7.4 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Hixhabi – krenaria e femrës muslimane

Më të lexuarat

Trajtimi i temës së hixhabit – mbulesës islame kërkon qasje të shumanshme ngase, krahas kompleksivitetit juridik dhe moral që ka, rrethanat në të cilat jeton njerëzimi sot dhe ummeti islam ne veçanti e bëjnë këtë temë akoma më interesante. Në të vërtetë, mbulesa e femrës muslimane trajtohet sot nga shumëkush në qarqe të ndryshme, por më së paku nga ata që janë kompetentë dhe që i brengosë kjo problematikë. Në të vërtetë, në literaturën islame ka aq shumë shkrime lidhur me mbulesën islame, sa që shumë dukshëm demaskohen si të pabaza pretendimet e disave që hixhabin orvaten ta zhveshin edhe nga legjitimiteti islam. Sidoqoftë, hixhabi ka qenë dhe vazhdon të jetë temë islame dhe institucion që ka bazë të fortë, jo vetëm tek Islami si shpallje e fundit, por edhe te të gjitha shpalljet e mëparshme, madje edhe civilizimet e kulturat tjera që nuk kanë ndoshta lidhje të drejtpërdrejtë me revelatën hyjnore. Historikisht, mbulesa daton që nga njeriu i parë, Ademi (alejhis-selam) dhe bashkëshortja e tij Hava ngase Allahu atyre u dha mundësi dhe udhëzime se si duhet të vishen e mbulohen. Pastaj, është e pamohueshme se edhe tek ithtarët e Librit (të krishterët dhe çifutët) ka ekzistuar mbulesa si dispozitë fetare. Këtë e dëshmojnë shumë citate nga Dhjata e Vjetër dhe e Reja, e po ashtu edhe praktika e veshjes së murgeshave dhe motrave të nderit. Një fakt i këtillë i jep mbulesës peshë dhe legjitimitet të pakontestueshëm, e këtë e vë në mëdyshje vetëm ai që është i verbër para fakteve dhe argumenteve.

Në të vërtetë, hixhabi si dispozitë ka shumë lidhje mes kuptimit etimologjik të fjalës dhe rregullave dhe përkufizimeve praktike e juridike. Gjuhësisht, fjala hixhab nënkupton mbulesën dhe pengesën për të arritur e keqja deri te diçka. Juridikisht, hixhabi islam është mbulesa e femrës muslimane nga shikimet e meshkujve që nuk e kanë të lejuar të shikojnë.

Për ta kuptuar më mirë hixhabin, duhet hulumtuar për arsyet pse është përshkruar si dispozitë, respektivisht cila është urtësia që fshihet prapa obligueshmërisë së mbulesës për femrën muslimane. Dihet mirëfilli se aftësia dhe mjeshtëria e parandalimit të të këqijave nuk qëndron vetëm në ndalimin dhe sanksionimin e tyre, por suksesi fshihet edhe në marrjen e masave mbrojtëse për mosndodhjen e tyre. Mbulesa e femrës muslimane është një prej atyre masave. Kur femra vishet dhe mbulohet si duhet, pamja e saj është më pak provokuese, e kur gjithë kësaj i bashkëngjiten edhe rregullat e mirësjelljes të parapara nga Islami, atëherë mundësia për të ndodhur shkeljet dhe çoroditjet e ndryshme morale minimizohet. Islami i ka kushtuar kujdes të veçantë rrezikut të tejkalimit të normave në raportet mes dy gjinive, duke filluar nga shikimi, kontakti, të folurit, vetmimi e kështu me radhë. Prej kësaj del se hixhabi është një nocion që në vete përmban një sërë dispozitash islame shoqërore që janë të lidhura dhe e definojnë pozitën e femrës në shoqëri, posaçërisht nga aspekti i raporteve të saj me ata që nuk e ka të lejuar t’i zbulojë bukuritë e saj para tyre. 

Kur merren para sysh të gjitha dispozitat e lidhura me këtë, kuptohet pozita e institucionit të mbulesës në kuadër të objektivave të larta të sheriatit, sidomos ajo që ka të bëjë me ruajtjen e nderit. Mbulesa dhe veshja e mirëfilltë gjithmonë gjatë historisë ka qenë sinonim i ndershmërisë dhe moralit. Madje, edhe arabët e injorancës paraislame konsideronin se gruaja duhet të mbulohet andaj hasen transmetime se shumica e grave të ndershme në atë kohë kanë qenë të mbuluara. Këtë, assesi nuk e konteston thënia e disave se gjoja pas mbulesës mund të maskohet amoraliteti, shfrenimet e ndryshme, e kështu me radhë, ngase ato janë gjëra që realisht mund të ndodhin por nuk janë esenciale dhe hixhabi është caktuar mu për luftimin e atyre dukurive negative që ndodhin në shoqëri. 

