11.3 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

Gruaja muslimane dhe Ramazani

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut, i Cili ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. Atyre u ka bërë shtëpitë banim dhe vendstrehim. Atë e lavdëroj dhe e falënderoj për begatitë e Tij të njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë Muhamedin, njeriun me pozitë më të lartë dhe me vlerë më të madhe, për familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

S’ka dyshim se urtësitë e Allahut të Lartësuar në krijesat dhe robërit e Tij nuk i përfshijnë njerëzit nga ajo që ka krijuar, ka krijuar krijesat, i ka mbuluar me dhuntitë e Tij, i ka ngarkuar me atë që kanë mundësi, i ka ndarë gjendjet e tyre, e ka veçuar çdo gjini me atë i përshtatet, burri i ka specifikat e tij gjithashtu edhe gruaja. Allahu i Madhërishëm e ka veçuar Ramazanin nga të gjithë muajt tjerë me veçori dhe karakteristika. Gruaja në këtë muaj të bekuar ka karakteristika dhe situata. Besimtarja e mençur, e devotshme dhe e ndërgjegjshme, ky muaj me specifikat e tij ia shton asaj imanin dhe i sjell dobi në fenë e saj, ndërsa ajo tjetra, pasive dhe e pavëmendshme, ndryshimi i jetës në Ramazan nuk ia shton veçse largimin nga Krijuesi i saj. Me këto specifika dhe situata do të ndalemi në ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Allahu i Lartësuar i ka krijuar njerëzit për një qëllim madhor:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Kjo ngarkesë, me të cilën Allahu i Madhërishëm i ka nderuar njerëzit është e përgjithshme, për meshkujt dhe për femrat. Detyra e funksioni i robërve, burrat dhe gratë, në këtë jetë është adhurimi i Allahut të Madhërishëm me një adhurim të vërtetë, shfrytëzimin e netëve dhe ditëve të tyre në bindjen dhe nënshtrimin ndaj Allahut, në kërkimin e kënaqësisë së Tij dhe në këtë nuk ka dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës.

Nga bujaria, fisnikëria dhe mirësia e Allahut të Lartësuar u ka nënshtruar atyre çka do t’iu ndihmonte në kryerjen e këtij adhurimi duke e bërë vitin stinë dhe sezonë që do t’i shfrytëzojnë robërit e dijshëm. Dhe prej këtyre sezoneve është edhe ky muaj i bekuar, i mashtruar i vërtetë, i falimentuar i vërtetë, është ai që i kalon kjo sezonë kurse ai akoma vazhdon të jetë i përgjumur, në lojë dhe argëtim, ndërsa ata që lakmojnë të mirën ia kaluan dhe në regjistrin e tyre kanë regjistruar atë që do t’i afrojë tek Krijuesi i tyre, Allahu i Madhërishëm. Gruaja muslimane në këtë muaj të bekuar në krye të synimeve dhe kërkesave të saj vë: Ofrimin e punëve të mira që do ta afrojnë tek Allahu i Lartësuar.

Ndalesa e dytë:

Oj ti besimtare që beson Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, si pejgamber dhe të dërguar: A e kupton këtë përshkrim me të cilin portretizohesh? A e ke kuptuar rëndësinë tënde në këtë jetë dhe synimin e ekzistencës tënde në të? A ke kuptuar se ti je e ngarkuar me detyrën e adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar në këtë jetë? Ti do të japësh llogari për atë që bën dhe ofron? A e ke kuptuar se ti je plotësisht e barabartë me mashkullin në detyrën e adhurimit dhe ngarkesës? Ti je përgjegjëse për këtë përulje, bindje dhe nënshtrim. Allahu i Madhërishëm të drejtohet me fjalët e Tij duke të thënë:

“Por kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut. Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.”(Nisa, 123-124)

Ndalesa e tretë:

Prej urtësisë së Allahut të Lartësuar në krijimin e burrave dhe grave është se te secili prej tyre ka vënë karakteristika që dominojnë te ta. Ndjenja mallëngjimi, emocione të ndjeshme, ndikimi i shpejtë, të gjitha këto janë karakteristika të natyrshme të femrës në të cilat e ka krijuar Allahu i Madhërishëm. Nëse burri dhe gruaja i kuptojnë këto cilësi, atëherë ky kuptim konsiderohet ndër elementet përbërëse të jetës së lumtur.

Ndalesa e katërt:

Prej urtësisë së Allahut të Lartësuar në krijimin e burrave dhe grave gjithashtu është fakti se ka sistemuar ndërmjet tyre raportin e bazuar mbi themelin e sheriatit. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”(Rrum, 21)

Andaj, lidhjen fetare e ka bërë themel në raportet e ndërsjella ndërmjet tyre, frytin e tyre e ka bërë qetësinë përmes së cilës arrihet lumturia e jetës, popullimi i gjithësisë dhe lindja e pasardhësit.

Feja ka konfirmuar për stabilitetin e jetës mbi këtë bazë për të garantuar shpëtimin e jetës në këtë botë dhe në tjetrën. Ajo ka vënë kufij, mure dhe rregulla që pengojnë çdo gjë që depërton te ajo lidhje për ta shkatërruar dhe prishur atë.

Ndër kufijtë parësor konsiderohet: Ndarja ndërmjet burrave dhe grave dhe mospërzierja ndërmjet tyre, me qëllim që të mos mbizotërojë fuqia e natyrshme tërheqëse e joshëse e t’i prishë mes veti. Për këtë shkak, Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar femrën muslimane me mbulesë dhe parim të jetës së saj e ka bërë qëndrimin në shtëpi dhe mos përzierjen e saj me burrat dhe mos t’i shfaqë e zbulojë stolitë e saj.

Dëgjo oj ti muslimane fjalën e Allahut të Madhërishëm i Cili thotë:

“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!”(Ahzab, 33)

Kjo sinjalizon për një rregull dhe parim të madh: Detyra themelore e femrës, e cila ia ruan njerëzoren, dinjitetin dhe krenarinë e saj, ku përmes saj e kryen rolin e saj thelbësor, funksionin e saj fisnik dhe zbaton përgjegjësinë e saj është: Qëndrimi në shtëpi. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë:

“Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë ju jeni përgjegjës për kopenë tuaj kurse gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për kopenë e saj.[1]

Të vërtetën e ka thënë poeti kur e përshkruan rolin qenësor të femrës nëse e kryen ashtu siç duhet:

Nëna është një shkollë nëse e përgatit mirë atë ke përgatitur një brez të tërë të mirë

Vërtet, këtë rol fisnik të cilin e kryen femra e bën që të nxjerrë brezat e mirë e të dobishëm duke filluar prej dijetarëve dhe të pashoqëve e të rrallëve, inxhinierëve dhe mjekëve, udhëheqësve e nëpunësve, thirrësve e urdhëruesve në të mirë e ndaluesve nga e keqja, të nxjerrë vajzat e mira, të sinqerta, të ndërgjegjshme e besimtare.

Sigurisht që ky rol i shkëlqyer e i mrekullueshëm nuk anulon atë që ka mundësi femra muslimane të kryejë si ndonjë punë tjetër që nuk ndikon në detyrën e saj thelbësore. Allahu i Lartësuar ia ka dhënë femrës aftësinë e integrimit të shpejtë me femrat tjera dhe nga ky integrim e përfshirje mundet të ftojë në të mirën dhe të dobishmen, të përhapë të vërtetën dhe virtytet në mesin e motrave të saj muslimane.

Prej gjërave që ia ka dhënë Allahu i Lartësuar femrës: Aftësinë e depërtimit në thellësitë e burrit dhe ndikimin tek ai. Kjo, motër e nderuar, të hedh mbi ty përgjegjësinë kundrejt bashkëshortit tënd veçanërisht dhe të afërmve dhe fisit tënd në përgjithësi drejt asaj që u sjell dobi atyre në këtë botë dhe në botën tjetër. Me sinqeritet dhe vërtetësi, me urtësi dhe metodë të qetë dhe me atë që i ofron bashkëshortit tënd dashurinë dhe qetësinë mund ta ndihmosh bashkëshortin tënd për në mirësi dhe ta inkurajosh drejt saj.

Ndalesa e pestë:

Armiqtë e Islamit e kanë kuptuar rolin e rëndësishëm dhe pozitën e saj të lartë dhe u angazhuan me tërë mundësitë dhe mashtrimet çka posedojnë në okupimin e saj me diçka dhe në shkatërrimin e personalitetit të saj me çdo formë dhe akoma vazhdojnë ta mashtrojnë dhe magjepsin zemrën e saj me sprova joshëse me të cilat ngashënjehet zakonisht femra, përmes mjeteve të informimit, shfaqjen e modave, fragmenteve të jetës femërore të çliruara nga virtytet e të ngjashme me këto. Le të ketë kujdes femra muslimane që ta mashtrojnë armiq të tillë edhe pse veshin rroba të stolisura mashtruese dhe stolisen me shprehje verbuese.

Ki kujdes – oj ti besimtare agjëruese – të përkulesh e të mbështetesh qoftë edhe pak në atë që të diktojnë ty ato drejtime shtypëse dhe të humbura ngase në këtë mbështetje qëndron humbja, turpi dhe shkatërrimi. Allahu të ruajttë nga intrigat e mashtruesve!

Ramazani me specifikat e tij të imanit, me veprat e tij fisnike, në të cilat femra ka një hise të madhe, e udhëzon femrën që në këtë muaj të bekuar ambicia e saj të mos jetë e kufizuar në gjumin e gjatë, në artin e gatuarit në ushqime dhe pije t’i rivalizojë të tjerat në to, ose në ndeja të padobishme nëpër tregje dhe të ngjashme me këto.

Bëje Ramazanin pikënisje për veprat e mira të ndryshme, për ripërtëritje të rolit tënd të mrekullueshëm në gjithë jetën, në lexim, të përkujtuarit e Allahut, lutje, edukim, thirrje në të mirën dhe të vërtetën dhe plotësoje kohën tënde me të gjitha këto derisa të paraqitet koha e të përmuajshmëve dhe lehonisë, atëherë merru me gjërat që nuk të ndalojnë këto, të ndalohet namazi dhe agjërimi ndërsa veprat tjera janë të hapura, falë Allahut të Lartësuar.

E lus Allahun e Madhërishëm të na drejtojë kah e mira, të na furnizojë vepër të mirë, t’i përmirësojë gratë tona dhe gratë e muslimanëve në çdo vend dhe t’i ruajë ato nga intrigat e mashtruesve dhe nga hilet e mendjelehtëve. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit