11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Hoxhallarët shqiptarë dhe dënimi i terrorizmit

Më të lexuarat

Në vitin 2009 u arrestua Artan Kristo, i cili u akuzua për terrorizëm, akuzë kjo që më pas ra dhe ai doli i pafajshëm për këtë akuzë që i bëhej.
Ne në atë kohë patëm bërë një deklaratë të cilën mund ta gjesh edhe në një nga gazetat e asaj kohe, bashkë me emrat që e patën firmosur atë. ja vlen ta rilexosh deri në fund

DEKLARATË E HOXHALLARËVE TË SHQIPËRISË

Ndaj akuzave që penalizojnë muslimanët shqiptarë për nxitje të akteve terroriste

Duke u nisur nga ngjarjet e fundit, të arrestimit të një predikuesi musliman, që u pasua nga akuza për terrorizëm, si dhe nga mënyra se si kjo çështje u trajtua nga mediat, ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, jemi të detyruar të sqarojmë se:

1- Dënojmë çdo propagandë apo aktivitet kriminal që cenon jetën, pasurinë dhe moralin e qytetarëve të këtij vendi, qoftë kjo edhe nën petkun e fesë dhe besimit. Ashtu siç dënojmë dhe abuzimin që bëhet nga persona të ndryshëm, me koncepte të tilla islame siç është xhihadi, për të justifikuar aktet terroriste që nuk kanë të bëjnë aspak me të.
Xhihadi në konceptin islam nuk është aspak strehë për dhunën ndaj të pafajshmëve, për prishjen e rendit publik dhe terrorizimin e popullsisë civile. Xhihadi është përpjekje njerëzore për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe vendosjen e drejtësisë, ku njerëzit të shijojnë lirinë që u ka falur Zoti. Në këtë kuptim, ai përfshin në vetvete para së gjithash çdo aktivitet paqësor të besimtarëve, që përpiqen për lartësimin e së mirës. Lufta e armatosur, sipas Islamit, është opsioni i fundit, i padëshiruar, por që mund të ligjërohet vetëm në kushte ekstreme të vetëmbrojtjes, dhe nën juridiksionin e një shteti. Zoti për këtë shprehet në Kuran dhe thotë: “Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut.” (22:40)

2- Terrorizmi është përdorimi i dhunës për arsye politike. Për këtë arsye, tradita e shenjtë islame është kundra terrorizmit, ashtu si dhe kundra çdo lloj filozofie ku qëllimi justifikon mjetin, pavarësisht se sa i lartë mund të jetë qëllimi. Por, ashtu si fetë e tjera qiellore, Hebraizmi dhe Krishterimi, Islami ka një trashëgimi luftarake, xhihadin, i cili disiplinohet nga konsiderata etike të formuluara qartë në librat themeltarë të fesë. Kjo gjë shprehet qartazi në tekstet fetare, ku lufta konsiderohet si një alternativë e detyruar, në mbrojtje të jetës, fesë dhe pasurisë nga një agresion i jashtëm, si e drejtë themeltare njerëzore për rezistencë ndaj okupimit.

3- Prej disa dekadash, në vende të ndryshme të botës, grupe terroriste janë përpjekur të monopolizojnë dhe përdorin idealet klasike të xhihadit për agjendat e tyre politike duke projektuar veten si përfaqësues të një tradite të nderuar. Dijetarët muslimanë kanë demaskuar këto përpjekje dhe kanë vënë në dukje se terrorizmi dhe xhihadi janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, qoftë në ideologji apo metodologji. Të njësosh xhihadin me terrorizëm, siç është bërë në akuzën e ngritur ndaj Artan Kristos, në një kohë kur lufta kundra terrorizmit është edhe një luftë idesh dhe idealesh, është t’u japësh një fitore të pamerituar ideologjike terroristëve. Terroristët nuk janë luftëtarët çlirimtarë të xhihadit, ata janë thjesht kriminelë. Të njësosh terrorizmin me xhihadin është njëkohësisht cenim për besimtarët muslimanë, sepse inkriminon pa të drejtë traditën e tyre, si dhe për gjithë popullin shqiptar, i cili nuk ka nevojë për prurjen artificiale të tensioneve nga regjione të tjera me tensione politike që nuk janë tonat.
4- Në lidhje me akuzën që është ngritur ndaj Artan Kristos, për thirrje dhe nxitje të akteve terroriste, duke u nisur nga çfarë është bërë publike në media nga organi i akuzës, ne si teologë dhe njohës të mirë të problematikave fetare konstatojmë se:

a) Çështja e xhihadit luftarak në botën islame, është një problematikë që i përket një konteksti politik të largët nga ai i yni dhe për këtë arsye, e gjykojmë si të papërshtatshëm trajtimin e temave të tilla në radhën e besimtarëve shqiptarë. Xhihadi që u intereson muslimanëve shqiptarë është predikimi i fjalëve të Zotit, bamirësia ndaj njerëzve, toleranca ndaj të tjerëve dhe nxitja për çdo vepër të mirë që lartëson virtytin e njeriut.
b) Në shprehjet e Artan Kristos, të paraqitur këto ditë nga mediat, pavarësisht retorikës së përdorur, ne nuk konstatojmë se ka elemente me prapavijë nxitjen e akteve të terrorit, në të ardhmen e afërt apo të largët. Për më tepër dhe për aq sa e njohim Artan Kriston, ai është një kritik i ashpër ndaj akteve terroriste, ashtu sikurse edhe të gjithë studentët shqiptarë që kanë studiuar në universitetet islame. Kjo dëshmi e jona bazohet vetëm mbi atë çka njohim prej tij personalisht, si dhe çfarë dallohet qartë nga ligjëratat dhe shkrimet e tij.

Kështu që i bëjmë thirrje organeve përkatëse, të studiojnë me ndihmën e ekspertëve, nuancat dhe terminologjinë e përdorur për rastin në fjalë, të akuzës për nxitje të akteve terroriste dhe të tregojnë përgjegjësi legale dhe qytetare në procedimin e tij.
Ashtu siç i bëjmë thirrje organeve shtetërore, mediave dhe mbarë opinionit publik, të jenë sa më objektivë dhe të kujdesshëm në trajtimin e çështjeve të tilla delikate, të cilat prekin ndjenjat e një komuniteti të madh njerëzish dhe cenojnë tolerancën dhe bashkëjetesën e qytetarëve të këtij vendi.
Ne gjykojmë se asnjë e mirë nuk i vjen vendit tonë nga nxitja e fobive ndaj Islamit dhe muslimanëve, që kanë treguar për shekuj me radhë se kanë qenë faktor i paqes dhe harmonisë në mesin e shqiptarëve.

Emrat e nënshkruesve:

1. Ahmed Kalaja
2. Altin Plumbi
3. Arben Ramkaj
4. Arenc Xhevori
5. Arjan Ahmesula
6. Arjan Gazidede
7. Arjan Haskasa
8. Arjan Kutelli
9. Bashkim Thaçi
10. Bledar Haxhiu
11. Bledar Karaj
12. Bledar Shkrepi
13. Durim Aliaj
14. Edmond Ajdini
15. Edmond Çifliku
16. Eduart Jaho
17. Edvin Ruka
18. Emrim Koçi
19. Fatjon Isufi
20. Fatmir Bajrami
21. Fatmir Gjediku
22. Florjan Meça
23. Gazmir Nabolli
24. Genc Balla
25. Genc Plumbi
26. Hariz Allkoçi
27. Irfan Tota
28. Ismail Bardhoshi
29. Justinian Topulli
30. Kastriot Bardhi
31. Klodjan Mulita
32. Kujtim Hasani
33. Marsel Telezi
34. Migen Matraku
35. Mirandi Shehaj
36. Murat Basha
37. Rudenc Rexha
38. Sajmir Ismaili
39. Selim Tota
40. Shaqir Shahu
41. Sulejman Rustemi
42. Vladimir Agolli
43. Ylli Rama

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit