15.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Ibrahimi: Lëvizja Besa ka vija të kuqe me Ahmetin dhe Gruevskin

Më të lexuarat

Nënkryetari i Lëvizjes Besa ka thënë në Ora e Fundit, se kjo lëvizje identifikohet përmes “Tre A”, që janë Autoktone, Autentike dhe Autonome, njofton Klan Kosova.

“Kjo ka lindur nga vullneti i lirë i shqiptarëve të Maqedonisë dhe rinia e pakënaqur shqiptare në Maqedoni”.

“Ajo mbron interesat e shqiptarëve, por nuk është përjashtuese ndaj etnive të tjera, pasi që mirëqenia nuk është të jetë diçka që na përket vetëm neve”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se në përbërje mund të ketë njerëz që kanë kaluar nga parti të tjera, por që thekson se nuk kanë lindur si fraksion apo shkëputje nga ndonjë subjekt.

“Është një lëvizje që ka lindur nga vullneti i shqiptarëve”.

“Ka shumë aspekte që na bëjnë të dallueshëm nga partitë tjera, qoftë bagazhi politikë, dimensioni ideologjik, kapaciteti kadrovik, vizioni politik, oferta politike që na bëjnë të dallueshëm”.

“Ia kemi dalë që të jemi të kujdesshëm për përzgjedhjen e kuadrove që janë në Lëvizjen Besa”, shton ai.

Vizioni afatgjatë i tyre thekson se është mbrojtja dhe kultivimi i identitetit shqiptarë dhe të ruhet indi i shqiptarëve në Maqedoni.

“Ne nuk jemi derivat të strukturave të nomenklaturës komuniste. Jemi produkt autokton dhe autentik i shqiptarëve të Maqedonisë”.

Ai përsërit të mos kenë asnjë lidhje me Turqinë, për çka përflitet.

“Nuk mund të gjeni asnjë rresht të vetëm ku ne flasim për çështje të fesë, apo të ndonjë islami politikë”.

“Ato janë produkte të kuzhinës së BDI. Janë spekulime, shpifje dhe spekulime që i bëjnë oponentët tonë politikë”, pohon Ibrahimi.

“T’i besosh kësaj është sikur të besosh se babadimri është i vërtetë”.

“Në qoftë se i shihni numrat që ka fituar Lëvizja Besa dhe faktin që mund të kemi shtatë deputetë, vetvetiu nënkupton ata që kanë humbur sigurisht se nuk iu ka ardhur mirë, prandaj dhe kanë shpikur gënjeshtra dhe shpifje”.

“Kemi pesë deputet tash për tash, por sipas zhvillimeve është zbuluar një skandal i Komisionit Zgjedhor, ku ka mospërputhje të regjistrave, me çka ne së paku edhe një deputet e nxjerrim”.

“Është me rëndësi që t’i kthehet Shkupit fama dhe fuqia shqiptare, ne jemi të koncentruar në pjesën veriore të Maqedonisë. Suksesi ynë më i madh ka qenë në Shkup, Kumanovë dhe në Tetovë”.

“S’kemi dalë mirë në Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Por Lëvizja Besa është e shtrirë në çdo fshat të Maqedonisë”.

Koalicioni Rilindje me Besë nuk duhet të presë ofertë por duhet të japë ofertë, sipas Ibrahimit.

“Për VMRO-DMNE kemi vija të kuqe për shkak të lidershipit të saj. Me Gruevskin nuk bashkëpunojmë”.

“Pjesa e interesave shqiptare në Maqedoni duhet të bëhet përmes zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe. Duhet te bëhet zhvillim në ekonomi, arsim dhe fusha tjera”, shton ai.

“Refuzojmë koalicion me BDI sepse kanë pothuajse të njëjtit lidership si VMRO-DPMNE”, përfundon Ibrahimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit