18.2 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Erdogan: Sanksionet kundër Katarit nuk zgjidhin gjë

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë dhe Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Rexhep Tajip Erdoan tha se nuk i vlerëson si të drejta sanksionet që kanë nisur të zbatohen kundër Katarit.

Në fjalimin që mbajti në Darkën e 10-të Iftarit me Ambasadorët, organizuar në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se kjo ngjarje, e cila ka ndodhur në një periudhë kur nevoja për solidaritet dhe bashkëpunim është më e madhe se asnjëherë tjetër, nuk është në dobinë e asnjë vendi të rajonit.

Mënyra më e drejtë për zgjidhjen e çështjeve mes anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit është ajo e dialogut reciprok, vazhdoi Erdoan, duke vlerësuar lartë në këtë kontekst qëndrimin gjakftohtë dhe konstruktiv të shfaqur nga ana e Katarit.

“Përpjekja për ta izoluar në këtë mënyrë Katarin, i cili ne e dimë mirë që po bën një luftë efektive kundër organizatave terroriste, nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e ndonjë problemi. Ne si Turqi, ashtu siç bëjmë me të gjithë miqtë tanë, mbështetjen e fuqishme të të cilëve e kemi ndjerë në kohët më të vështira, sidomos në lidhje me tentativën e 15 korrikut (2016) për grusht shteti, do të vazhdojmë ti zhvillojmë marrëdhëniet edhe me Katarin. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo detyrë që na takon edhe për të zgjidhur problemet e vendeve të tjera me Katarin”, u shpreh Presidenti Erdoan.

Duke iu referuar çështjes siriane dhe terrorit, Presidenti deklaroi se për ti dhënë fund DAESH-it është angazhuar një organizatë tjetër terroriste (PYD/YPG) që i ka lyer duart me gjak.

“Qoftë edhe për arsye taktike, nuk është kurrë e drejtë të mbështetësh një organizatë terroriste që bën spastrim etnik në zonat që pushton, që nganjëherë bashkëpunon me regjimin dhe ndonjëherë tjetër me DAESH-it. Nuk ka shanse për të qenë e suksesshme një iniciativë që nuk ka vizion për zgjidhje politike, që injoron historinë, dinamikat shoqërore dhe kulturore të rajonit. Një organizatë terroriste, që të drejtën për të jetuar nuk ia njeh ashkut tjetër përveç vetes, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë forcë demokratike. Shprehja e vetme që do ta përshkruante një strukturë të tillë është koncepti i “organizatës terroriste”, vijoi presidenti.

Erdoani reagoi ndaj vendeve që mbështesin PYD/YPG-në, e cila është zgjatimi i organizatës separatiste terroriste PKK në Siri.

“Në vend që të shfaqin një qëndrim të vendosur kundër organizatave terroriste, ata që sot mundohen ti shfajësojnë terroristët me përkufizime të tilla si “forca milicore” vetëm për faktin se u shërbejnë politikave të tyre në rajon, shumë shpejt do ta kuptojnë se kanë bërë një gabim jetik. Historia ka treguar se gabime të tilla më pas kthehen tek bashkëbiseduesit e tyre si kërcënime vdekjeprurëse”,- tha presidenti turk.

Erdoan tha se në lidhje me terrorizmin ka vende që shfaqin një qëndrim të pavendosur (dyvlershëm) dhe se kjo gjë i mërzit ata. “Ka ende nga ata që bëjnë dallimin ‘terrorist i mirë, terrorist i keq’”, shtoi Erdoan.

Në lidhje me operacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Rakka (Siri) Presidenti Erdoan tha:

“Ata thonë se operacionin do ta bëjnë bashkë me PYD/YGP. Por nëse do të ketë një provokim në drejtim të tokave tona, askush të mos presë nga ne që të mbajmë një qëndrim tolerant ndaj organizatave terroriste. Nuk do të lejojmë krijimin e korridorit terrorist, as përgjatë kufirit tonë jugor dhe as në veri të Irakut”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit