15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Gold Ag, fashizmi dhe pseudo-anti-fashizma të tjerë

Më të lexuarat

Në momentet kur po shkruaj këtë tekst, kënga e fundit e reperit Gold AG, “Shqiptari”, ka mbërri mbi 600 mijë klikime ne Youtube. Ndërkaq, në rrjete sociale vazhdon diskutimi për të. Diskutim i cili mbledh patetizma e hipokrizi, e dëshmon edhe njëherë se ka vetëm disa butone që e mobilizojnë shoqërinë tonë kundër fashizmave.

I tërë reaksioni ndaj këngës së tij, ashtu sikurse edhe vet kënga e tij, deri-diku e ngërthejnë hipokrizinë e diskutimeve publike këtu në Kosovë.

Kënga “Shqiptari” pa dyshim se përmban në vete elemente fashiste e vulgaritet dhe që gjuha e përdorur në të është krejt e zakonshme për botën e repit e cila është e stërmbushur me fashizma. Por, duket se për disa arsye të (pa)shpjegueshme, është fashizmi i kësaj kënge që ngjall me shpejtësi drite mekanizma antifashist tek një pjesë opinionistësh të cilët rrinë të strukur karshi karakterit dominues te teksteve te këngëve shqip ku kaplohen, përtej patetizmit romantik, në mënyrë konstante misogjenia, diskriminimi etnik, orientalizmi etj. si këto që qëndrojnë të gjitha bashkërisht nën ombrellën e asaj që tashmë në gjuhën popullore quhet fashizëm.

Ka më shume se 15 vjet që reperi Unikkatil përdorë në mënyre konstante gjuhë fashiste kur shprehet për “shkijet” dhe “pederat” apo për me e “vra” filanin e fistekun, dhe sa më kujtohet, asnjë prej opinionistëve nuk është mërzitur ndonjëherë që të ngrihet me kaq vrull kundër fashizmave të tij. Përkundrazi, shumë prej këtyre pseudoliberalëve eksitohen nga tekstet e tij. Madje, këtë nuk e kanë bërë as kur Unikkatil u ftua që të mbajë koncert në Kosovë dhe ku mblodhi rreth 25 mijë fansa në studionin e Prishtinës. Jo vetëm kaq, por disa nga ata që prononcohen në facebook lidhur me fashizmin e Gold Ag, dje shfaqnin entuziazëm për ardhjen e Unikkatilit, e ndoshta edhe kanë qenë pjesëmarrës ne koncertin e tij.

Dhe, nuk është vetëm Unikkatili ai i cili ka një gjuhë të njëjtë me Gold Ag, por pothuajse i tërë karakteri i repit është i tillë, një revoltë e shprehur në terma abuziv, me fashizëm e me tone diskriminuese ndaj komuniteteve të ndryshme. Divizioni i Lindjes, një grup huliganesh nga Prishtina, që në simbolet e tyre mbajnë perëndeshën dardane, kanë tekste edhe më eksplicite e gjenocidiale, por që kalojnë krejt pa ndonjë buje tek “antifashistët” me korezinë.

Prandaj, ka një aspekt (jo edhe aq) të çuditshëm në mobilizimin “antifashist” që ka bërë kënga e Gold Ag. I çuditshëm është ky antifashizëm për shkak të karakterit të tij parcial që të bën të mendosh se ka diku një mizë që fshihet pas veshit të disa reaguesve parcialë, që kanë reaguar me vrull ekskluzivisht ndaj fashizmit të Gold Ag, e ajo mizë pas veshit do të ishte në të njëjtin vend edhe sikur të gjitha elementet fashiste të tekstit të Gold Ag do të hiqeshin.

Është në fakt një pjesë e të vërtetave që ai ka qëndisur në këngën e tij, e që kanë të bëjnë me islamofobinë si një fenomen për të cilin shumësia e protagonistëve antifashistë janë ose vet ne komplicitet aktiv, ose qëndrojnë krejt indiferent ndaj fenomenit. Pra, parimisht reagimi ndaj tij nuk është reagim edhe aq për fashizmin e tekstit te tij (meqë fashizmat e estradës dhe reperëve të tjerë nuk përmenden askund), por më shumë mbi numërimet që i bën Gold Ag karshi tendencave islamofobe të cilat ironikisht konsistojnë po ashtu në fashizëm ndaj të cilit antifashistët e Gold Ag mbështillen dhe struken sa herë që rishfaqen në diskutimet publike. Ose thjeshte disa prej tyre e kanë internalizuar vetë atë fashizmin të cilin e përflet Gold Ag me fashizëm, dhe i bënë të ndihen keq.

Berat Buzhala, i përmendur në tekstin e këngës së Gold Ag ka shkruar një mbishkrim në Facebook. Ngarkesa që e përshkrova më lartë në fakt pasqyrohet mrekullueshëm pikërisht tek ajo që thotë Berat Buzhala. Ai e shpreh çudinë e tij se përse Gold Ag nuk e ka përfshire Ramush Hajradinajn në tekstin e këngës së tij kur ky (Ramushi) ka qene “shume më eksplicit sesa unë (Buzhala), Iliri e Dardani” bashkë, atëherë kur “ka pas deklaru për personat me mjekra se janë ‘flliqana’”?! Ajo që në fakt shprehet këtu tek Buzhala është fakti se edhe ai ka qenë dhe është i vetëdijshëm për karakterin fashist të prononcimit të Ramush Hajradinajt, por ky sikurse edhe plot të tjerë qe e kanë dëgjuar fashizmin e Ramushit, këtij pretendenti për kryeministër, janë tkurrur në qoshet e tyre dhe s’kanë bë za, por preferojnë megjithatë të merren me një këngëtar repi, që nuk ndryshon prej shumë të tjerëve.

Ajo që ngreh Buzhala ndaj Gold Ag, në fakt është bumerangu që i mëshon ai vetes së tij, ngase e dëshmon në fakt se ka qenë dhe është i vetëdijshëm për fashizmin e Ramushit, por nuk është mërzitur të shkruaj gjë për të. Ironikisht, kujt iu ke tutë Berat? Natyrisht, “antifashistët me shpejtësi drite” nuk ka fashizëm që iu drejtohet myslimanëve: është emancipim që këta “talebanë” t’i nënshtrohen fashizmave të të tjerëve. Fashizmi ndaj myslimanëve është “kritikë”, thonë ata.

Ironia edhe më e madhe është kjo: Berat Buzhala në Facebook përfundon “çështjen” e tij me Gold Ag duke ia sugjeruar këngën “Hysenit” të Unikkatilitit. Dhe, a e dini se cila është përmbajtja e tekstit të Unikkatilit? Epo krejt ngjashëm me Gold Ag, Unikkatili në fashizmin e tij të cilin e pëlqen Buzhala, e trajton me sharje atë farë “Hysenin” për “magjup”, për “peder” e “homoseksual” (prej te cilit “çka pritet!” , thotë teksti), e se si Hysenit duhet t’i vije marre se është i “zi si arab”, e ia shanë “nonën e keqe që sagllam e ki shkinë” etj. Pra, Buzhala nuk e ka problem të pëlqejë një fashist si Unikkatili, dhe ta sugjerojë fashizmin tij kundër fashizmit te Gold Ag. Buzhala e hedh në ballë të murit të tij të Facebookut fashizmin e Unikkatilit për t’iu përgjigjur fashizmit të Gold Ag.

Në anën tjetër, një humorist vulgar, Dardan Islami, e zgjedh një rruge tjetër për tu ballafaquar me Gold Ag, duke e postuar një lajm racist ku pasqyrohet supremacia e racës shqiptare, sipas nazistëve dhe ku citohet Hitleri & Co. dhe tek shpreh krenarinë e tij me këtë supremaci, i vë mbishkrimin tekstit të postuar: “Mos lejoni që bastardat bullgaro-aziatik me jau prish tripin! Krenuhu o shko laju me sapun!” , duke bërë racizëm ndaj racizmit të Gold Ag-së.

Por, ky nuk është i vetëm. Edhe gazetarja Besiana Xharra, e cila para disa ditësh kishte trajtuar në terma raciste Milazim Krasniqin e të tjerë, si “mbetjet e gerditshme ‘arabo/osmane'”, edhe për Gold Ag-në ka një sugjerim, dhe i thotë se “u dashtë një emër arab me e gjet, qysh edhe t’kish shku për ftyre”!

Gjithsesi, ka një leksion që duhet tërhequr nga e tërë kjo. Dukshëm ka një hipokrizi e cila e gjallëron opinionin publik në Kosove. Fakti që Gold Ag mobilizon kaq shpejtë pinjollët e antifashizmit selektiv, dëshmon se gazetarë, analistë, e opinioniste të ndryshëm e kanë një ngarkesë emocionale e edhe ideologjike, edhe atëherë kur merren me fashizmat, ngase standardet e tyre ndryshojnë varësisht prej ngjyrave të fashizmave të përdorur. Nëse një fashizem përkon me fashizmin që ata vete e kanë internalizuar, atëherë ky nuk është me fashizëm. Prej nga edhe heshtja që 15 vite karshi këngëve të Unikkatilit që në karakter janë të njëjta me ato të Gold Ag, porse ato nuk e kanë atë elementin i cili grithë islamofobine, e rrjedhimisht nuk janë te “denja për kritikë” nga antifashistët me shpejtësi drite, sepse nuk e zgjojnë atë “mizën prapa veshit”.

Kosova ka shume idiotë, por ka idiotë mbi idiotë. Ka edhe idiotë që me hipokrizi në pazare shiten si emancipues.

Limon Beqa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit