- Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿أَلۡهَىٰكُمُ ٱلتَّكَاثُرُ * حَتَّىٰ زُرۡتُمُ ٱلۡمَقَابِرَ﴾ [التكاثر ١- ٢] .
“Ju ka hutuar përpjekja për të shtuar (pasurinë, famën, pushtetin, etj).
Derisa të mos i vizitoni varrezat”. (Et0Tekathur: 1-2).
Në këtë dynja ju ka hutuar përpjekja për të shtuar të mirat e kësaj bote, andaj u merr kohë grumbullimi i pasurisë, u merr kohë fëmija, u merr koha restoranti, u merr koha pija, u merr koha makina, u merr kohë shetitja, etj, dhe ju angazhon e ju largon nga përmendja e Allahut dhe nga detyrat e ahiretit, deri sa tu vijë befasisht vdekja dhe të vendoseni në varreza e të mbuloheni me dhe.
- Allahu i Madhërishëm në fundin e kësaj sureje (kapitulli) thotë:
﴿ثُمَّ لَتُسۡـَٔلُنَّ یَوۡمَىِٕذٍ عَنِ ٱلنَّعِیمِ﴾ [التكاثر ٨] .
“Pastaj në atë Ditë sigurisht se do të pyeteni për të mirat (e dynjas)”. Et-Tekathur: 8).
Nga fillimi dhe mbarimi i sures nënkuptojmë se aq sa të mëdha dhe të llojllojshme janë dhuntite, mirësitë dhe begatitë, aq të mëdha dhe të detajizuara do jenë edhe llogaritë edhe përgjegjësia.
Xhabir ibën Abdullahi, radijallahu anhu, na rrëfen e thotë:
أَكَلَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ وَأَبُو بَكْرٍ وَعُمْرُ رُطَبًا، وَشَرِبُوا مَاءً، فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: “هَذَا مِنَ النَّعِيمِ الَّذِي تُسْأَلُونَ عَنْهُ”.
“Pejgamberi, ﷺ, me Ebu Bekrin dhe Omerin hangrën hurma të njoma dhe pitën ujë. Atëherë Pejgamberi, ﷺ, tha: edhe kjo është prej dhuntive për të cilat do të pyetemi”. Hadithi është Sahih. E transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.
Muxhahidi, si një komentator i njohur i Kuranit, thotë:
“Do japin llogari për çdo kënaqësi të kësaj bote”.
Hasan basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë:
“Do japin llogari për dhuntinë e drekës dhe darkës”.
E të mos flasim për ushqimet që na vijnë neve tre herë në ditë edhe për ushqimet që i kemi mes tyre!
Allahu na mundësoftë ta falënderojmë për krejt ato dhunti që na i dhuron neve dhe prindërve tanë dhe të bëjmë vepra të mira me të cilat ai është i Kënaqur! Amin!
Bekir Halimi
