8.2 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Escobar: Kurti duhet të bindet pak më shumë për planin trepikësh të BE-së për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës

Më të lexuarat

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar situatën aktuale në rajon në prag të konferencës ndërkombëtare në Dubrovnik, duke iu referuar veçanërisht krizës mes Kosovës dhe Serbisë si dhe lëvizjeve të fundit të Milorad Dodikut në Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës.

Duke komentuar situatën në Kosovë, zyrtari amerikan beson se zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza është që Beogradi dhe Prishtina të pranojnë planin trepikësh të prezantuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne kemi indikacione pozitive se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është i gatshëm ta pranojë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të bindet pak më shumë”, tha ai, shkruan jutarnjilist.

“Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”, shtoi Escobar, raporton tportal.

I pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse Serbia dhe Kosova nuk i plotësojnë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të deeskaluar situatën në veri të Kosovës, Escobar tha se të dyja vendet do të humbasin mundësi të shumta.

“Pasojat nuk janë masa ndëshkuese, por janë mundësi të humbura për të dyja vendet nëse refuzojnë propozimin për dalje nga kriza”, tha Escobar, duke shpjeguar se për Kosovën kjo do të thotë distancim nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa për Serbinë mos avancim drejt rrugës në Bashkimin Evropian.

“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike. Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”, përfundoi Escobar.

Kujtojmë se Serbia dhe Kosova në muajin shkurt e pranuan Planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve dhe në muajin mars në Ohër Aneksin për zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se të dyja palët do të zhvillojnë “marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë të bazuar në të drejta të barabarta”, se “do të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore” dhe se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit