3.3 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

Kosova nënshkruan marrëveshje me Britaninë për misione ushtarake jashtë shtetit

Më të lexuarat

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për bashkë-zbarkime të forcave të të dyja vendeve në misione ushtarake jashtë këtyre dy shteteve.

Deklarata është nënshkruar të premten në Britani në mes të ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj dhe ministrit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Sipas autoriteteve të Kosovës, nënshkrimi për marrëveshjen e angazhimit të trupave të të dyja shteteve në misione të përbashkëta “rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”.

Jashtë Britanisë së Madhe, ushtria britanike është e angazhuar në operacione trajnimi apo operacione paqeruajtëse në Afrikë, Belize, Brunei, Kanada, Qipro, Xhibraltar, Irak, Mali dhe vende tjera.

Përveç Britanisë, Kosova tashmë ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për angazhimin e përbashkët të forcave ushtarake në misione të ndryshme.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në mars në Kuvajt një kontingjent të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ky ka qenë misioni i parë jashtë vendit i kësaj force.

Transformimi i FSK-së në forca të armatosura ka nisur më 2018.

Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit