Gazetarët në shënjestër

Më të lexuarat

Kolumnë nga Zvexdan Georgievski

Pas tetë vitesh bashkëpunim me agjencinë Reuters, javën e kaluar, fotoreporterja kanadeze Valerie Zink e bëri publike dorëheqjen e saj nga puna si “stringer” për këtë agjenci. Publikimi i saj shumë shpejt u bë viral globalisht.
Jo pse një bashkëpunëtore shumëvjeçare e Reuters hoqi dorë nga puna në një agjenci prestigjioze (ka pasur raste të tilla, e sigurisht do të ketë edhe në të ardhmen), por sepse shpallja e saj edhe një herë e ktheu vëmendjen globale mbi marrëdhënien me gazetarinë si një nga profesionet më të rëndësishme, por në të njëjtën kohë më të brishta dhe më të pambrojtura në botë.

Gaza si varrezë e gazetarëve

Shkaku, sigurisht, janë ngjarjet në Gaza dhe vrasja, në një periudhë të shkurtër kohe, e 13 gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Dhe, akoma më shumë, hipokrizia e mediave perëndimore ndaj këtij fakti, e madje më shumë hipokrizia e gjithë opinionit publik dhe rënia e tij pre e propagandës së pambështetur të vrasësve të gazetarëve.

Një nga pikat kryesore të shpalljes së fortë të Valerie Zink është vrasja e fituesit të Çmimit Pulitzer për vitin 2024, gazetarit palestinez 29-vjeçar Anas al-Sharif.
Al-Sharif u vra më 10 gusht, gjatë bombardimit izraelit të spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës. Së bashku me të, u ekzekutuan edhe katër gazetarë e punonjës të tjerë mediatikë – në fakt, e gjithë ekipi i televizionit Al Jazeera. Ajo që trondit, siç vëren edhe Zink, është fakti se zyrtarët izraelitë fare nuk mohojnë se Al-Sharif nuk u vra si “dëm kolateral”, por, përkundrazi, u shënjestrua dhe u vra me qëllim.

Izraeli pretendon se gazetari ishte militant dhe bashkëpunëtor i afërt i Hamasit.
Megjithatë, dihet që Sharif kishte marrë kërcënime të hapura nga autoritetet izraelite, madje se do t’i garantonin dalje të sigurt nga Gaza vetëm nëse hiqte dorë nga raportimi i tij. Po ashtu dihet se organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, ishin të vetëdijshëm për këto kërcënime dhe nuk ndërmorën asgjë.

Edhe mediat për të cilat punonte Al-Sharif e dinin. Nuk ndërmorën asgjë. Përfshirë edhe Reuters, e njohur pikërisht për verifikimin e fakteve agjencia të cilës Sharif i solli çmimin Pulitzer. Përkundër gjithë këtyre fakteve, sipas Zink, agjencia zgjodhi të përcillte deklaratën zyrtare izraelite, sipas së cilës gazetari ishte një objektiv ushtarak legjitim. Pa asnjë verifikim dhe pa asnjë distancim.

Fokusi i dytë i Zink është vrasja e gjashtë gazetarëve të kryer nga ushtria izraelite më 25 gusht, duke bombarduar spitalin Naser në qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës. Ndryshe nga rasti me ekipin e Al Jazeera-s, këtë vrasje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti një “gabim tragjik”.
Dhe ky shpjegim, kryesisht, u pranua nga shumica e mediave globale kryesore. Ja, ndodhi një gabim. Pa marrë parasysh se bëhet fjalë për të ashtuquajturin “sulm të dyfishtë” gjë që është larg çdo etike, qoftë ushtarake apo tjetër.

Çfarë do të thotë kjo? Aviacioni izraelit bombardoi spitalin. Të parët që mbërrijnë në vendin e ngjarjes janë shpëtimtarët dhe gazetarët. Nëntë minuta më pas, aviacioni përsërit bombardimin dhe i vret pikërisht gazetarët dhe shpëtimtarët. Dhe e gjithë kjo justifikohet me arsyetimin më absurd që kam dëgjuar në karrierën time gazetareske: panë një kamerë dhe menduan se Hamasi po filmonte, ndaj u kthyen dhe i përfunduan ata që kishin mbetur gjallë.

Duhet thënë se ndër gjashtë gazetarët e vrarë ishte edhe reporterja e Associated Press, 32-vjeçarja Mariam Daga, një nga të paktat gazetare që raportonin nga operacionet ushtarake në Gaza.

Në listën e zi të gushtit të gazetarëve të vrarë në Gaza duhen shtuar edhe Marwa Musallam, e vrarë më 1 gusht, si dhe Hasan Dukhan, i qëlluar për vdekje më 25 gusht, të njëjtën ditë kur u vra edhe Mariam Dega. Marwa Musallam praktikisht u dogj e gjallë në shtëpinë e saj së bashku me dy vëllezërit e saj, gjatë bombardimit të banesës familjare.

Pra, këtu po flasim vetëm për gazetarë të vrarë, vetëm për një muaj dhe vetëm në një hapësirë të vogël. Nuk po flasim për presione të tjera mbi gazetarët, zhdukje misterioze, rrëmbime, ndalime për raportim, shantazhe ndaj familjeve, gjymtime, kërcënime të çdo lloji…
Po flasim vetëm për raste me pasoja fatale, që praktikisht kalojnë pa ndonjë dënim, madje as moral. Përkundrazi. Të gjitha “shpjegimet” e Izraelit për këtë “gazetarocid” pranohen thuajse si të mirëqena. Al-Sharif u quajt militant, Mariam Daga “gabim tragjik”. Dhe kaq. Askush nga faktorët “e rëndësishëm” të të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare nuk mendon të vendosë sanksione ndaj një shteti që gazetarët i trajton si objektiva legjitime për asgjësim. Krim pa ndëshkim. Madje me miratim të heshtur.

Krime pa ndëshkim

Mbase këtu duhet shtuar një shpjegim: pse gazetarët në Gaza shpesh vriten pranë spitaleve dhe institucioneve shëndetësore? Sepse në Gaza, që nga fillimi i sulmeve izraelite, energjia elektrike pothuajse nuk ekziston. Çdo reporter që ka nevojë të dërgojë raportin apo të ngarkojë pajisjet e tij, shkon aty ku mendon se ka gjeneratorë pra, kryesisht në spitale dhe shkolla. Dhe këto, siç shihet, për Izraelin janë objektiva të ligjshme ushtarake.

Në arsyetimin e dorëheqjes së saj, Zink jep një shifër ndoshta jo krejt të saktë, por jashtëzakonisht alarmante: ajo thotë se në më pak se dy vjet nga agresioni izraelit mbi Gazën janë vrarë 245 gazetarë, më shumë se numri i gazetarëve të vrarë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, si dhe në luftërat e Koresë, Vietnamin, Afganistanin, Jugosllavinë dhe Ukrainën të marra së bashku.

E them se shifra nuk është plotësisht e saktë, sepse nuk ekziston një evidencë e plotë për viktimat gazetareske në të gjitha këto luftëra të tmerrshme. Por, sidoqoftë, kjo shifër është tepër monstruoze, sepse vlerësimet janë që në të gjitha këto luftëra shumëvjeçare anembanë botës kanë humbur jetën rreth 300 gazetarë, ndërsa vetëm në dy vjet, në një hapësirë të vogël si Rripi i Gazës, janë vrarë 245.

Duhet shtuar se kjo shifër nuk është përfundimtare, dhe se shumë mediave globale nuk u lejohet fare hyrja në Gaza (p.sh. BBC dhe CNN).

Nuk e di sa gazetarë janë vrarë gjithsej këtë vit. Këto të dhëna zakonisht publikohen më 2 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve. Ajo që dihet është se viti 2024 u shpall viti më i zi në historinë e gazetarisë botërore. U evidentua se u vranë 124 gazetarë, prej të cilëve 85 vetëm në konfliktin në Gaza.

Rekordi i mëparshëm ishte “arritur” në vitin 2007 – 113 gazetarë, prej të cilëve pothuajse gjysma u vranë në luftën në Irak. Këtë vit pritet që rekordi të tejkalohet.

Por, si të thuash, nuk është vetëm kaq. Ky vit i rrezikut ekstrem është një nga të rrallët ku numri i gazetarëve të vrarë në vatra lufte mund të tejkalojë numrin e viktimave në të ashtuquajturat kushte “paqeje”. Vrasjet e gazetarëve në vende si Meksika, Hondurasi, Filipinet, Pakistani… e nëse doni edhe Rusia, shpesh nuk mund të regjistrohen fare.

Shpesh bëhet fjalë për “zhdukje”, që thjesht “i përpiu errësira”, dhe evidenca zyrtare është thuajse e pafuqishme t’i regjistrojë këto krime. Pastaj për vdekje në burgje, si rezultat i akuzave të pabaza apo të fabrikuara. Dhe për të numëruar rastet që nuk kanë përfunduar me pasoja fatale, do të duhej dhjetëfish më shumë hapësirë se ky tekst.

Por, ajo që është e përbashkët për të gjitha këto raste është se nëntë nga dhjetë nuk zgjidhen, pra nuk sjellin asnjë sanksion. Ashtu si nuk do të sjellin as krimet kundër gazetarëve civilë në Gaza. Ashtu si nuk solli ndonjë sanksion atentati ndaj gazetarëve francezë Ghislaine Dupont dhe Claude Verlon, i cili ndodhi më 2 nëntor 2013 në Mali, dhe në kujtim të të cilit kjo ditë u shpall Ditë e luftës kundër mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit