13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Kosovë, rritet kapaciteti teknik dhe infrastrukturor i aeroportit “Adem Jashari”

Më të lexuarat

“Ky projekt do të kontribuojë në disa aspekte, si në lehtësimin e aterrimit të aeroplanëve, shkurtimin e kohës së udhëtimit, ndotjen më të vogël të atmosferës si dhe çmime më të reduktuara të biletave të udhëtimeve”, tha ministri Aliu

Është rritur kapaciteti i pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” me 550 metra më shumë si dhe janë shtuar kapacitetet teknike të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror që do të kontribuojnë në siguri, raporton Anadolu Agency (AA).

Kështu kanë bërë të ditur në një konferencë për media ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI), Liburn Aliu, komandanti i KFOR-it në Kosovë, Franco Federici dhe drejtori i operimeve nga kompania Limak, Gokmen Aritay.

Ministri Aliu, i cili prezantoi projektin e realizuar nga të tri institucionet e lartpërmendura tha se pista është zgjatur nga 2.500 metra në 3.050 metra si dhe janë rritur kapacitetet teknike të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Ai tha se ky projekt do të kontribuojë në disa aspekte si në lehtësimin e aterrimit të aeroplanëve, shkurtimin e kohës së udhëtimit, ndotjen më të vogël të atmosferës si dhe çmime më të reduktuara të biletave të udhëtimeve.

“Me realizimin e këtij projekti, sistemi instrumental i aterrimit në këtë aeroport avancohet nga kategoria 2 në kategorinë 3b e që është një avancim jashtëzakonisht cilësor që aeroportin ndërkombëtar e bënë konkurrent në rajon. Po ashtu, pajisjet të cilat do të funksionalizohen me këtë projekt e që janë pajisje që kanë të bëjnë me navigimin me meteorologji, do të luajnë rol të rëndësishëm për aterrim në kushte të vështira atmosferike dhe me këtë rast eliminohet shkaktari kryesor i anulimit të fluturimeve dhe rënies së numrit të udhëtarëve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës”, tha Aliu.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, major-gjeneral Franco Federici tha se me pistën shtesë në aeroport do të ketë përfitime të shumëfishta nga kompania Limak e cila e menaxhon aeroportin me koncesion, por edhe nga qytetarët dhe nga shteti.

“Kjo është shumë me rëndësi për Kosovën për zhvillimin ekonomik. Do të keni më shumë pasagjerë, më shumë turistë, gjë që është e mirë për kompaninë sepse do të kursejë para ngase do të reduktohet kostoja e fluturimit dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme mjedisi do të përfitojë sepse do të shpenzohet më pak karburant”, tha gjenerali Federicci.

Drejtori i operimeve nga kompania turke Limak e cila menaxhon me koncesion aeroportin, Gokmen Aritay tha se ndihet krenar që është pjesë e këtij projekti i cili tha se do të ishte mjaft i vështirë pa ndihmën e ministrisë.

Projekti i financuar nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i nënshkruar në vitin 2017 ndërsa është para përfundimit, kurse vlera e tij totale është mbi 33 milionë euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit