A i keni vërejtur këta përkrahësit e vrasësit të foshnjave, kriminelit të luftës, Benjamin Netanyahu, se si ata që kërkojnë ndaljen e vrasjes së palestinezëve tentojnë t’i likuidojnë me njëfarë argumenti “e pse s’po reagoni për ujgurët në Kinë”.
Në fakt ky s’është argument fare, por meqë përdoret duhet të eliminohet dhe kjo bëhet shpejt.
Sepse, o përkrahës i vrasjes së fëmijëve me plumb snajperi në lule të ballit, nuk ekziston askush në perëndim që del e arsyeton vrasjen e ujgurëve. Pra, bota ka konsensus se është krim ajo çfarë ndodhë me ujgurët.
Kurse, për palestinezët nuk ka, për fajin e njerëzve si ti që dalin e argumentojnë pro shfarosjes së një populli, për interesa të regjimit fashist të Benjamin Netanyahut.
Po meqë e merrni këtë shembull, atëherë dil pra përkrahe edhe Kinën, dil vendosu në mbrojtje të masakrave edhe atje.
Një tjetër argument që e përdorin shqiptarët fashistë që mbrojnë të drejtën e Netanyahut për të ekzekutuar gra të pambrojtura për kënaqësi personale, është edhe lidhja e aleatit kryesor të Kosovës, Amerikës, me Izraelin. Medemek, nëse je kundër Netanyahut qenke edhe kundër Amerikës.
Normalisht, edhe kjo totalisht e pavërtetë. Sepse, vetë amerikanët janë kundër Netanyahut.
Më poshtë e gjeni letrën e grupit të mjekëve amerikanë, që ia kishin dërguar atëherë presidentit Joe Biden, ku pos tjerash i shkruanin se ata janë “45 mjekë amerikanë” dhe se “me gjasë tashmë janë të vrarë 92 mijë veta në Gaza, kurse secili njeri atje ose është i lënduar, ose i sëmurë, ose të dyja”.
Po ashtu, shkruajnë mjekët amerikanë, “secili prej nesh në baza ditore ka trajtuar fëmijë që kanë qenë të qëlluar në kokë, ose në gjoks”.
Ata i luten Bidenit, për ndërhyrje në këtë masakrim të një popullate civile.
Kurse, sipas sondazheve, 53 për qind e amerikanëve kanë mendim negativ për Izraelin dhe atë që po bënë në Gaza. Shumicë edhe më e madhe, rreth 76 për qind, kërkojnë që të ndalen sulmet në Gaza dhe po ashtu shumica e amerikanëve kërkojnë nga Trump që të mos e përkrah ushtarakisht Izraelin.
Përndryshe, sondazhi gjithashtu tregon se amerikanët, veçanërisht demokratët, nuk i besojnë Netanyahut.
Gjithashtu, edhe shumica e vet hebrenjtë amerikanë janë kundër Netanyahut.
Siç e keni parë, ylli i ri i politikës amerikane, Zohran Mamdani, i cili me gjasë do të jetë kryetari i ri i New Yorkut, që para një kohe deklaroi që nëse vjen Netanyahu në New York e ky është kryetar do ta arrestonte, i ka fituar të gjitha zonat të dominuar me hebrenj, siç është Brooklyn, ku jetojnë pothuajse gjysma e hebrenjve njujorkezë.
Ai ka fituar secilën lagje të madhe hebreje në New York me dy shifra, përveç Borough Park. Ka fituar edhe në Crown Heights, selinë e qendrës botërore Chabad-Lubavitch, me 26 për qind.
Kështu që, nëse jeni me Amerikën, jeni kundër kriminelit Netanyahu, e jo me të.