Vlerat islame të hixhabit

a. Hixhabi është përulje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

Përulja dhe dëgjueshmëria ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë shenja mbrojtëse e muslimanit në jetën e tij të përditshme dhe organizimin e saj. Në kuptimin e përgjithshëm është obligim i patjetërsueshëm që muslimani, mashkull apo femër të dëshmojë respekt maksimal ndaj Allahut dhe të Dërguarit në zbatimin e urdhrave dhe largimin prej ndalesave. “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të vendosin diçka, të zgjedhin diç tjetër përveç asaj (që ka zgjedhur dhe caktuar Allahu për ta). Ai që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij ka humbur në lajthitje të qartë.” (Ahzab, 36) 

Me praktikimin e hixhabit – mbulesës, femra muslimane konfirmon përulësinë dhe nënshtrimin e saj ndaj Krijuesit Fuqiplotë dhe këtë ajo e bënë vazhdimisht gjatë jetës së saj. Tërë kohën, derisa ajo e praktikon hixhabin, ajo është në një ibadet dhe sakrificë shumë të çmueshme, ngase në kohën kur praktikimi i rregullave islame është një fenomen i rrallë, ajo dëshmon se ka zgjedhur rrugën e përuljes dhe nënshtrimit ndaj Allahut edhe pse rrethanat nuk e stimulojnë për këtë.

b. Hixhabi është manifestim i fortë i Imanit

Citatet Kur’anore që flasin për mbulesën e kanë një karakteristikë e ajo është se ato u drejtohen femrave duke i cilësuar me një epitet shumë të lartë, e ai është të qenët e tyre besimtare. Në një ajet thuhet: “Thuaju besimtareve…” (Nur, 31), ose ne tjetrin: “… dhe grave besimtare…” (Ahzab, 59)

Ndërsa në transmetime qëndron se disa gra prej fisit Benu Temim erdhën tek Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe ishin të mbuluara me rroba shumë të holla, me ç’rast ajo u tha: “Nëse jeni besimtare, kjo nuk është veshja e besimtareve, e nëse nuk jeni besimtare, vazhdoni kështu…” (Tefsiri i Kurtubiut, 14/244)

S’do mend se sikur edhe çdo vepër tjetër, edhe veshja islame, posaçërisht kur bëhet me motiv të përuljes dhe nënshtrimit ndaj Allahut, është prej formave praktike dhe shumë domethënëse të manifestimit të imanit. Kjo bëhet edhe më e theksuar kur dihet se të gjitha rrethanat stimulojnë të kundërtën, kështu që kur një femër muslimane merr kurajën dhe vendosë të vishet si ka kërkuar prej saj Krijuesi Fuqiplotë, ajo edhe praktikisht dëshmon se vërtetë ka zgjedhur rrugën e besimit i cili manifestohet me vepra dhe sjellje. 

c. Hixhabi është pastërti

Pastërtia, e sidomos ajo shpirtërore dhe morale është pjesë e mirësisë që Islami synon të realizojë në jetën e atyre që e praktikojnë atë. Pastërtia dhe fisnikërimi i shpirtit arrihet nëpërmjet masave edukative dhe dispozitave e udhëzimeve që Islami i ka paraparë për të arritur një gjë të tillë. Ndërsa pastërtia dhe dëlirësia morale arrihet duke i kultivuar vlerat dhe duke i luftuar dukuritë negative. Këtë e mundësojnë preventivat që i ka marrë Islami për të mos ndodhë gjërat e papëlqyeshme dhe të palejuarat tek muslimanët. Një mburojë shumë e fortë në sistemin e vetëkontrollit tek individi është virtyti i turpshmërisë, ndjenjë kjo e cila në jetën e muslimanit sjell vetëm hair dhe të mira. Te femra muslimane ky virtyt kultivohet nëpërmjet mbulesës islame dhe rregullave praktike që lidhen ngushtë me pamjen dhe veshjen e myslimanes. 

Allahu i Madhërishëm thotë: “E kur të kërkoni diçka prej tyre, bëjeni këtë pas mbulesës. Kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe zemrat e tyre…” (Ahzab, 53) Kjo nënkupton se pastërtia për zemrat e meshkujve dhe femrave arrihet pasi që, atë që nuk e sheh syri nuk mund ta dëshirojë zemra, ngase nëse syri nuk shikon diçka zemra është rehat nga të dëshiruarit e asaj gjëje. 

d. Hixhabi është ndershmëri

Islami gjithnjë ka promovuar vlera dhe ndershmëri. Nderit dhe dinjitetit njerëzor i ka kushtuar rëndësi të veçantë, ndërsa kur është në pyetje femra, kjo rëndësi vjen në dukje edhe më tepër. Madje një prej objektivave madhorë të sheriatit islam është ruajtja e nderit. Dispozitat, të cilat në mënyrë shumë strikte bëjnë të paprekshëm nderin e muslimanes janë të shumta dhe të llojllojshme. 

