20.9 C
Pristina
Sunday, June 2, 2024

Islami si faktor kryesor në mbijetesën e kombit (I)

Më të lexuarat


Për më shumë se nëntëmbëdhjetë shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë e perandorive, të cilat bazoheshin jo te kombi, por te politika dhe feja. Ndikimi i politikës dhe religjioneve kanë qenë thelbësore në jetën e tyre.

Shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit kanë qenë për periudha të gjata pjesë e perandorive, të Perëndimit e të Lindjes. Ndikimi i tyre mbi këta popuj ka qenë i madh. Perandoritë, përgjatë sundimit të tyre, kanë pasur rol të rëndësishëm në përhapjen dhe mbrojtjen e religjioneve.

Për më shumë se nëntëmbëdhjetë shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë e perandorive, të cilat bazoheshin jo te kombi, por te politika dhe feja. Ndikimi i politikës dhe religjioneve kanë qenë thelbësore në jetën e tyre.

Periudha para islamit

Shqiptarët prej shekujsh ndodheshin midis latinëve nga bregdeti, sllavëve nga Lindja e Verilindja dhe grekëve nga Jugu. Presioni sllav i ngushtoi në pjesën perëndimore të gadishullit. Duke qenë nën sundimin e perandorive të Romës dhe Bizantit, por në periferi të tyre, viset ku banonin shqiptarët ishin objekt sulmesh, plaçkitjesh dhe sundimesh. Për një kohë të gjatë të shekujve të parë të krishterimit deri në shekullin e shtatë, qytetet e bregut të detit, prej Dalmacisë në veri e deri në Vlorë, ishin nën influencën e Perëndimit, sidomos të shteteve italiane.(1)

Gjatë shekujve V dhe VII, në Adriatik e brigjet e tij, zonat e influencës ishin ndarë e bëheshin shpesh teatër i luftërave e grindjeve për sundim. Për disa shekuj, deri në shekullin XIV, dhuna, intrigat dhe rivalitetet mbizotëronin dhe e bënë Adriatikun dhe brigjet lindore të tij, fushë të përplasjes midis latinizmit dhe sllavizmit, në dëm të popullsisë vendase.

Ata humbën qytetet bregdetare, ndërsa sllavët u kishin marrë fushat në Verilindje dhe Lindje. Qytetet bregdetare zotëroheshin nga latinët, ndërsa shqiptarët kishin disa qyteza të vogla në brendësi të vendit. Dukej se latinët nga Perëndimi dhe sllavët nga Lindja i kishin mbërthyer si në morsë shqiptarët.

Në shekullin X, shqiptarët ishin në zotërim të bullgarëve që ishin shtrirë deri në Butrint, Himarë, Vlorë, madje edhe në Durrës, duke caktuar kryeqytet Ohrin.(2)

Shtrirja e territorit ku banonin shqiptarët ka ndryshuar në kohë, pasi gjatë mesjetës së hershme deri në fillim të erës moderne, shqiptarët kanë qenë të detyruar të vendoseshin në pjesën kodrinore dhe malore të vendit të tyre për shkak të sulmeve të latinëve dhe të sllavëve.

Milan Suflay për atë periudhë, shkruante: “Nëpër malet shqiptare të paprekura nga luftërat e rreziqet, popullsia e një race shumë të bukur u mbajt e freskët, pjellore, e shëndoshë, me një jetësi të jashtëzakonshme ndër disa vise, e qëndrueshme ndër të gjitha fatkeqësitë, luftëtare, së cilës i ishte “dyshek toka, e jastëk guri”.(3) Në periudha të qeta ata ishin të prirë të zhvendoseshin drejt fushave. Kështu shqiptarët, – theksonte Shuflay, – rifituan edhe njëherë një pjesë të mirë të vendeve të banuara prej të parëve, të cilat me gjithë propagandat e huaja, përgjithësisht, i ruajtën deri me sot.”

Shqiptarët në Perandorinë Osmane

Gjendja e shqiptarëve do të ndryshonte me daljen e Perandorisë Osmane në gadishullin e Ballkanit. Shumë shqiptarë u përfshinë në ushtrinë osmane, madje morën pjesë në betejat e osmanëve kundër mongolëve dhe treguan trimëri të madhe. Ardhja e osmanëve në territoret shqiptare dhe fitorja e tyre në betejën e Fushë-Kosovës, më 1389, eliminoi presionin sllav mbi shqiptarët dhe rrezikun e asimilimit të tyre, madje osmanët e shpërbënë mbretërinë serbe. Osmanët ua morën latinëve qytetet bregdetare të Shqipërisë dhe ua kthyen shqiptarëve. Ata ndryshuan karakterin e qyteteve dhe, nga qytete kështjella i kthyen në qytete kasaba; nga qytete për sunduesit latinë, në qytete për popullin. Osmanlinjtë themeluan autoritetin e tyre në Ballkan ku futën për herën e parë në gjithë historinë e këtyre viseve, rrymën e të ashtuquajturit “Urbanizëm oriental”. “Kasaba”, qyteti ballkanik, është një krijim i Osmanlinjve. Qyteti nuk ishte më kështjella e sunduesve dhe banesat e shërbë-torëve rreth saj, por u shtri përtej tyre.(4)

Profesori i Universitetit të Gottingenit, dr. A. van Grisebaeh, shkruante se qyteti i Shkupit deri nga gjysma e viteve 1830 kishte pasur afro 18.000 shtëpi, por në fund të atyre viteve numri kishte rënë në dy mijë. Banesat ishin të bukura e të mëdha, që tregonin për pasuri dhe mirëqenie. Krahas tyre, Gjirokastra, Janina, Berati, Kruja, Gjakova, etj., vërtetonin zhvillimin e qyteteve kasaba të periudhës osmane.(5)

Perandoria Osmane në fazën e parë të ndërtimit të saj, paraqitej si një vepër e përbashkët, për ngritjen e së cilës u përpoqën, përveç vetë osmanëve, edhe të gjithë popujt e pushtuar të Azisë së vogël dhe të Ballkanit, pa marrë parasysh ndarjen e fesë, të kombit dhe të gjuhës. Kjo ishte cilësia e veçantë sociologjike që karakterizonte çdo fenomen perandorak, kudo e në çdo fazë të historisë së përbotshme. Perandoritë nuk mbështeten mbi themelin e kombësisë. Bazat e tyre janë fetare dhe politike. Por, përmbi të gjithave, është ndjenja fetare që sundon. Duke qenë kështu, përhapja e Islamit në territoret shqiptare do të luante rol të madh në jetën e shqiptarëve.

Ndryshe nga sa është propaganduar nga shkollat islamofobe të mendimit, kinse Islami është përhapur me dhunë, e vërteta historike është dokumentuar nga autorë të shumtë, seriozë e të pavarur se feja islame është pranuar në mënyrë të lirë, pa përdorim të dhunës apo imponimit.

Për përhapjen e Islamit në popuj të ndryshëm kanë ndikuar faktorë të shumtë e të ndryshëm, siç janë ata politikë, ekonomikë, shoqërorë, etj.

Përhapja e Islamit në Ballkan dhe në territoret shqiptare kishte filluar para ardhjes së osmanëve në gadishull. Perandori bizantin, Teofil, për të përballuar dyndjet serbe, kishte sjellë në Maqedoni 14.000 myslimanë.(6)

Perandoria Osmane, ndryshe nga Perandoria Romake e Bizantine që mbështeteshin vetëm në kristianizëm, funksiononte mbi bazën e pluralizmit religjioz, ku krahas Islamit që ishte feja e perandorisë, lulëzonin edhe fetë e tjera, si krishterimi ortodoks, katolik dhe judaizmi. Elementët historikë, deri atëherë në luftë: sllavë, latinë, grekë, shqiptarë, etj., u përfshinë në Perandorinë Osmane. Islamizmi u pranua në shumicë nga shqiptarët, por e morën edhe shumë bullgarë e serbë, ndërsa pak grekë e kroatë përqafuan Islamin. Më refraktarë nga të gjithë u treguan rumunët.(7)

Angelo Pernice, në librin “Origjina e evolucioni historik i kombeve ballkanike”, botuar në Milano më 1915, vinte në dukje: “Në periudhën e parë të pushtimit, sulltanët bënë koncesione të gjëra: lejuan që në vendet e fituara të formoheshin principata autonome; u lanë pronat pronarëve të vjetër të popujve të nënshtruar dhe u vunë taksa të vogla. Ata i lejuan kristianët të ushtronin lirisht besimin e

tyre, njohën autoritetin e Patrikanës së Kostandinopojës mbi të gjithë ortodoksët, duke i dhënë asaj të drejtën e mbrojtjes së interesave të besimtarëve të tyre, pranë Portës së Lartë.”(8) E njëjta sjellje e osmanëve ishte edhe për Kishën Katolike.



Xhamia Ali Pasha në Ohrid (shek. XVI)

Hofmann S. J., profesor në Institutin Papnor për Studime Orientale, shkruante: “Kisha katolike është zhvilluar edhe nën turqit. Gjatë këtij evolucioni historik‚ Vikariati Apostolik i Kostandinopojës është tregues i qartë i ambientit politik‚ kulturor e religjioz.”(9) Duhet theksuar se deri në vitin 1600 shumica e banorëve në territoret shqiptare ishin të krishterë.

Popullsitë që e përbënin perandorinë osmane ishin ndarë në “milete”, mbi bazën e religjionit të tyre, ku dy ishin më kryesorët:

Mileti fetar mysliman, i cili grupohej rreth hilafetit osman.

Myslimanët e çdo kombi ishin anëtarë të këtij grupimi, gëzonin të drejta të njëjta dhe formonin një bashkësi për një qëllim dhe një ideal.

Mileti fetar kristian (rum-mileti) që grupohej rreth Patriarkanës së Fanarit. Edhe në këtë milet, ishte po ajo formë: kombe të ndryshme, të drejta të njëllojta dhe ideale të përbashkëta.

Gjithë jeta e Perandorisë Osmane zhvillohej brenda në qarkun e këtyre dy lloj grupimeve.(10)

Krahas rum-miletit, u organizua një milet armen. Në krye ishte katolikosi. Katolikët e Gallatës administroheshin nga statusi i veçantë i qytetit, kurse ata të provincave konsideroheshin si të varur nga rum-mileti. Të nesërmen e pushtimit të Bizantit u organizua mileti hebre (jahudi milet), megjithëse vetëm më 1839 u lëshua një berat (dekret) në formën e duhur. Në 1453, Mehmeti i dytë emëroi drejtpërdrejt si rabin të madh Moshe Kapsaliun, por pasardhësit e tij u zgjodhën nga bashkësia.(11)

Me përfshirjen e territoreve dhe popullsisë shqiptare në Perandorinë Osmane, shumica e fisnikëve shqiptarë u konvertuan në Islam dhe e ruajtën pasurinë dhe statusin shoqëror, madje këtë të fundit e përmirësuan.(12)

Në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’ është e ç’do të bëhet”, Sami Frashëri ka shkruar: “Shqiptarët kishin zënë të marrin besën e Turqve e të bëhen myslimanë që pa rënë Shqipëria në duart e Turqve” të cilët, “gjetën në shqiptarët, një shok të luftës e të besës, edhe shqiptarët gjetën në Turqit një zot që u hapte përpara një shesh të gjërë e të çpenguarë…”(13) Ai përmendte shqiptarin Bajazit pasha, që në luftën e osmanëve kundër Timurlengut kishte shpëtuar Sulltan Mehmetin duke e nxjerrë nga rrethimi. “Ky ishte shqiptar”, – shkruante Sami Farshëri, – “si dhe shumë të tjerë pashallarë e të tjerë njerëz të mëdhenj, që kanë treguar trimëri të mëdha e shërbime të rënda në ushtrinë e Turqve shumë kohë më parë se të merrej Shqipëria prej Turqve”.(14)

Toleranca fetare e Perandorisë Osmane dhe pluralizmi religjioz i saj, ndikoi në mirëkuptimin e kombeve dhe religjioneve që i përbënin. Giovani La Cecilia, në librin “Rusia e Evropa Perëndimore në çështjen e Lindjes”, shkruante: “Toleranca religjioze e osmanlinjve ishte shpallur që në aktet e para të Zotit të ri të Bizantit”.(15)

Një prelat i lartë i Kishës Katolike, i dërguari apostolik i Vatikanit në Shqipëri, gjatë viteve të Luftës II botërore, Leone G. B. Nigris, në librin “Lindja kristiane e Roma”, shkruante se kishte të krishterë që mendonin se: “Më mirë çallma e turkut se sa kurora e Papës”, ndërsa të tjerë thoshin që: “Duhet të preferojmë më mirë turqit se latinët”. Në fund të shekullit XIX, iu përgjigjen apelit të Leonit 18, me fjalët: “Ne nuk duam që të jemi skllevër”.(16)

Shoqëria e ndërtuar në Ballkan, pas ardhjes së osmanëve, ishte e bazuar në dy elementë të civilizimit: Islamit dhe Ortodoksisë. Midis këtyre civilizimeve ishte kohezioni reciprok, vepra e njërit plotësonte veprën e tjetrit, e secila nuk mund të ishte vitale e pavarur nga tjetra.

Pas shekullit XVI, në shoqërinë ortodokse-myslimane ishte një ndarje e madhe e punës politiko-sociale, që lejonte paqen konsistente dhe zhvillimin progresiv të dy elementëve përbërëse të saj. Këtë e pohonte edhe i ngarkuari me punë i Greqisë në Romë, Mizopulos, më 1908, i cili, midis të tjerave, deklaronte: “Shteti otoman është Bizanti i vjetër nën të tjerë zotërinj e tjetër emër. Por në thelb mbetet e njëjta, me përjashtim që, në vend të një, janë dy popuj që përbëjnë bazën e perandorisë së re. Myslimanët janë padronët politikë, ne padronët socialë…”(17)

Shqiptarët, sundues të shqipërisë

Kushdo që studion periudhën e Perandorisë Osmane do të befasohet nga roli që kanë luajtur shqiptarët. Sistemi i qeverisjes së Perandorisë Osmane deri në vitin 1808, kur në fron hipi Sulltan Mahmudi i Dytë, ishte një lloj autonomie me një liri, pothuajse të plotë, për popujt e ndryshëm të perandorisë. Pra, thënë ndryshe, perandoria funksiononte mbi bazën e parimit federal.

Në Shqipëri, administrata ishte në dorë të bejlerëve e të agallarëve vendas dhe bazohej mbi trashëgiminë, djalë mbas djali. Sulltani ndërhynte vetëm në emërimet më të larta, si të sanxhak-bejlerë, bejlerë-beve e vezirëve. Por edhe ata i emëronte nga paria e vendit. Me shqiptarët, sulltani përbënte gardën e tij, ndërsa sistemi i financave ishte mbushur me shqiptarë. Stambolli e Anadolli qeveriseshin prej shqiptarëve: pashallarë, kadilerë, kajmekamë, nëpunës doganash e xhandarë, shqiptarët gjendeshin deri në skaj të perandorisë.(18) Pasanikët shqiptarë, kudo që emëroheshin, merrnin me vete nga vegjëlia shqiptare. Shqiptarët ndodheshin në të gjitha zyrat e Perandorisë Osmane.

Qeveria osmane emëronte në Shqipëri pothuajse gjithnjë sundimtarë prej kombësisë shqiptare dhe nga familje të përmendura për trimëri e politikë. Myslimanë e të krishterë kanë shërbyer, që të dy palët, në qeverinë e Perandorisë Osmane dhe i kanë dhënë asaj burra shteti të përmendur dhe dijetarë të zot. Edhe në luftëra, shqiptarët, myslimanë e të krishterë kanë marrë pjesë së bashku. Të krishterët ishin të armatosur si vëllezërit e tyre që u islamizuan.(19)

Shqiptarët, të mësuar me luftëra të paprera, duke pranuar fenë myslimane, gëzonin privilegje të veçanta dhe realizonin dëshirat e ambiciet e tyre. Për më shumë se katër shekuj e gjysmë, Perandoria Osmane pati shumë gjeneralë të famshëm shqiptarë, vezirë të mëdhenj dhe me dhjetëra agallarë të jeni-çerëve. Garda perandorake përbëhej prej shqiptarëve, të cilët e kishin rrugën të hapur për t’u ngritur deri në zyrat më të larta të perandorisë. Shqiptarët, – shkruante Alessa-ndro Turko, – përbënin gjithnjë bërthamën e asaj ushtrie të tmerrshme, që konsiderohej më e forta në botë.(20)

Për vendin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, Eqrem Bej Vlora, shkruante: “Në kohën e sundimit turk ne gjejmë në çdo degë të veprimtarisë, mijëra shqiptarë që sundojnë baras me turqit fatin e Perandorisë…Prej dyerve të Kalasë së Vjenës, në Beuder e Kaukazit, në Persi e në ranishtet e Arabisë shkëlqenin cilësitë luftarake të shqiptarëve.”(21)

Nga viti 1453 deri në reformat e Tanzimatit, për afro katër shekuj, shqiptarët sunduan jo vetëm vendin e tyre, por edhe rajonet e largëta të perandorisë. Mit’had Frashëri shkruante: “Shqipëria hyri nën sundim të Turqisë, jo si një vend i mundur, po si një komb shok dhe baras. Shqipëria, mund të themi se, ka qenë i vetmi vend që ka mbajtur lirinë dhe zakonet e saj: Turqia veç emrin kish në vendin tonë, se qeveri e vendit ka mbetur gjithnjë në duart e shqiptarëve, të fëmijëve (familjeve, – Xh. S.) të vendit, që kanë mbajtur gjer fort mëvetësinë e tyre, aq sa qeveri e Turqisë s’kish asnjë fuqi në Shqipëri.”(22)

Georg Stadtmuller vinte në dukje se që nga mbarimi i shekullit XVI deri në luftën ballkanike (1912), pothuaj se shumë nga vendet dhe zyrat kryesore të Perandorisë ishin në dorë të shqiptarëve. Shqiptarët, – shkruante ai, – përbënin thelbin e ushtrisë osmane. Kudo, në të gjitha krahinat e Perandorisë së gjerë deri në Irak dhe në Sudanin egjiptian, kishte garnizone “arnaute”, të cilat e përshkonin gjithë Perandorinë. Ata u ngjitën edhe ndër vendet më të larta të nëpunësive, kështu që, qysh më 1590 më të shumtët e vezirëve ishin shqiptarë. Shqiptarët ishin, mbas turqve, shtyllat më të forta të Perandorisë Osmane.(23) Pas tyre vinin grekët e boshnjakët, serbët e bullgarët, rumunët e arabët dhe në fund çerkezët e tartarët. Shqiptarët kishin zënë vend të rëndësishëm në ushtri, ndërsa grekët në administratë e në organizmin e funksionimin shtetëror. “Shqiptarët që kaluan me shumicë në islamizëm qysh prej mbarimit të shekullit XVI, – vinte në dukje Stadtmuller, – në saje të forcës së vet ushtarake, fitojnë menjëherë vendet e para në ushtri… Shqiptarët, mbas turqve, bëhen mbroj-tësit më të rëndësishëm të mbretërisë otomane.”(24)

Në fund të shekullit XIX, në Rumeli kishte më shumë shqiptarë në funksionet e perandorisë se të kombeve të tjerë, madje më shumë se vetë turqit. Alfred Rappa-port, diplomat i perandorisë Austro-Hungareze dhe nga njohësit më të thellë të Ballkanit, kishte vënë re se midis elementit të zgjedhur të burokracisë otomane, “Hysen Hilmi Pasha, kishte grumullue ma të shumën shqiptarë, për administrim të tri vilajeteve”. Ishte periudha kur Fuqitë e Mëdha i imponuan Perandorisë Osmane zbatimin e marrëveshjes austro-ruse të Murzstegu-t (1903) për reforma në Maqedoni. Ishin reforma që do të rezultonin shkatërrimtare për shqiptarët, por që nuk u zbatuan nga rezistenca e tyre.

Deri në rënien e Perandorisë Osmane, shqiptarët ushtruan, në tërë Perandorinë Osmane, funksione politike, ushtarake e administrative dhe përbënin palcën e administratës civile e ushtarake të shtetit osman. Sipas Giovanni Amadori-Virgilj, në fillin të shekullit XX, ishin 60.000 shqiptarë në shërbimin politik e ushtarak të perandorisë, 40.000 ushtronin profesione private, ndërsa rreth 100.000 familje shqiptare jetonin nga nëpunësitë në perandori. Në ushtrinë e Perandorisë Osmane ishin 60 gjeneralë shqiptarë, ndërsa mijëra shqiptarë formonin Gardën e Pallatit.(25)

_________________

1 Revista Hylli i Dritës, tetor 1938, nr. 10, f. 548.

2 A. Pernice – Orgine ed evoluzione storica della Nazioni

balcaniche- Milano- Hoepli 1915, Libri 1. f. 18.

3 Revista Hylli i Dritës, viti 1944, nr. 3-5, f. 102. P. Marin

Sirdani, Shqypnija e Shqyptarët.

4 Përpjekja Shqiptare, viti i parë, v. 1, Tiranë tetor 1936, f. 42-45. Roli historik i Perandorisë s’Osmanllive në Ballkan dhe burime historike t’idesë nacionaliste shqiptare.

5 Diturija, tetor 1928, nr. 12, f. 388. Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit të 19; Reise durch Rumelien und nach Brussa im Ja Grisebach, Dr. med. 2 vol., Gottingen 1841.

6 Ildebrando Bencivenni, La Guerra degli stati balcanici conto la Turchia. f. 21. Shih dhe: Perpjekja Shqiptare, viti i pare, vellimi i pare, Tirane Tetor 1936, f. 42-45. Roli historik i Perandorise s’Osmanllive ne Ballkan dhe burime historike t’idese nacionaliste shqiptare.

7 Enciclopedia italiana, v. 5, f. 924.

8 Angelo Pernice, Orgine ed evoluzione storica delle nazioni balcaniche, Milano 1915.

9 G. Hofmann, S. J – Il Vicariato apostolico di Costandinopoli 1453-1830, Roma 1935, f. 12-13.

10 Revista Perpjekja Shqiptare, viti 1, v. 1, Tirane Tetor 1936, f. 42-45. Roli historik i Perandorise s’Osmanllive ne Ballkan dhe burime historike t’idese nacionaliste shqiptare.

11 George Castellan, Histori e Ballkanit, f. 125.

12 Histori e Shqiperise, Tirane 1964, v. 2, f. 239.

13 Sami Frasheri, Shqiperia c’ka qene, c’ eshte e c’do te behet. Mendime per shpetimin e memedheut nga rreziqet qe e kane rrethuar, Bukuresht, 1899, f. 13-14-15.

14 Sami Frasheri, veper e cituar, f. 33.

15 Giovani La Cecilia, La Rusia e L’Evropa Occidentale nella questione d’oriente, Genova 1860, v. 1, f. 8.

16 Leone G.B. Nigris – L’Oriente cristiano e Roma, Grottaferrato 1942, f. 127.

17 Giovanni Amadori Virgilj, La questione rumeliota e la politica italiana, Bitonto 1908, Volumo primo, f. 46-47.

18 Revista LEKA numer i vecante, viti 1938, nr. 10-12, f. 431. Shqipnija para Lidhjes se Prizrenit.

19 AQSH, fondi Komuniteti Mysliman, viti 1960, dosja 73.

20 Alessandro Turco, La politica italaina in Albania, Roma 1914, f. 14.

21 Eqrem Vlora, Perpjekjet e popullit shqiptar, Tomori i Vogel (viti 1, Nr. 7, 1 prill 1912)

22 Lumo Skendo, Shqiptaret gjer me tani dhe pastaj, Dituria, Selanik, moti i pare, 1 mars 1909, nr. 3, f. 33-36.

23 Leka, viti 1944, nr. 4-8, f. 284.

24 Hylli i Drites, mars-prill 1940, f. 196.

25 Giovanni Amadori-Virgilj, veper e cituar, f. 331.

Xhafer Sadiku

Dituria Islame 381

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit