I dashuruar me librat

Më të lexuarat

Nuk kam qenë ndonjë nxënës i shkëlqyer. Jo nga ata që mbanin rreshtin e parë dhe ngriheshin të parët për të dhënë përgjigje. Unë ecja me hapin e shokëve, as më shpejt, as më ngadalë. Por me librin… me librin kisha një lidhje tjetër. Një marrëdhënie që nuk matet me nota.

Ishe i vogël kur e kuptova se librat më çonin në një botë që nuk e gjeja as në lagje, as në mësime, as në televizor. Më çonin në kohëra të shkuara, më jepnin një gjuhë që nuk e kisha, më bënin të ndihesha më i pasur.

Kam qenë i abonuar në tre biblioteka njëherësh — të lagjes, të shkollës dhe të Pallatit të Pionierit. Të treja i shfrytëzoja si të ishin dhoma të mia. Librat i merrja me grushta. Deri tre në javë. Shpesh më thoshin: “Nuk ke kohë për kaq shumë.” Por nuk ma dinin ritmin.
Në bibliotekën e Pallatit të Pionierit isha bërë si mik shtëpie. Përgjegjësja, Ollga, më kishte fiksuar. Një ditë më vuri në provë:
— Po mirë, unë do të të jap librat që do, por me një kusht. Për çdo libër që merr, do vish të ma tregosh çfarë lexove.

Nuk u tremba. Përkundrazi, ndjeva si të më kishin dhënë një mikrofon për të folur për pasionin tim. Nuk ma merrte mendja se mund të ndihesha aq mirë duke rrëfyer për një roman, për një personazh, për një fund që nuk ma kishte marrë mendja.
Me kohë, Ollga nuk më pyeste më. Vetëm më shihte me buzëqeshjen e një njeriu që e di se libri e ka bërë punën e vet.

Sot… sot më vjen keq.
Kur hyj në Bibliotekën Kombëtare, shoh vetëm të moshuar. Ata lexojnë pa pushim, me një qetësi që vetëm vitet mund ta sjellin. Janë njerëz që kanë ushqyer shpirtin që të vegjël. Fëmijët sot… nuk hapin as librat e shkollës, jo më ndonjë tjetër.
Dhe unë, megjithëse ende lexoj, ndiej që sytë e mi kanë ndryshuar. Nuk lexoj më si fëmijë, por si redaktor. Shoh gabime, struktura, forma. Nuk e lejoj më veten të humbas si dikur.

E megjithatë, dhuratë më e bukur se libri nuk ka. Kur ndonjëri nga miqtë e mi mendon të më sjellë diçka, tashmë e di:
Libri është ende çelësi për të më gëzuar.

Genti Lika

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit