10.3 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Erdogan-Farmajo: Somalia do vazhdojë të përfitojë nga marrëdhëniet speciale me Turqinë

Më të lexuarat

Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullahi Farmajo, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Ankara, u prit të mërkurën në mbrëmje me ceremoni nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan…

Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullahi Farmajo, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Ankara, u prit të mërkurën në mbrëmje me ceremoni nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogani dhe Farmajo kaluan menjëherë pas ceremonisë së pritjes në një takim kokë më kokë dhe tej drejtuan mbledhjen ndërmjet delegacioneve përkatëse.

Në bisedime u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe zhvillimit.

Dy krerët e shteteve organizuan në fund të bisedimeve një konferencë të përbashkët shtypi, ku Erdogani tërhoqi vëmendjen mbi qëndrimin e popullit somalez kundër tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 dhe mbështetjen e tij për popullin turk, ndërsa uroi që ky qëndrim i sinqertë të bëhet shembull për të gjitha vendet.

Lideri turk theksoi që Somalia, të cilën e ka vizituar për herë të parë në vitin 2011, ka regjistruar një transformim serioz nga ajo ditë e këtej duke avancuar në rrugën për t’u bërë një shtet me stabilitet, nga një vend që komuniteti ndërkombëtar i kishte kthyer shpinën duke e braktisur në mëshirë të fatit.

Mes të tjerash, Presidenti Erdogan vuri në pah se të paktën 14 milionë njerëz, pjesa dërrmuese e të cilëve janë gra e fëmijë, vuajnë nga uria në Afrikë.

“Shohim që mjaft vende të zhvilluara perëndimore luajnë të verbrin, të shurdhin dhe memecin karshi tragjedive humanitare të tilla. Megjithatë, ndryshe nga ata që bëjnë sikur nuk i shikojnë pamjet e të shtypurve, që përpiqen të mbijetojnë në zi dhe varfëri, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre. Në një botë, ku fëmijët vdesin nga uria, s’mund të ketë as qetësi, as paqe dhe as stabilitet”, u shpreh kreu i Shtetit të Turqisë.

Duke rikujtuar se në mars të këtij viti i është dhënë start fushatës “Bëhu Shpresë për Njerëzimin”(İnsanlığın #UmuduOl), Erdogani nënvizoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke vazhdon të dërgojë ndihma në zonat e prekura nga thatësira në Afrikën Lindore; ndërsa Departamenti i Kryeministrisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe Fatkeqësive (AFAD), Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), si dhe shumë OJQ turke janë duke punuar thuajse pa ndërprerje për të përmirësuar cilësinë e jetës në këto rajone.

Në vijim, kreu i Shtetit të Turqisë njoftoi se mbi 15 mijë tonë ndihma humanitare në ushqime, barna dhe materiale konsumi do t’u shpërndahen somalezëve në nevojë gjatë muajit të ramazanit.

Ai premtoi gjithashtu se do të nxisin sektorin privat turk që të investojë në rajon.

“Ne presim që edhe partnerët tanë ndërkombëtarë të ofrojnë mbështetjen e tyre për Somalinë”, shtoi Presidenti Erdogan.

Kurse lideri somalez, Mohamed Abdullahi Farmajo, falënderoi përzemërsisht Turqinë për kontributin e pakursyer të saj për Somalinë.

“Turqia ka dhënë kontribute të rëndësishme për rithemelimin e Somalisë, pas një procesi pune të gjatë në vendin tonë. Somalia do të vazhdojë të gjejë mbështetje nga këto marrëdhënie speciale”, tha Presidenti Farmajo.

Në fund të bisedimeve dhe konferencës për shtyp, Erdogan shtroi një darkë zyrtare për nder të homologut të tij somalez.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit