16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Erdoğan: T’i shërojmë shpirtrat me leximin e Kur’anit

Më të lexuarat

Kur’ani duhet lexuar me zemër të pastër, me gojë të pastër dhe, më e rëndësishmja, me respekt dhe përshpirtëshmëri, tha presidenti Erdoğan

ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë sot në Ankara se detyrë e muslimanëve është ta mbajnë të fortë lidhjen me librin e shenjtë, Kur’anin, dhe t’i shërojnë shpirtrat duke e lexuar atë, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në finalen e Garës Ndërkombëtare të Bukurleximit të Kur’anit të organizuar në Ankara. Ai përshëndeti të gjithë mysafirët e ardhur nga 62 shtete, duke i përgëzuar garuesit e kualifikuar.

“Në kaptinën Muzemil, Zoti ynë na urdhëron ta lexojmë Kur’anin me vëmendje. Ta lexosh me vëmendje, do të thotë ta lexosh sipas rregullave të shqiptimit, në mënyrë të qartë dhe duke ia dhënë hakun çdo tingulli, vargu dhe kuptimi. Kur’ani duhet lexuar me zemër të pastër, me gojë të pastër dhe, më e rëndësishmja, me respekt dhe përshpirtëshmëri”, tha Erdoğan, duke shtuar se zëri i bukur që Zoti ia fali njeriut, më së shumti i ngjan Kur’anit.

Erdoğan më tej tha se muslimanët me shekuj japin përpjekje që nga njëra anë ta kuptojnë dhe ta praktikojnë Kur’anin, kurse nga ana tjetër ta lexojnë atë me zë të bukur. Ai shtoi se detyrë e muslimanëve është t’i mbajnë të forta lidhjet me këtë libër të shenjtë.

“Ajo që kemi përsipër është që gjithmonë t’i mbajmë të forta lidhjet me Kur’anin, i cili është burim i dijes së pashtershme, urtësisë dhe lumturisë. Detyra jonë si muslimanë është që t’i shërojmë me leximin e Kur’anin shpirtrat tonë që zbehen dhe gremisen në jetën e përditshme”, theksoi Erdoğan.

Erdoğan vlerësoi se aktivitetet e këtilla janë mundësi e mirë që muslimanët të bëjnë llogari rreth egos së tyre dhe për t’i forcuar lidhjet me Kur’anin. “Zoti na e mundësoftë të gjithëve të jetojmë me Kur’an, të ndriçohemi me dritën e tij dhe ta japim frymën e fundit me të”, shtoi Erdoğan.

Megjithatë, Erdoğan foli me theks të veçantë mbi rëndësinë e saj që Kur’ani jo vetëm të varet brenda mureve të shtëpisë, por të lexohet, kuptohet dhe praktikohet. “Pra, besoj se të kuptuarit e tij do të na e pasurojë jetën edhe më shumë”, tha Erdoğan.

Ndryshe, gara e bukurleximit të Kur’anit këtë vit organizohet për herë të pestë. Aktiviteti i sivjetmë i dedikohet dëshmorëve që humbën jetën gjatë tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi nga organizata terroriste FETO.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit