10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Kosova zyrtarisht aplikon për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Më të lexuarat

Presidentja Osmani tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër pos BE-së dhe ky moment u dedikohet qytetarëve të Kosovës

Krerë të institucioneve të Republikës së Kosovës zyrtarisht kanë nënshkruar aplikimin që Kosova të bëhet anëtare në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e këtij nënshkrimi në Presidencë morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani tha se 14 dhjetori tash e tutje përpos si ditë kur Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u shndërrua në ushtri më 2018, është ditë historike edhe për aplikimin e shtetit në BE.

Osmani tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër pos BE-së dhe ky moment u dedikohet qytetarëve të Kosovës dhe gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë dhe pavarësinë dhe demokracinë e vendit derisa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid.

“Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuesja e paepur për paqe e siguri, e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë por ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses”, theksoi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e ardhmja e Kosovës është brenda BE-së dhe sot po bëjnë një hap të madh drejtë anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, BE.

Ai tha se aplikimi i nënshkruar sot nga krerë të institucioneve do t’i dorëzohet Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në Pragë.

“Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë. Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë”, theksoi Kurti.

Ai shtoi se shpejtësia me të cilën do të ecë Kosova përpara do të varet nga të gjithë duke kërkuar angazhim më serioz nga të gjithë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se ky aplikim për anëtarësim është me rëndësi për Kosovën dhe gjithë rajonin ngase BE-ja ofron stabilitet, demokraci, siguri prosperitet zhvillimor, respektim të të drejtave të njeriut, barazi, konkurrencë të ndershme dhe lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave.

Konjufca ftoi institucionet dhe përfaqësuesit e BE-së që ta miratojnë unanimisht këtë kërkesë.

“E ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim”, theksoi Konjufca.

Pas aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova në vijim duhet të kalojë edhe nëpër tre faza kryesore: në marrjen e statusit kandidat, negociatat e anëtarësimit dhe ratifikimin e traktatit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit