12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian me marrëveshje pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Më të lexuarat

“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Këshillit të BE-së

Përfaqësuesit e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) dhe të Parlamentit Evropian kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Këshilli i BE-së, teksti i rënë dakord tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit.

“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe kryesisë së Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Këshillit të BE-së.

Po ashtu, bëhet e ditur se rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore.

“Ky përjashtim nga kërkesa për të pasur viza do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024”, thuhet tutje në njoftim.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së u pajtuan që t’i japin mandatin Këshillit të BE-së që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian, për shkak të përparimit që Kosova ka arritur në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

ETIAS, i cili kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit, planifikohet që të hyjë në zbatim nga 1 nëntori i vitit 2023, por nuk ka garanci se ai do të fillojë në këtë datë.

Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ende ka regjim të vizave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit