Ky emigrant “refugjat” tunizian i çuditshëm dhe misterioz, i cili mbërriti në Kajro në vitin 1920, ishte pothuajse i panjohur. Ai kërkonte një vend të sigurt për t’u mbrojtur nga ndjekja e francezëve, të cilët kishin dhënë një dënim me vdekje për të. U vendos në një rrugicë të fshehur të lagjes popullore El-Hussein dhe filloi të kërkonte një punë që t’i siguronte jetesën. Disa i ofruan një punë të thjeshtë si korrektues në shtëpinë bituese Darul-Kutub (Shtëpinë e Librave). Askush nuk e dinte se ky “refugjat” i panjohur do të bëhej një nga figurat më të ndritura të jetës shkencore dhe intelektuale në Egjipt, një nga prijësit më të mëdhenj të mendimit dhe dijes, dhe se një ditë do të bëhej Imamul-Ekber, “Imami i Madh” i myslimanëve duke marrë drejtimin e El-Azharit në kulmin e lavdisë së tij.
Zotëriu ynë, Mohamed El-Hidër Husein, Zoti qoftë i kënaqur me të, përbën një figurë që e ndajnë mes veti tri shtete arabe: Algjeria, ku lindi më 16 gusht 1876, në një fshat afër kufirit me Tunizinë dhe u rrit në një familje të njohur për dijen dhe devotshmërinë; Tunizia, ku u zhvillua në aspektin arsimor, studioi dhe mësoi në universitetin e famshëm El-Zejtune dhe më pas shërbeu si gjyqtar; dhe Egjipti, ku u vendos përfundimisht, ndriçoi me dijen e tij dhe arriti pozitat më të larta fetare.
Ky dijetar i madh nuk ishte nga ata që ndahen nga hallet dhe sfidat e kombit të vet, as nuk i kthente shpinën padrejtësive që i binin mbi popullin. Ai e përmbushi rolin e tij akademik dhe shkencor, por edhe atë të luftëtarit për çlirim dhe drejtësi. Kur ishte gjyqtar në Tunizi gjatë pushtimit francez, ai nisi një gazetë politike-fetare me emrin “Lumturia e Madhe”, (es-Seadetul-Udhma) ku shpërndante dituri islame dhe gjuhësore dhe kritikonte ashpër përpjekjet e pushtuesit francez për të shuar identitetin arab-islamik të Tunizisë. Ai mund të kishte jetuar rehat nëse do të qëndronte i heshtur, por ky sheh “rebel” nuk mund ta pranonte një rol të tillë pasiv. Për këtë, francezët nuk e lanë të qetë: e ndoqën dhe e dënuan në mungesë me varje.
Si shumë dijetarë të kohës së tij, ai u drejtua për në Stamboll – atëherë qendra e kalifatit dhe strehë për myslimanët – por qëndroi pak kohë atje për shkak të krizave politike dhe kolapsit institucional. Më pas u zhvendos në Gjermani ku jetonte dijetari i njohur Abdelaziz Javish, por as atje nuk qëndroi gjatë. Më në fund shkoi në Damask, ku punoi si mësues i shkencave fetare dhe si gjyqtar deri në fundin e Luftës së Parë Botërore, kur Siria ra nën kontrollin francez. Për shkak të dënimit me vdekje që e ndiqte ende nga Tunizia, u largua edhe nga Siria dhe u vendos përfundimisht në Kajro, ku jetoi deri në fund të jetës.
Kur mbërriti në Kajro më 1920, askush nuk e njihte. Si çdo refugjat, ai kërkoi një punë modeste për të mbijetuar. Një punë si korrektues librash në shtëpinë botuese “Shtëpia e Librave Egjiptian” i hapi derën për t’u njohur me elitën shkencore dhe mendimtare të vendit. Shpejt, figura të tilla si Ahmed Tejmur Pasha e mbështetën, pasi e kuptuan se kishin përballë një dijetar të madh.
Dy ngjarje të rëndësishme në Egjipt e vendosën emrin e tij në qendër të debatit: botimi i librit “Islami dhe Bazat e Qeverisjes” nga Ali Abdel Razik, dhe “Mbi poezinë paraislame” nga Taha Husein. Të dy librat u panë si sfida ndaj doktrinave tradicionale dhe shenjtërive islame. Reagimi i El-Hidër Huseinit ishte aq i fuqishëm dhe argumentues, saqë përbënte goditjen më të madhe ndaj të dyve. Sidomos për Ali Abdel Razikin, të cilit ai i rrëzoi çdo tezë me fakte, duke treguar thellësinë e padijes së tij në fushën e politikës islame. Edhe Taha Huseinin e kritikoi fuqishëm në një libër të tërë, duke zbuluar se ai kishte kopjuar pjesë të tëra nga orientalisti anglez Margoliouth.
Aktiviteti i tij në Kajro nuk u kufizua vetëm në shkrime dhe botime. Ai themeloi shoqata shkencore, kulturore dhe fetare, ndër to “Shoqata e të Rinjve Myslimanë” me dijetarin Muhibuddin el-Hatib, për të mbrojtur të rinjtë nga rrymat perëndimore dhe ateiste. Ai gjithashtu krijoi “Grupin e Udhëzimit Islam”, që më vonë frymëzoi Hasan El-Benan në themelimin e “Vëllezërve Myslimanë”.
Pas një kohe, dijetarët e El-Azharit kërkuan që ai t’i nënshtrohej një komisioni për të marrë çertifikatën më të lartë të dijes nga El-Azhari. Kur nisën diskutimet, kryetari i komisionit, Abdul-Mexhid El-Lubban tha: “Çfarë testimi ti bëjmë këtij njeriu? Ai është një oqean dijeje pa brigje!” Dhe të gjithë vendosën njëzëri t’i japin çertifikatën. Ai u bë profesor në El-Azhar dhe më vonë redaktor i revistës zyrtare të tij. Më 1950, u zgjodh anëtar i Këshillit të Dijetarëve të Lartë, dhe pas dy vjetësh, u bë Imami i Madh i El-Azharit – një nder i rrallë për dikë që nuk ishte egjiptian, por që vinte nga universiteti i El-Zeitunës.
Por nuk qëndroi gjatë në këtë post. Kur më 1954 Xhemal Abdel Nasser vendosi të bashkonte gjykatat fetare me ato civile, El-Hidër Husein e kundërshtoi fuqishëm, duke theksuar se sheriati është burimi kryesor i ligjit dhe gjykata civile duhet t’i nënshtrohet atij, jo anasjelltas. Kur Nasseri këmbënguli, ai dha dorëheqjen me dinjitet dhe u tërhoq nga jeta publike. Vdiq më 28 shkurt 1958 dhe u varros në Kajro, qyteti që e deshi dhe ai e deshi atë.
Xhemal Sulltan
Përktheu: Bekir Halimi
