14.7 C
Pristina
Monday, September 20, 2021

KQZ BËN TË MUNDUR NDËRRIMIN E QENDRËS SË VOTIMIT BRENDA KOMUNËS

Më të lexuarat

Të gjithë kosovarët me të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, mund të ndërrojnë qendrën e votimit brenda komunës dhe të vendosin vetë për këtë.

Ndërrimi i qendrës së votimit mund të bëhet edhe online deri më datë 7 shtator. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ndërsa e ka treguar edhe mënyrën e ndërrimit të qendrës së votimit.

Kosovarët që planifikojnë të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, e kanë të mundur të shikojnë qendrën e tyre të votimit në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. E përveç kësaj, në uebin e KQZ-së që nga 20 korriku e deri më 7 shtator qytetarët mund të ndërrojnë edhe qendrën e votimit brenda komunës së tyre dhe të njëjtën ta zgjedhin vetë. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një prononcim për Radio Kosovën e shpjegoi mënyrën se si qytetarët mund të ndërrojnë qendrën e votimit.

Në ueb faqe, është aplikacioni ku votuesit mund të mësojnë qendrën e tyre të votimit, duke shënuar vetëm numrin personal. Po ashtu, përmes këtij aplikacioni, votuesit mund të ndërrojnë qendrën e tyre të votimit, duke ndjekur hapat që kërkohen. Ndërrimi i qendrës së votimit përmes KQZ-së është i mundur vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi ”, tha Elezi.

Votuesit e rinj që nuk e dinë vendvotimin, këtë mund ta gjejnë në uebfaqen e KQZ-së, duke klikuar mbi këtë link:https://eomp.kqz-ks.org/

Aktualisht në KQZ është duke vijuar edhe aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës, proces që do të zgjasë deri më 18 gusht. E deri më 22 korrik numri i aplikimeve ka kaluar mbi një mijë, pohon Elezi.

Deri më 22 korrik, janë pranuar 1,295 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 1,208, ndërsa 87 të tjera jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike. Edhe për këto raste, shërbimi votues i ka njoftuar për dokumentet që duhet t’i dërgojnë në mënyrë që t’u aprovohet kërkesa për regjistrim si votues jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, numri i aplikacioneve të dërguara për votim nga jashtë ishte pak më shumë se 130 mijë, prej të cilëve ishin regjistruar për votim 102 mijë e 100 persona. Votimi me postë për zgjedhjet e 17 tetorit, fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 15 tetor.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit