Kanë dalë në dritë pamje tronditëse të fëmijëve që mbaheshin të ndaluar në burgun al-Aqtan, i administruar nga Forcat Demokratike Siriane (SDF/QSD) në fshatrat e provincës Raqqa, pas marrjes së kontrollit të burgut nga ushtria siriane.
Sipas informacioneve të publikuara, 126 të burgosur janë liruar, të gjithë të mitur nën moshën 18 vjeç. Pas lirimit, familjarë të shumtë u mblodhën para portave të burgut, duke u përpjekur të identifikonin fëmijët e tyre pas viteve të mungesës dhe pasigurisë.
Një nga fëmijët e liruar dëshmoi për keqtrajtime dhe tortura, duke deklaruar: “Na torturonin me rrymë elektrike.”
Në rrjetet sociale u përhap gjerësisht fotoja e një fëmije që bërtet nga gëzimi pas daljes nga burgu, e cila u shndërrua shpejt në simbol të lirisë dhe të vuajtjes së fëmijëve të ndaluar.
Reagimet në platformat sociale ishin të forta. Qytetarë sirianë shprehën tronditje dhe zemërim, duke përshkruar gjendjen e fëmijëve të liruar si zbathur, gjysmë të zhveshur, të uritur dhe të tmerruar. Shumë aktivistë dhe blogerë shkruan se burgjet e QSD-së nuk dallojnë nga burgjet e bandave më të rrezikshme, duke theksuar se burgosja e fëmijëve përbën krim, pavarësisht se kush e kryen.
Disa aktivistë shkuan edhe më tej, duke krahasuar burgun al-Aqtan me burgun famëkeq të Saydnayasë, i njohur për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ndërkohë, qindra familjarë u mblodhën para burgut, duke mbajtur fotografi të të zhdukurve të tyre, në përpjekje për të marrë çfarëdo informacioni mbi fatin e tyre.
Në përfundim, aktivistë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut deklaruan se regjimi sirian dhe QSD-ja përfaqësojnë dy anë të së njëjtës medalje, për sa i përket shkeljeve të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut.
Burimi: Rrjetet sociale