Hixhabi, në anën tjetër është një prej masave që Islami i ka marrë, në mënyrë që femra të jetë sa më e mbrojtur nga shikimet dhe keqtrajtimet e të tjerëve. Ndershmëria dhe ruajtja e moralit, madje, janë prej porosive shumë të theksuara të Islamit. I Dërguari i Allahut shpesh e kishte zakon të lutej: “O Zoti im, kërkoj prej Teje të më dhurosh udhëzimin, druajtjen dhe ndershmërinë.” (Ahmedi) . Edhe Kur’ani ka stimuluar në forma të ndryshme në ndershmëri dhe pastërti morale, herë dukë përmendur shpërblimet dhe fitimet e të ndershmëve, e herë tjera duke i përmendur cilësitë dhe virtytet e banorëve të xhennetit, si huritë, etj.. 

Ndershmëria e femrës muslimane nuk i nënshtrohet diskutimit, ajo është një obligim i pakontestueshëm. Për më tepër, Allahu i Madhëruar, e ka kushtëzuar lejimin e martesës së muslimanit me femrën e krishterë apo çifute, me të qenët e saj femër e ndershme. Për të lidhur kurorë dhe për të bere jetë bashkëshortore, mjafton pra që femra të jetë e ndershme, qoftë ajo edhe ithtare e Librit (e krishterë apo çifute}. Këtu del në pah rëndësia që Islami i ka dhënë ruajtjes së nderit dhe moralit të femrës. Hixhabi, padyshim ndihmon, madje në mënyrë vendimtare që ky virtyt të kultivohet dhe të jetë i pacenueshëm tek femra muslimane.

e. Hixhabi është mbulesë dhe mbrojtje

Rëndësia e veshjes dhe mbulimit të pjesëve të trupit në jetën e njeriut nuk kontestohet nga askush. Ajo është prej kushteve elementare të jetës ngase askush nuk mund të jetoj i zhveshur për shkak se veshja e mbron prej të ftohtit apo të nxehtit. Veshja, jo vetëm që mbron prej faktorëve të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut (si: acari, vapa, etj) , por ajo shërben edhe për mbulimin e pjesëve të turpshme të trupit të cilat njeriu nuk ka dëshirë që të tjerët t’ia shohin. Në këtë kontekst dallimet mes mashkullit dhe femrës janë të kuptueshme. 

Stimulimi që Islami i ka bërë mbulimit të trupit është shumë i arsyeshëm dhe shprehet në forma të ndryshme. I Dërguari i Allahut thotë: “Allahut i vjen turp dhe mbulon, e do turpshmërinë dhe mbulesën.” (Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ahmedi) Allahu i Madhëruar e ka përmendur veshjen dhe raportin e saj me devotshmërinë: “O bij të Ademit, Ne u kemi zbritur juve veshje që t’i mbuloni vendet e turpshme dhe të zbukuroheni, ndërsa veshja e devotshmërisë është më e mira.” (A’raf, 26}

Veshja te muslimanët së pari shërben për tu mbuluar vendet e turpshme që nuk dëshirojmë të na i shohin të tjerët e pastaj vjen motivi i stolisjes dhe zbukurimit. Mbulimi është në rend të parë ndërsa stolisja i përshtatet asaj që është primare. Për këtë arsye, muslimanit, mashkull apo femër, i lejohet të zbukurohet dhe stoliset por jo në llogari të mbulimit të asaj që duhet mbuluar. 

Vlerat e hixhabit – mbulesës islame janë të panumërta por këtu përmendëm vetëm disa më të rëndësishmet që kanë të bëjnë me motivin fetar dhe atë moral të njeriut.

Në vend të përfundimit

Hixhabi në kuptimin e tij të përgjithshëm është kultivim i vlerave fetare dhe morale. Ai njëkohësisht është stimulim i ndershmërisë dhe preventivë kundër të këqijave dhe të shëmtuarave në veprat e njerëzve. Historia e tij dëshmon se nuk vjen assesi në kundërshtim me natyrshmërinë dhe nevojat e qenies njerëzore. Në kohën e fundit vazhdojnë të dalin në skenë tendenca të identifikimit të hixhabit si një simbol fetar islam i cili në mënyra agresive i shqetëson ndjenjat e jomuslimanëve, por e vërteta është se hixhabi është një vazhdimësi e veshjes dinjitoze të kultivuar në të gjitha shpalljet hyjnore si dhe në të gjitha civilizimet. Edhe paganët, edhepse fetarisht në një devijim shumë të paarsyeshëm e kanë çmuar mbulesën e femrës në bazë të vetëdijes së tyre, se shfrenimet dhe çoroditjet morale e të ngjashme vijnë si pasojë e çoroditjeve në veshje. Islamin e karakterizon aftësia e dhënies zgjidhje për të gjitha problemet, ai ofron përmbushje të dëshirave dhe nevojave të njeriut konform natyrës dhe të mirës së tij, si dhe jep preventiva dhe mbrojtje për shumë defekte dhe sëmundje me të cilat mund të ballafaqohet njeriu si individ apo shoqëri. 

Ekrem B. AVDIU

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit