IPKO: Jemi nën presion

0
43

Kompania IPKO, përmes një komunikate për media, ka njoftuar opinionin se Grupi Koha (KTV, Koha Ditore, Koha.net), po ushtrojnë presion ndaj saj pasi IPKO nuk është pajtuar të paguajë shumën prej 10.000 euro në muaj për prezencën e kanalit televiziv Kohavision (KTV) në platformën e rrjetit kabllor digjital IPKO.

Sipas IPKO-s, kjo formë presioni dhe shantazhi i Grupit Koha është mesazh i keq për gjithë kompanitë e huaja që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

IPKO dëshiron ta informojë opinionin publik për presionin e vazhdueshëm medial të bërë nga Grupi KOHA, përkatësisht mediumet e saj – Kohavision (KTV), Koha Ditore dhe Koha.net, i cili ka filluar menjëherë pasi kompania IPKO nuk është pajtuar të paguajë shumën prej 10.000 euro në muaj për prezencën e kanalit televiziv Kohavision (KTV) në platformën e rrjetit kabllor digjital IPKO.

Prandaj, për faktet e shtrembëruara të cilat së fundmi po publikohen nga mediat e Grupit KOHA, e vërteta është si në vijim: “Drejtor ekzekutiv i kompanisë IPKO është Robert Erzin dhe jo Bujar Musa, siç thuhet në numrin e sotëm të Kohës Ditore. Si anëtar i bordit të kompanisë, z. Musa asnjëherë nuk e ka pasur pozitën e drejtorit ekzekutiv në IPKO. Kompania IPKO nuk ndërhyn në jetën private të asnjërit prej aksionarëve të saj, apo në mënyrën se si ata e menaxhojnë pasurinë e tyre private”, theksohet në komunikatën e IPKO-s.

Kompania IPKO dhe Fondacioni IPKO janë dy entitete të ndara ligjore dhe ato kanë pavarësi të plotë të operimit. Si palë e cila nuk i kontrollon kriteret e dhënies së bursave për qindra studentë kosovar të cilat jepen nga Fondacioni, IPKO nuk mban përgjegjësi për bursat e dhëna, dhe për çdo interes të mediave ose publikut në këtë drejtim, pyetjet duhet të drejtohen tek Fondacioni IPKO, i cili e menaxhon këtë program.

Hetimet e fundit në Telekom Slovenije nuk janë të lidhura me punën e menaxhmentit aktual të Telekom Slovenije ose kompanisë IPKO. Udhëheqësit aktual të kompanisë IPKO nuk janë pjesë e hetimeve, dhe ata mbeten të fokusuar në rritjen e biznesit, kënaqësinë konsumatore, shërbimet e reja dhe krijimin e vlerës për kompaninë IPKO dhe tregun në të cilin ajo operon.

“Që nga refuzimi për të paguar shumën e kërkuar nga IPKO, Grupi KOHA po i përdor të gjitha mekanizmat e saj për të bërë presion dhe fushatë të pandershme mediale kundër kompanisë IPKO. Në shumicën e publikimeve në mediat e saj, Grupi KOHA po mundohet që me fakte të shtrembëruara të krijojë rrëfime që nuk lidhen me kompaninë IPKO, me qëllim të ushtrimit të presionit të vazhdueshëm medial ndaj kompanisë”.

“IPKO vlerëson se sjelljet e tilla nga Grupi KOHA janë mesazh i keq për të gjitha bizneset në Kosovë, e posaçërisht për investitorët e huaj ekzistues dhe ata potencial të cilët synojnë të vijnë dhe të investojnë në ekonominë e Kosovës. Një fushatë e tillë mediale kundër —kompanisë IPKO shihet si kërcënim serioz edhe nga shumë biznese vendore, të huaja dhe ato sllovene të cilat aktualisht veprojnë në Kosovë”.

Për disa vjet me radhë tashmë, IPKO është dëshmuar si njëri ndër partnerët dhe mbështetësit kryesor të mediave kosovare, me të cilat vazhdon të ketë raporte tejet korrekte dhe respekt të ndërsjellë. Ndërsa për përgjegjësinë ndaj shoqërisë kosovare, IPKO është vlerësuar dhe ka marrë çmime nga organizatat dhe institucionet kredibile në Kosovë dhe jashtë saj.kohaislame