Familja që ruan çelësin e Qabes që nga koha e Pejgamberit (alejhi selatu ue selam)

Më të lexuarat

Këta janë anëtarët e familjes Benu Shejbe nga Meka, të cilët me anë të testamentit të të Dërguarit të Allahut, a.s. janë kujdestarët e autorizuar që ruajnë çelësin e Qabes së bekume. Kjo familje mban përgjegjësinë që ta hapë dhe ta mbyllë Qaben, si dhe ta pastrojë atë. Me këtë detyrë të nderuar ata janë ngarkuar që nga koha e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s.
Familja Benu Shejbe janë pasardhës të sahabiut të nderuar, Othman bin Talha, Zoti qoftë i kënaqur me të.
Studiuesit e Sires (jetëshkrimit të Pejgamberit a.s. dhe komentuesit e Kur’anit (mufesirët) përmendin se kur Pejgamberi a.s. e çliroi Mekën, mori çelësin e Qabes së Shenjtë nga Othman bin Talha, radijAllahu anhu, hyri në Qabe dhe fali brenda saj dy rekate namaz. Pastaj doli duke lexuar fjalët e Allahut të Madhëruar:
إِنَّ ٱللَّهَ يَأْمُرُكُمْ أَن تُؤَدُّواْ ٱلْأَمَـٰنَـٰتِ إِلَىٰٓ أَهْلِهَا
“Allahu ju urdhëron t’u jepni amanetet atyre që u përkasin.” (Sure En-Nisa, 58)
Më pas, Pejgamberi a.s. e thirri Othman bin Talhën, radijAllahu anhu, dhe ia ktheu çelësin.
Ky ajet, megjithëse zbriti me rastin e kësaj ngjarjeje, ka kuptim të përgjithshëm, sepse, siç është parim në jurisprudencën islame (Usulul-fikh), merret në konsideratë përgjithësia e tekstit, jo vetëm shkaku i zbritjes.
Et-Taberani transmeton nga Ibn Abbasi, radijAllahu anhuma, se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë:
“Merreni, o bijtë e Talhës! Ky amanet do të mbetet përjetësisht ndër ju; askush tjetër nuk do t’ua marrë, përveç një zullumqari.”
Me këtë u nënkuptua ruajtja e çelësit të Qabes.
Në një transmetim tjetër thuhet se Pejgamberi a.s. pyeti:
“Ku është Othman bin Talha?”
Kur e sollën para tij, Pejgamberi a.s. i tha: “Ja ku e ke çelësin, o Othman! Sot është dita e përmbushjes së premtimit dhe e bamirësisë.”
Që nga ai moment e deri më sot, çelësi i Qabes së Shenjtë ruhet nga pasardhësit e Othman bin Talhës, radijAllahu anhu.
Në këtë fotografi shihen pikërisht pasardhësit e sotëm të kësaj familjeje të nderuar, që mbajnë amanetin e ruajtjes së çelësit të Qabes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit