7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Gjashtë premtimet që kurrë mos guxoni t’ia bëni fëmijës

Më të lexuarat

Sa herë ia keni dhënë ndonjë premtim fëmijës, ndërsa kur ka ardhur momenti, e keni trilluar ndonjë arsye se pse nuk mund ta mbani atë? Edhe prindërit e tjerë do t’ua pranojnë të njëjtën, por kjo sjellje mund të ketë një ndikim më të thellë në zhvillimin e fëmijës dhe marrëdhënien me ju.

Prindërit japin premtime për shumë arsye. Ata duan ta kursejnë fëmijën nga zhgënjimi. Por psikologia e fëmijëve, Sylvia Rouss, na kujton se fëmijët nuk i harrojnë dot premtimet e dhëna dhe ato janë edhe një mënyrë e krijimit të besimit dhe marrëdhënieve me prindërit.

Po e thyet premtimin, fëmija do t’ju besojë më pak.

Rouss ka ndarë disa nga premtimet më të zakonshme që prindërit i japin dhe i thyejnë pa qenë të vetëdijshëm për pasojat.

1. Nuk do të dhemb, të premtoj!

Dhimbja është një gjë shumë subjektive. Derisa juve heqja e fashës ju duket që nuk dhemb aspak, fëmija do ta mendojë të kundërtën. Prandaj, mos u mundoni ta bindni atë se vaksinimi nuk është diçka tragjike, apo që gërvishtja nga ndonjë rënie do të zgjasë vetëm pesë minuta. Më mirë thoni: “Kjo do të dhemb pak, por do të përfundojë menjëherë”.

2. Kthehem menjëherë

Pavarësisht nëse keni planifikuar ndonjë blerje të shpejtë, të shkoni tek ndonjë mjek ose të pini kafe me ndonjë mik, mos thoni që do të ktheheni menjëherë. Fëmijës, në varësi të moshës, edhe pesë minuta do t’i duken si një përjetësi kështu që është më mirë ta jepni ndonjë premtim të cilin mund ta kuptojë. Nëse bëhet fjalë për orët e pasdites, thuani fëmijës se do të ktheheni me siguri para se të jetë koha për të shkuar në shtrat.

3. Lojën me shokun do ta organizojmë javën e ardhshme

Nuk ju konvenon tollovia dhe zhurma në shtëpi kështu që e keni shtyrë lojën për në javën e ardhshme? Kujdes atë që thoni, sepse fëmijët i mbajnë mend të gjitha detajet. Opsioni shumë më real dhe më i sinqertë është që menjëherë ta pyesni nënën e shokut se cilën ditë ai do mund të vijë për të luajtur tek ju. Dhe sigurohuni që t’i përmbaheni kësaj.

4. Mitosja

Nëse ndonjëherë ia keni premtuar fëmijës ndonjë karamele si shpërblim për dhomën e rregulluar, ju bëni pjesë në shumicën e prindërve të cilët në mënyrë të shpejtë e marrin atë që e duan pa shumë debat. Edhe pse e keni zgjidhur problemin shpejt, derisa fëmijës tuaj edhe ashtu do t’ia lejonit ndonjë sheqerkë të vogël, në një periudhë afatgjatë ju nuk po i ndihmoni dot vetes. Në raste të tilla, fëmija nuk po mëson të bëhet i pavarur dhe i përgjegjshëm, dhe nuk e ka kuptuar se pse duhet t’i vendoste lodrat në vendet e tyre.

5. Bërja e detyrave

Nëse i premtoni ndihmën tuaj fëmijës me detyrat e shtëpisë, mos lejoni që ato të shndërrohen në detyrat tuaja. Ju duhet të jeni në shërbim të fëmijës tuaj në qoftë se ai ngec diku apo nuk është e qartë diçka për të, por në qoftë se ai vetë nuk i zgjidh detyrat e shtëpisë, ju nuk po i bëni ndonjë shërbim të madh. Si me çdo gjë tjetër, edhe për këtë do t’ju duhet më shumë kohë se sa po t’i shkruanit vetë, por mos harroni që jo gjithmonë do të mund të bëni gjithçka për të. Prandaj, bëhuni të sinqertë dhe thoni pikërisht ashtu, dhe në fund patjetër lavdërojeni.

6. Nesër do të jetë një ditë më e bukur dhe më e mirë

Prindërit në sytë e fëmijëve gjithmonë mund të shpëtojnë çdo gjë dhe ta bëjnë më mirë. Megjithatë, ndonjëherë atyre duhet bërë të ditur se kjo nuk është edhe aq e vërtetë, dhe ndonjëherë ata duhet ta kuptojnë se kanë probleme. Në vend të thënieve të vjetra dhe premtimeve se çdo gjë nesër do të jetë më mirë, pyesni fëmijën tuaj se si e kishte kaluar ditën. Mos harroni, fëmijët ndonjëherë vetëm kanë nevojë që t’i dëgjojë dhe përqafojë dikushi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit