën e Hormuzit, e cila hyri në fuqi të hënën.

Bllokada erdhi pasi SHBA-ja dhe Irani nuk arritën marrëveshje në kryeqytetin pakistanez Islamabad gjatë fundjavës, në kuadër të bisedimeve që ishin pjesë e përpjekjeve më të gjera për t’i dhënë fund ofensivës SHBA-Izrael ndaj Iranit, e cila ka lënë të vrarë më shumë se 1.400 njerëz që nga 28 shkurti. Bisedimet pasuan një armëpushim dyjavor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit