22.3 C
Pristina
Wednesday, May 22, 2024

Gjysmëhëna e Kuqe Turke pranë besimtarëve myslimanë në Shqipëri dhe Kosovë

Më të lexuarat

Sipas lajmit të përcjellë nga AA, Gjysmëhëna e Kuqe Turke si në vitet e kaluara, ashtu edhe këtë vit, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka organizuar therjen dhe shpërndarjen e kurbanëve në Shqipëri dhe Kosovë, për familjet në nevojë, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke në bashkëpunim me Fondacionin Alsar kanë filluar sot shpërndarjen e kurbaneve në Shqipëri.

Përgatitja dhe shpërndarja e kurbaneve ka filluar sot nga qyteti i Kavajës dhe Rrogozhinës për të vazhduar tre ditë më radhë në të gjithë Shqipërinë, ku nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të shpërndahen pako të kurbanit për 12 mijë familje në nevojë.

Sabahattin Tezdiğ, anëtar i bordit drejtues të Gjysmëhënës së Kuqe Turke në një prononcim për AA u shpreh se organizimi sotëm bëhet në kuadër të aktiviteteve të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë për shpërndarjen e mishit të kurbanit në 33 shtete, ku përfshihen 125 mijë pjesë të kurbanit që dhurohen nga populli turk.

“Ky organizim bëhet si brenda Turqisë ashtu edhe jashtë saj. Sot do të shpërndajmë 2100 pjesë të kurbanit, dhe gjithsej përfshihen 12 mijë familje në nevojë që do të ndihmohen. Organizmi bëhet në bashkëpunim me Fondacionin Alsar dhe nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shqipëri. Mendojmë që edhe në vitet e ardhshme të vazhdojmë këto aktivitete për shpërndarjen e kurbaneve për t’iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në Shqipëri. Ajo që dëshirojmë të transmetojmë është që jemi gjithmonë pranë njerëzve në nevojë. Mesazhi jonë është që do jemi gjithmonë pranë njerëzve në nevojë”, theksoi Tezdiğ.

Ndërkohë kryetari i Fondacionit Alsar, Mehdi Gurra, u shpreh se fondacioni që ai drejton në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe organizatat e tjera partnere do të organizojë shpërndarjen e kurbaneve për 14 mijë familje në të gjithë Shqipërinë.

Gurra theksoi më tej se “Sot fillon therja e kurbaneve në Kavajë. Jemi këtu në Kavajë me Gjysmëhënën e Kuqe Turke, sepse është partneri kryesor dhe donatori më i madh, duke dhuruar kurbane për 12 mijë familje. Shpërndarja do të bëhet nga Malësia e Madhe deri në Konispol, ku në 18 pika do të shpërndahet mishi i kurbanit i Gjysmëhënës së Kuqe Turke. Mesazhi është i qartë, kush ka nevojë për ndihmë duhet dhe do të ndihmohet. Jemi këtu për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë.”

Gjatë shpërndarjes së kurbaneve në Kavajë i pranishëm ishte edhe zëvendësambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş.

Shpërndarja e pakove të kurbanit do të realizohet në bashkitë Tiranë, Shkodër, Pukë, Malësie e Madhe, Mat, Klos, Kukës, Bulqizë, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Berat, Mallakastër, Konispol, Fier, Elbasan, etj.

Organizata humanitare, Gjysmëhëna e Kuqe Turke edhe këtë vit ka organizuar therjen dhe shpërndarjen e kurbanëve në Kosovë, ku ka dhuruar 200 kafshë të mëdha për nevojtarët në këtë vend.

Në programin e therjes dhe shpërndarjes së kurbanëve nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke, i cili filloi në Prizren morën pjesë ministri i Administratës Publike në largim të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke (KDTP), Mahir Yağcılar, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, deputetët e KDTP-së në Parlamentin e Kosovës, Müferrah Şinik dhe Fikrim Damka, anëtari i Bordit të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Ercan Tan si dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj organizate humanitare.

Në një deklaratë për AA përfaqësuesi i Gjysmëhënës së Kuqe, Ercan Tan, u shpreh se Kosova ndodhet në mesin e 32 shteteve të botës, ku kjo organizatë humanitare bën dhurimin e kurbaneve.

“Ne në Kosovë do të dhurojmë 200 kafshë të mëdha dhe kjo në Turqi do të thotë 1400 pjesë të kurbanit. Këto do t’i shpërndahen rreth 9 mijë e deri më 10 mijë familjeve. Ne po përpiqemi që të mbërrijmë në çdo qytet të Kosovës. Ne edhe në ditën e dytë dhe të tretë do t’i vazhdojmë shpërndarjet në mënyrë intensive”, tha Tan.

Duke bërë të ditur se ky është viti i katërt që në Kosovë dhurohen kurbanët nga kjo organizatë Tan theksoi se numri i kurbanëve të shpërndarë në Kosovë çdo vit e më shumë po rritet. Ai thotë se kurbanët e dorëzuar si nga vendi më i vogël e deri në qytetin më të madh të Turqi, në Kosovë po shpërndahen nga Gjysmëhëna e Kuqe në bashkëpunim me Kryqin e Kuq në Kosovë, si dhe shoqata e organizata tjera të cilat kanë nevojë për ndihma të tilla.

Ai po ashtu njoftoi se në Turqi dhe në shtetet e tjera të botës, përfshirë edhe ato të Ballkanit do të shpërndahen 125 mijë pjesë të kurbanit.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kılıç thotë se ditët e Bajramit janë ditët më të bukura ku tregohet shembulli i solidaritetit dhe i mbështetjes.

Duke vënë në dukje se bota po kalon nga një periudhë e vështirë, Kılıç thotë se “Kudo ka vështirësi, luftë, ngjarje jo të mira, por përkundër gjithë këtyre, pa u kapluar në dëshpërim, me këmbëngulje duhet që t’i përqafojmë me dy duart vlerat njerëzore si solidariteti, bashkimi, shpërndarja, ku bajramet janë mundësi shumë të mira për këtë”.

Ndërsa ministri në largim i Administratës Publike Mahir Yağcılar duke uruar që Bajrami të sjellë paqe dhe qetësi në botë, tha se “Me këtë rast sidomos dënojmë persekutimin ndaj myslimanëve në vendet e të shtypurve në Arakan të Mianmarit. Shpresojmë se pas Bajramit do të kemi ditë më të bukura”.

Yağcılar tha se Bajrami është dita e vëllazërisë dhe solidaritetit. Ai falënderoi Turqinë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për ndihmat e bëra për Kosovën. Kurbanët të cilët u therën në mes të lutjeve u shpërndanë nga delegacioni pjesëmarrës tek familjet në nevojë të Prizrenit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit