20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Gjatë Ramazanit shfaqen shenja të vëllazërisë dhe dashurisë mes muslimanëve

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të githë ata që pasuan gjurmët e tij.

Muslimanët janë një dorë e vetme, janë një zemër e vetme, janë një trup i vetëm. Ata nuk i bashkon asgjë tjetër përveç Islamit dhe nuk mund të bëjë unitet mes tyre askush përveç Islamit, ashtu siç nuk mund t’i bëjë të ndihen si vëllezër të vërtetë askush dhe asgjë tjetër përveç Islamit, sepse kështu na ka mësuar dhe kështu na ka këshilluar Profeti ynë (sal-lallllahu alejhi ve sel-lem). Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe i ka bashkuar zemrat e tyre, e sikur të shpenzoje tërë atë që është në tokë nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre por All-llahu i ka bashkuar ato. Me të vërtetë All-llahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” Pra, tek muslimanët nuk ka unitet për shkak të ngjyrës, racës, kombësisë, vendlindjes, gjuhës, paraardhësve, por ata i bashkon
vetëm feja dhe uniteti i tyre krijohet vetëm nën ombrellën e “La ilahe ila All-llah, Muhammed resul-All-llah”.

Muslimanët ngrihen me dije dhe lartësohen me devotshmëri. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që keni besuar, me të vërtetë Ne ju kemi krijuar nga një mashkull dhe një femër dhe ju kemi bërë popuj e fise që të njiheni në mes veti. Me të vërtetë më i ndershmi prej jush tek All-llahu është më i devotshmi prej jush. Me të vërtetë All-llahu është i Gjithëdijshëm dhe i Informuar.”

Kur Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) kishte ardhur të ftonte në Islam ishte Bilali nga Abisinia ai që iu përgjigj thirrjes dhe që do të bëhej muezini i parë në Islam, pastaj ishte Selmani nga Persia ai për të cilin Profeti (sal-lallllahu alejhi ve sel-lem) tha: “Selmani është prej nesh, anëtar i familjes së Profetit.” Po ashtu, kemi Suhejbi nga Roma që thërriste: “All-llahu është më i madhi; All-llahu është më i madhi!” Ndërsa ata që shikonin me syrin e racizmit, siç ishte Velid Ibn Mugire, Ebu Xhehli dhe Ebu Lehebi, kishin mbetur të nënçmuar.

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë: “Ofisi Beni Hashim, do të vijnë njerëzit në Ditën e Gjykimit me veprat e tyre, ndërsa ju doni të vini me racën tuaj.” Në një transmetim tjetër është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë: “Kë e ka lënë mbrapa vepra e tij nuk do ta nxitë prejardhja (raca) e tij.”

Te parët thoshin:

“Nëse krenohesh me të parët për

krenarinë e tyre,

E ke thënë të vertetën, por mjerë për

ta kush i ka trasheguar.”

Ndërsa një tjetër thoshte:

“Nuk eshtë i mençur ai që thotë:

Babai im ishte kështu!”

Por i mençur është ai qe i flet puna e tij.”

Muslimanët janë një komunitet i madh, anëtarët janë të gjithë besimtarët e ndershëm dhe të devotshëm, andaj kjo fe dhe ky Islam nuk është vetëm për një racë të veçantë, por është për arabët, indianët, turqit, afrikanët, pakistanezët, pra është për mbarë botën dhe të gjithë njerëzit. Në mesin e gjeneratës së pare shohim Ebu Bekrin që ishte nga Kurejshët, Bilalin nga Abisinija, Suhejbin nga Roma, Selmanin nga Persia, Muhammed El-Fatih nga Turqia, Muhammed Ikbalin nga India, Salahudinin me origjinë Kurde, por që të gjithë i bashkonte një fjalë. Ata të gjithë i bashkonte “La ilahe ila All-llah, Muhammed resul-All-llah”.

Padyshim se gjatë muajit të Ramazanit ky unitet më shumë prezent dhe më dominant se jashtë muajve të tjerë, ngase muslimanët kanë një kohë të përbashkët dhe një muaj të përbashkët të agjërimit, një kible të përbashkët të faljes dhe një metodologji të përbashkët të jetës.

Të gjithë ne falemi pas një prijësi fetar dhe një udhëheqësi shpirtëror, sepse kështu na ka urdhëruar All-llahu i Madhërishëm kur thotë: “Dhe përkuluni me të përkulurit.” Pastaj në një ajet tjetër thotë: “Dhe faluni për All-llahun me përkushtim. ”

All-llahu i Madhërishëm u është drejtuar të gjithëve njëlloj kur na thotë se: “O ju që keni besuar, u është bērē obligim agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të jeni të devotshëm.”

Edhe Haxhi ynë është një, në një vend dhe në një kohë të caktuar. Në lidhje me këtë All-llahu i Madhërishëm na thotë: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë Haxhit). E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni All-llahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë ashtu si u ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur.”

All-llahu i Madhërishëm na fton të kapemi dhe të mbahemi për litarin e Tij e assesi të mos pranojmë ndasi në mes nesh, e në lidhje me këtë thotë: “Dhe kapuni, që të gjithë, për litarin e All-llahut dhe mos u përçani. Përkujtojeni të mirën e All-llahut ndaj jush kur ju ishit të armiqësuar, ndërsa Ai ua bashkoi zemrat me mirësinë e Tij duke ju bërë vëllezër.”

All-llahu i Madhërishëm na e ka ndaluar të jemi të përçarë dhe në mospajtim në mes veti, e në lidhje me këtë thotë: “E mos u bëni si ata që u përçanë dhe nuk u pajtuan edhe pas ardhjes së argumenteve, për ata do të ketë dënim të madh.”

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërteruar të ketë thënë: “All-llahu më ka shpallur mua që të jeni modest derisa të mos e ndiejë askush ndaj askujt veten më prioritar dhe të mos krenohet askush ndaj askujt.”

Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve selem) të ketë thënë: “Besimtari për besimtarin është sikurse muri, ku tjegullat mbajnë njëra-tjetrën.”

Në një transmetim tjetër është vërtetuar të ketë thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e poshtëron dhe nuk e nënçmon atë. Prej muslimanëve më i keq është ai që poshtron vëllanë e tij musliman. Të gjithë muslimanët për muslimanët e kanë të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e tyre.”

Prej obligimeve që ka besimtari ndaj vëllait të tij besimtar janë edhe vizitat e ndërsjella, vizitat për hir të All-llahut të Madhërishëm, vizita në rast sëmundje dhe të dëshiruarit shëndet, buzëqeshja në fytyrë nëse takohen, përgjigjja në ftesa, prezantimi në varrime, lutja në fshehtësi për ta, ruajtja e nderit të tyre, lehtësimi i punëve dhe dalja në ndihmë kur të kenë nevojë, qëndrimi pranë tyre, ndihma në rast padrejtësie, mbrojtja e tyre në rast sulmi, këshillimi dhe udhëzimi i tyre, si dhe shumë prej obligmeve dhe detyrave që ka çdo besimtar ndaj çdo besimatari tjetër që është mbi rruzullin e tokës. Të gjithë këta janë vëllezër, sepse kanë besuar një All-llah, kanë një profet, Muhammedin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), kanë një libër, Kur’anin, dhe kanë një kibble, Qabenë.

O All-llah i Madhërishëm na bashko zemrat tona, na unifiko radhët tona dhe na vëllazëro!

Aid el-Karni

“30 Mësime për agjëruesit”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit