Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se kontrolli mbi provincën siriane të Suvejdas do të realizohet përmes një forcë prej 2500 personash të pajisur me armë të lehta, duke theksuar se kjo forcë ka marrë leje për të lëvizur drejt zonës në kuadër të konsultimeve intensive diplomatike.
Deklaratat e Erdoganit u bënë gjatë një takimi me gazetarët në bordin e avionit presidencial, teksa po kthehej mbrëmjen e së dielës nga vizita në Republikën Turke të Qipros së Veriut. Ai shpjegoi se takimet mbi dosjen siriane po zhvillohen prej dy ditësh në kryeqytetin jordanez, Amman, me pjesëmarrjen e pleqve të fiseve jordaneze, të dërguarit special amerikan, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me palën turke.
Erdogan vuri në dukje se qyteti i Suvejdas “është i rrethuar aktualisht”, por ekzistojnë ende pengesa për lejimin e hyrjes së forcave, duke shtuar se dy nga tre fraksionet druze janë në pajtim të plotë me operacionin, ndërsa fraksioni i tretë bashkëpunon me Izraelin dhe përpiqet të sabotojë ndërhyrjen.
“Nuk do ta lëmë Shara’n vetëm”
Erdogan theksoi mbështetjen e tij për presidentin sirian Ahmed al-Shara, duke e cilësuar qëndrimin e tij për çështjen e Suvejdas si “të palëkundur” dhe duke shtuar:
“Nuk do ta lëmë presidentin Ahmed al-Shara të vetëm në Siri. Ne nuk duam një Siri të përçarë. Shërimi i saj është në të mirë të interesave tona, sepse do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet tona dypalëshe.”
Ai akuzoi gjithashtu Izraelin për përpjekje të vazhdueshme për të ndezur situatën në rajon, duke theksuar se:
“Operacioni në Suvejdë po drejtohet nga Damasku me shumë kujdes, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për sabotim.”
⸻
Më 13 korrik të këtij viti, shpërthyen përleshje të armatosura ndërmjet fiseve beduine dhe grupeve druzi në Suvejdë. Si pjesë e përpjekjeve të qeverisë siriane për të kontrolluar krizën, u shpallën katër marrëveshje armëpushimi, e fundit të shtunën e kaluar.
⸻
Burimi: Anadolu Agency + Al Jazeera Mubasher
