10.3 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Izraeli reagon ndaj deklaratave të Presidentit Erdoğan

Më të lexuarat

Qeveria e Izraelit reagoi kundër deklaratës së presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan se “Jerusalemi është vija e kuqe për muslimanët”

 

 

JERUSALEM (AA) – Qeveria e Izraelit reagoi kundër deklaratës së presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan se “Jerusalemi është vija e kuqe për muslimanët”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, Emanuel Nahson në një deklaratë me shkrim tha se “Ta njohë apo jo Erdoğani, por Jerusaelmi është kryeqyteti tre mijë vjeçar i hebrenjve dhe 70 vjeçar i Izraelit”.

Në lajmet e mediave lokale thuhet se edhe ministri izraelit i Arsimit, Naftali Benett ka thënë se “Për fat të keq Erdoğan nuk ka humbur asnjë mundësi gjatë viteve të fundit për ta sulmuar Izraelin. Izraeli duhet t’i vazhdojë të gjitha qëllimet, përfshirë edhe njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Çdo herë do të del dikush që do të kritikojë por në fund është më mirë të kemi një Jerusalem të bashkuar, se sa dashurinë e Erdoğanit”.

Në mediat lokale po ashtu thuhet se drejtuesi i Ministrisë së Transportit dhe Inteligjencës, Yisrael Katz ka deklaruar: “Ne nuk marrim urdhra nga Presidenti i Turqisë. Izraeli është një shtet sovran dhe Jerusalemi është kryeqyteti i tij”.

Presidenti Erdoğan gjatë fjalimit të tij sot në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) foli për pretendimet se SHBA-ja do ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, me ç’rast tha: “Si kryesues të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), Turqia deri në fund do ta ndjek këtë çështje. Nëse kjo gjë ndodh, ne menjëherë do të mbledhim krerët e OBI-t në Stamboll. Nëse kjo shkon edhe më tej, mund të vjen edhe deri te ndërprerja e marrëdhënieve tona diplomatike me Izraelin”.

“Jerusalemi është vija e kuqe për muslimanët. Marrja e një vendimi të tillë si shenjë mbështetjeje për Izraelin, në një kohë kur vazhdon të rrjedh gjak nga plagët e popullit palestinez, kur çdo ditë vazhdojnë shkeljet e të drejtave, persekutimet dhe presionet, nuk është vetëm një shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por edhe goditje e rëndë ndaj ndërgjegjes njerëzore”, tha Erdoğan.

“Amerika i përfundoi të gjitha punët dhe i mbeti vetëm kjo? E përfundoi punën me DEASH-in dhe i mbeti kjo? Për momentin, Netanyahu dhe Izraeli nuk po arrijnë t’i mbyllin llogaritë e brendshme. Natyrisht, ne deri në momentin e fundit do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjen tonë në këtë aspekt. Kjo gjë mund të shkojë edhe deri te ndërprerja e marrëdhënieve tona diplomatike me Izraelin”, theksoi presidenti turk.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit