Pas javësh tensioni të lartë gjeopolitik, ku retorika e presidentit amerikan Donald Trump përfshinte kërcënime për tarifa ekonomike dhe referenca për marrjen e Grenlandës “me forcë”, situata duket se ka hyrë në një fazë të re qetësimi.
Gjatë Forumit Ekonomik në Davos, Trump njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i dhënë fund, të paktën për momentin, kërcënimeve për një luftë tregtare me Evropën.
Përfitimet strategjike të SHBA-së
Në qendër të këtij pakti qëndron një formulë e re sovraniteti. Shtetet e Bashkuara pritet të përfitojnë kontroll sovran mbi baza të caktuara ushtarake në ishull, duke ndjekur modelin e bazave britanike në Qipro (Akrotiri dhe Dhekelia).
Ky status do t’i jepte Uashingtonit një liri veprimi të paprecedentë në Arktik, duke e kthyer praninë e tyre nga një qira ushtarake në territor sovran amerikan. Përveç kësaj, marrëveshja parashikon një të drejtë vetoje për SHBA-në mbi investimet në burimet minerale të Grenlandës, duke bllokuar strategjikisht depërtimin e Kinës dhe Rusisë në këtë rajon të pasur me pasuri nëntokësore.
Kosto dhe lehtësim për Evropën
Për Evropën, dhe veçanërisht për Danimarkën, ky zhvillim është sa një lehtësim, aq edhe një sakrificë. Lajmi u mirëprit me optimizëm nga Ministri i Jashtëm danez, Lars Loke Rasmusen, kryesisht sepse largoi hijen e tarifave prej 10 pëer qind që rëndonin mbi ekonominë evropiane.
Megjithatë, humbja është simbolike dhe politike: dorëzimi i sovranitetit mbi pjesë të territorit të Grenlandës krijon një precedent të ri në marrëdhëniet transatlantike. Po ashtu, Evropa detyrohet të rrisë investimet e saj në mbrojtjen e Arktikut, duke u rreshtuar plotësisht pas kërkesave të sigurisë së Uashingtonit.
Ndonëse detajet finale mbeten për t’u qartësuar në javët në vijim, “skica fantastike” e Trumpit ka arritur të shndërrojë një krizë territoriale në një rikonfigurim të pranisë ushtarake amerikane në Veriun e Largët, duke i lënë Evropës paqen tregtare, në këmbim të një pjese të territorit të saj strategjik./tesheshi/
