12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

KRIJESAT MË TË MIRA DHE KRIJESAT MË TÊ KËQIJA – Tefsir nga Imam Sadi

Më të lexuarat

Allahu i madheruar thotë:
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit


1. Mohuesit prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarët kurrë nuk do të shpëtonin (nga rruga e humbjes), derisa t’u vinte argumenti i qartë.
2. I Dërguari prej Allahut, që lexon Fletë të Pastra.
3. Në to ka shkrime (plot ligje të drejta e) të urta.
4. Por ata të cilëve iu dha Libri u përçanë edhe pasi u erdhi Argumenti i Qartë.
5. Ata nuk qenë urdhëruar për gjë tjetër, përveçse që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë e me përkushtim ndaj Tij duke qenë besimdrejtë (hune-fae), si dhe të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.
6. S’ka dyshim se ata ithtarë të Librit dhe idhujtarë, të cilët nuk besuan (Islamin, Kur’anin, Muhamedin a.s), do të futen në zjarrin e Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija.
7. Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë krijesat më të mira.
8. Shpërblimi për ta është te Zoti i tyre, në Xhenetet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Atje do të jenë të përjetshëm. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është për ata që i druhen Zotit të tyre. [SURJA EL BEJINE 1 – 8]

Shpjegimi i ajeteve

– “Mohuesit prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarët kurrë nuk do të shpëtonin (nga rruga e humbjes), derisa t’u vinte argumenti i qartë…” – Ithtarët e Librit, të krishterë apo jehudë qofshin, dhe idhujtarët e çdo kategorie, do të vazhdo-nin të mos i ndaheshin rrugës së tyre të gabuar të idhujtarisë dhe mohimit të Zotit, derisa Ai t’u sillte fakte të qarta dhe argumente bindëse. Pastaj i Madhëruari tregon se çfarë argumenti u solli popujve për të gjetur rrugën e drejtë:

– “… I Dërguari prej Allahut, që lexon Fletë të Pastra. Në to ka shkrime (plot ligje të drejta e) të urta.” – Argumenti i qartë që udhëzon në rrugën e drejtë ishte një profet, të cilit Zoti do t’i shpallte një libër e që do t’i ftonte njerëzit në të vërtetën dhe të drejtën. Këtë libër ai do t’ua lexonte njerëzve, për t’u mësuar atyre Urtësinë, për të pastruar shpirtrat e tyre dhe për t’i nxjerrë nga errësirat në dritë. I Madhëruari e ka cilësuar Librin e Tij si “Suĥufen Mutahherah” – Fletë të Pastra.

Pra, ai është një libër i pastër nga çdo e metë dhe atij nuk mund t’i afrohen shejtanët. Atë e prekin veçse të pastrit, sepse është fjala e më të Lartit, që asgjë nuk mund t’i afrohet për nga madhështia, rëndësia dhe begatia. I Madhëruari thotë gjithashtu për librin e Tij që: “Në to ka shkrime (plot ligje të drejta e) të urta.”. Të vërteta janë historitë e tij, të padiskutueshme janë parashikimet e tij, të drejta janë dispozitat e tij. Ai udhëzon në rrugën e drejtë.

Me ardhjen e këtij libri, do të dallohej qartë kërkuesi i sinqertë i së vërtetës nga mashtruesi dhe shtiracaku. Pas dërgimit të Profetit dhe shpalljes së librit të Tij, çdokush do të mësojë të vërtetën dhe nuk do të ketë më justifikim tek i Madhëruari. Ai që do të besojë do ta bëjë këtë me dije e siguri të plotë, ndërsa ai që do të mohojë do ta bëjë këtë me vetëdije të plotë, jo për shkak të paditurisë dhe paqartësisë, sepse ky libër nuk lë asgjë pa shpjeguar dhe qartësuar prej çështjeve të besimit dhe udhëzimit.

Nëse ndodh që ithtarët e Librit nuk e besojnë Kur’anin, dijeni se kjo nuk është ndonjë gjë e re. Devijimi që ata preferojnë dhe inati i tyre gjithmonë i ka çuar në përçarje dhe armiqësi, edhe pas qartësimit të së vërtetës me fakte të qarta dhe argumente bindëse. I Madhëruari thotë:

– “Por ata të cilëve iu dha Libri u përçanë edhe pasi u erdhi Argumenti i Qartë.” – Argumentet e qarta normalisht duhet të sjellin unitet, por për shkak të prirjeve të sëmura që kanë, atyre u shtohet edhe më shumë devijimi; drita e argumenteve të qarta ua shton edhe më shumë verbërinë. Ky është shpjegimi i vetëm i refuzimit të tyre, sepse librat hyjnorë kanë të gjithë të njëjtin burim, Zotin e gjithësisë. Në çdo shpallje të Tij, Zoti ka urdhëruar për fenë dhe besimin e drejtë, që çojnë në bashkimin e njerëzve. Të gjithë profetët kanë dhënë të njëjtat udhëzime dhe kanë predikuar të njëjtën fe, siç thotë i Lartësuari më pas:

– “Ata nuk qenë urdhëruar për gjë tjetër, përveçse që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë e me përkushtim ndaj Tij duke qenë besimdrejtë (hune-fae), si dhe të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” – Urdhri i parë dhe i përhershëm është: adhurim i sinqertë dhe me përkushtim veçse për Allahun e Madhëruar. Të gjitha adhurimet t’i përkushtohen vetëm Allahut dhe askujt tjetër, në shenjë da-shurie e përunjësie, me frikërespekt dhe duke shpresuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij bujar në të dyja jetët. Urdhri i dytë është për të qenë hunefa, pra, besimtarë të vërtetë në Një Zot të vetëm, të distancuar nga çdo besim që largohet nga teuhidi dhe praktikon idhujtarinë.

Urdhri i tretë është për namazin dhe zekatin. Edhe pse këto dy adhurime i përfshin edhe urdhri i parë, ato janë për-mendur veçmas, për shkak të rëndësisë dhe vlerës së tyre të lartë dhe sepse mbi këto dy adhurime mbështeten të gjitha adhurimet e tjera të Islamit. Atëherë, kjo është feja e drejtë, kjo është udha e sigurt, që të shpie në Xhenetin e mirësive të përjetëshme. Çdo rrugë tjetër veç saj të çon në humbje, të çon në zjarrin e Xhehenemit. Më pas, Allahu i Madhëruar tregon për ndëshkimin e mohuesve dhe të pabindurve, të cilët e shpërfillin të vërtetën, edhe pas qartësimit të saj:

– “S’ka dyshim se ata ithtarë të Librit dhe idhujtarë, të cilët nuk besuan (Islamin, Kur’anin, Muhamedin a.s), do të futen në zjarrin e Xhehenemit, ku do të jenë për-gjithmonë.” – Ata do të ndëshkohen në zjarrin e Xhehenemit, i cili do t’i përfshijë dhe mbulojë tërësisht brenda tij dhe do t’i stërmundojë me përvëlimin e tij. Atje do të qëndrojnë përgjithmonë dhe kurrë nuk do t’u lehtësohet ndëshkimi. Ata do të jenë të përjetshëm në ndëshkim dhe të pashpresë për shpëtim apo lehtësim.

– “Ata janë krijesat më të këqija.” – Janë të tillë, sepse pasi e kanë njohur të vërtetën, e shpërfillin dhe e refuzojnë atë, du-ke shkatërruar në këtë mënyrë dynjanë dhe ahiretin e tyre.

– “Ndërsa ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata janë krijesat më të mira.” – Janë të tillë, sepse ata e njohin Allahun dhe e adhurojnë Atë, duke fituar kështu mirësitë dhe lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit.

– “Shpërblimi për ta është te Zoti i tyre, në Xhenetet e Adnit, nëpër të cilët rrje-dhin lumenj. Atje do të jenë të përjet-shëm..” – Ata do të jenë në Xhenete të përjetshme, ku do të qëndrojnë përgjith-monë. Atje nuk do të kenë lodhje dhe kurrë nuk do të largohen. Atje do të jenë në mirësi, nga të cilat kurrë nuk do të velen dhe nuk do të dinë të kërkojnë më shumë e më mirë sesa janë. Nëpër kopshtet e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të shijojnë të lumtur çdo mirësi të dhuruar nga Bujari i Madh.

– “Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Kjo është për ata që i druhen Zotit të tyre.” – Allahu është i kënaqur me ta, për bindjen dhe adhurimin e tyre të sinqertë për Të, sikurse Ai i mësoi dhe i udhëzoi nëpërmjet profetëve. Edhe ata janë të kënaqur me Allahun, për mirësitë dhe dhuratat e shumta që Ai u jep. Këto shpërblime të mrekullueshme u premtohen vetëm atyre që i druhen Zotit të tyre dhe i nënshtrohen Atij me respekt, duke zbatuar porositë e Tij, në shenjë dashurie dhe madhërimi për Të, dhe duke u larguar nga haramet që ka caktuar Ai. Këtu përfundon komenti i sures Bejjine. Falënderimi dhe lavdërimet i qofshin vetëm Allahut të Madhëruar!

/TEFSIRI I SADIT – Përktheu: Othman Agolli/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit