22 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Hoxha i vrarë nga OZN-ja serbe

Më të lexuarat

Hoxha i vrarë nga OZN-ja serbe

Mulla Iljaz Spahija – Broja

Iljaz Spahija u lind në vitin 1892, në katundin Kosterc të Drenicës është hero kombtar.

Mulla Iljaz Spahija – Broja shkollen fillore e kreu në Vushtrri, ndërsa të mesmen në Medresenë e Pejës, të cilën e kryen me notat maksimale.

Në vitin 1916, në moshën 24-vjeçare, Iljaz Spahija e filloi detyrën e imamit dhe mësuesit në Xhaminë e Brojës në Drenicë. Pas disfatës së Austro-Hungarisë dhe pushtimit të serishëm serb të Kosovës, Xhamia e Brojës shërben edhe si strehë për Azem Bejtë-Galicën, të cilin Mulla Iljaz Spahija e kishte dajë.

Për shkak të lidhjeve me Hoxha Kadri Prishtinën, drejtuesin e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës me seli në Shkodër, Mulla Iljaz Spahija u arrestua nga xhandarmëria e serbe. Në burg, Mulla Iljazi, nuk u përkul, qëndroi burrërisht, nuk u pendua për çka kishte vepruar dhe më në fund, nga presioni i kryemyftiut të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, u lirua, për çka populli e priti si hero. Kjo dhe bëri që nga atëherë e tutje të jetë i njohur në gjithë Kosovën, si hoxha i Brojës –trimi i Kosovës.

Mulla Iljazi ishte një ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të Organizatës “Xhemijet” (Bashkimi), e cila përfaqësonte shqiptarët në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.

Më 1941, Mulla Iljaz Spahija – Broja së bashku me Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën, Mulla Idriz Hajrullahun e Gjilanit, Qazim Bajraktarin e Astrazubit, e të tjerë organizoi rreth 5000 luftëtarë për të mbrojtur Sanxhakun e Novi Pazarit, që po rrezikohej nga çetnikët.

Më 1943 Mulla Iljaz Spahija –Broja merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryetar i së cilës zgjidhet Rexhep Mitrovica.

Po në këtë vit kur Rexhep Mitrovica zgjidhet kryeministër i Shqipërisë, Mulla Iljaz Spahija –Broja, zgjidhet deputet i Drenicës në Asamblenë Kombëtare (Parlamentin e Shqipërisë) në Tiranë.

Më 1945, Mulla Iljazi ishte pjesëmarrës në të gjitha betejat që u zhvilluan në Drenicë, të udhëhequra nga Shaban Polluzha, ishte krahu i djathtë i tij dhe ideolog i kryengritjes.

Pas vrasjes së Shaban Polluzhës, Mulla Iljazi Iljaz Spahija –Broja së bashku me prof. Ymer Berishën themelon organizatën “Besa Shqiptare”, e cila përpiqej për një aleancë me anglo-amerikanët kundër komunizmit për një rend demokratik.

Më 8 shkurt 1946, Mulla Iljaz Spahija –Broja rrethohet nga OZN-a jugosllave në fshatin Leqinë dhe pushkatohet në fshatin Zllakuçan, së bashku me bashkëluftëtarët e tij.

Më 9 shkurt 1946, fshatarët e Brojës e morën trupin e pajetë të hoxhës, dhe e varrosën me nderime në oborrin e Xhamisë së Brojës, ku edhe sot vazhdon të nderohet nga njerëz nga e gjithë Kosova.

Fjalët e fundit para pushkatimit ishin: “Unë prej jush nuk pres asgjë tjetër pos plumbit dhe thikës pas shpinë. Po e mashtroni veten se me terror e vrasje mund ta nënshtroni këtë popull. Ashtu si na e lanë amanet të parët tanë, edhe ne u kemi lanë lanë amanet pasardhësve që të mos kenë kurrë besë në ju e të mos u nënshtrohen përjetë.”

ref; Qendrim Spahija

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit