8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Institucionet arabe kritikojnë Izraelin për etiketimin “terrorist” të grupeve të të drejtave të njeriut

Më të lexuarat

Partia e Punëtorëve Tunizianë, një parti majtiste, publikoi një deklaratë të nënshkruar nga 13 institucione nga shtete të ndryshme arabe

Partitë politike dhe organizatat nga bota arabe lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar vendimin e Izraelit i cili javën e kaluar etiketoi gjashtë grupe palestineze të të drejtave të njeriut si “organizata terroriste”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Partia e Punëtorëve Tunizianë, një parti majtiste, në llogarinë e saj në rrjetet sociale publikoi një deklaratë të nënshkruar nga 13 institucione nga Tunizia, Maroku, Palestina, Jordania, Mauritania, Libani, Egjipti, Siria, Kuvajti dhe Bahreini.

“Ne e dënojmë këtë klasifikim dhe e pranojmë atë si pjesë të politikës okupuese sioniste që uzurpon të drejtat e popullit palestinez”, thuhet në deklaratë.

“Terrorizmi i vërtetë përfaqësohet dhe mishërohet nga shteti i formacionit sionist, i cili historikisht u krijua si një zgjatje e bandave terroriste dhe kriminale dhe i është përkushtuar uzurpimit të tokave, vrasjes dhe zhvendosjes së popullit palestinez që nga krijimi i tij si një entitet pushtues”, thuhet në deklaratë.

Deklarata gjithashtu u bëri thirrje të gjithë “njerëzve të lirë në botë” që të refuzojnë këtë klasifikim të terrorizmit, duke shtuar se solidariteti me organizatat joqeveritare palestineze do të vazhdojë.

Të premten, Izraeli akuzoi gjashtë grupe të të drejtave të njeriut për lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, një grup i ndaluar nga ushtria izraelite.

Gjashtë organizatat janë Shoqata e Mbështetjes së të Burgosurve dhe të Drejtave të Njeriut “Addameer”; organizata “Al-Haq”; Qendra për Kërkim dhe Zhvillim “Bisan”; Mbrojtja Ndërkombëtare për Fëmijët-Palestinë; Unioni i Komiteteve të Punës Bujqësore; si dhe Unioni i Komiteteve të Grave Palestineze.

Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës ishte fraksioni i dytë më i madh në Organizatën Çlirimtare të Palestinës (PLO) gjatë viteve 1970 dhe u zgjodh si anëtar i Këshillit Legjislativ në zgjedhjet e fundit parlamentare të Palestinës në 2006.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit